Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur deklaratave të ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila e konsideroi të gabuar përfshirjen e Berishës në zgjedhjet e 14 Majit ndërsa apeloi për kandidatë të pastër dhe me integritet.
Berisha tha se Kim ka përdorur pushtetin që i jep përfaqësimi i SHBA si ambasadore, kundër opozitës, ndërsa paralajmëroi ambasadoren se ndërhyrja në fushatën elektorale është krim elektoral.
“Ajo që mund të them unë është se përpjekjet e guvernatores për asgjësimin e PD-së, për emërimin në krye të kësaj partie të eksponentëve të lidhur gjer në palcë me krimin, të eksponentëve të financuar, sipas burimeve amerikane, nga rusët dhe të lidhur me krimin, nuk janë asgjë tjetër veçse dëshmi se kjo ka funksionuar si anëtare e ekipit McGonigal apo si McGonigal me fustan.
Kjo ka përdorur pushtetin që i jep përfaqësimi i SHBA si ambasadore, kundër opozitës demokratike, properëndimore të një vendi anëtar të NATO-s. Përsa i përket deklaratës së fundit, unë i dhashë përgjigjen që gjykova se ishte e nevojshme, por tani më duhet të them se kam vetëm një shtesë. Njerëzit që përdorin gjuhë piromani, me zjarrvënës e kështu, ata kanë probleme me veten e tyre. Pra, zakonisht, një fjalor i tillë është për njerëz në ethe, kur të kapin ethe të forta, atëherë njeriut i turbullohet mendja. Se çfarë ethesh e kanë kapur guvernatoren, pyeteni guvernatoren. Por një fjalor i tillë është i papranueshëm. Pyeta edhe Chat GTP se çfarë do të thotë ky fjalor dhe më dha këtë përgjigje. Unë jam edhe mjek, por thashë të bëj edhe një kontroll. PD po ecën e sigurt në fitore. I them një gjë dhe e mbyll. E paralajmëroj se ndërhyrja në fushatë elektorale është krim elektoral. Edhe në ligjet e vendit të saj, edhe në ligjet e vendit tim.”-tha Berisha.
Në një intervistë për Zërin e Amrikës Kim tha: Në mendimin objektiv dhe të mirëmenduar të Sheteteve të Bashkuara të Amerikës, personat të cilët janë të përcaktuar non grata, nuk duhet të jenë përfaqësues të popullit shqiptar. Populli shqiptar meriton më mirë dhe kërkon më mirë. Me këtë ka të bëjë demokracia, me këtë ka të bëjë edhe reforma në drejtësi. Dhe mendoj se kur ke njerëz të përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion domethënës, kur këta individë pretendojnë që do të largojnë korrupsionin, është njësoj si zjarrvënësi i fshatit që premton se do shuajë të gjitha zjarret; madje jo vetëm kaq, por kërkon edhe të gjitha shkrepset që mund të gjejë nga të gjithë fshatarët e tjerë. Është thjesht e gabuar, e gabuar. Dhe mendoj se qytetarët e zakonshëm shqiptarë janë të zgjuar dhe e dinë se kjo nuk ka logjikë. Mendoj se qytetarët shqiptarë meritojnë më mirë dhe më shumë se aq; Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se Shqipëria meriton dhe duhet të jetë më mirë./Opinion.al