Kanë rënë në pranga dy shtetas, pasi kanosën me armë zjarri një 40-vjeçar në një fshat të Gramshit.
Sipas uniformave blu, ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor “Gramsh – Moglicë”, ku 2 shtetasit V. K., 40 vjeç, banues në fshatin Bulçar, Gramsh dhe S. H., 34 vjeç, banues në fshatin Kodovjat, Gramsh, kishin kanosur me armë zjarri, një shtetas tjetër.
Nga informacionet zyrtare bëhet me dije se situata e krijuar mund të përshkallëzohej në ngjarje kriminale, por falë ndërhyrjes së menjërhershme të forcave policore është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i dy të dyshuarve.
Ndërkohë policia bën me dije se edhe 40-vjeçari që u kërcënua nga arma e zjarrit nga dy shtetasit e tjerë, është arrestuar pasi dha deklarata të rreme përpara oficerit të policisë.
“Falë reagimit në kohë dhe koordinimit të shërbimeve të Policisë, Gramsh dhe Korçë, të përfshira në këtë operacion, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit V. K., 40 vjeç, banues në fshatin Bulçar, Gramsh dhe S. H., 34 vjeç, banues në fshatin Kodovjat, Gramsh.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasit V. K. dhe S. H., në bashkëpunim me njëri-tjerin, kanë kanosur me armë zjarri pistoletë, në aksin rrugor “Gramsh – Moglicë”, shtetasin R. Sh.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit “Bulçar”, u vu në pranga dhe shtetasi R. Sh., 40 vjeç, banues në fshatin Bulçar, Gramsh, pasi gjatë marrjes në pyetje në lidhje me këtë rast, ka dhënë deklarata të rreme përpara oficerit të Policisë”, tha policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.