Policia e Durrësit ka gjetur një pistoletë në banesën e një 32-vjeçari të shpallur në kërkim për plagosje të rëndë me dashje dhe armëmbajtje pa leje.
Forcat e policisë shkuan për kontroll në banesën e 32-vjeçarit F.D. në Sukth pasi ky i fundit ka masë sigurie arrest në burg në mungesë.
Por në shtëpinë e tij u gjet një pistoletë dhe dy krehëra pistolete me 18 fishekë luftarakë. Policia arrestoi babain e 32-vjeçarit, ndërsa këtë të fundit nuk ka mundur ta gjejë dhe kontrollet vijojnë për lokalizimin e tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.