Shpallja e Lumit Vjosa Park Kombëtar ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Disa media prestigjioze të huaja kanë shkruar për vendimin e qeverisë për të ruajtur lumin e fundit të egër të Evropës.
Media angleze “The Guardian” e cilëson vendimin moment historik për ruajtjen e një ekosistemi, ku një pjesë e specieve janë në rrezik zhdukje.
“I lirë nga digat apo pengesat e tjera artificiale, Lumi Vjosa është i pasur me specie ujore dhe mbështet kafshë të egra të panumërta, duke përfshirë vidrën, shkabën egjiptiane të rrezikuar dhe rrëqebullin ballkanik të rrezikuar në mënyrë kritike, nga të cilët vetëm 15 vlerësohet të mbeten në Shqipëri”-shkruan “The Guardian”.
“Reuters”, thotë se shpallja e Vjosës Park Kombëtar është një fitore e mbrojtësve të mjedisit që prej vitesh kanë luftuar përballë planeve për ndërtimin e hidrocentraleve përgjatë shtratit të lumit të fundit të egër të Evropës.
“Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për të shpallur lumin Vjosa park kombëtar, duke shënuar një fitore për ambientalistët që luftojnë prej vitesh kundër planeve për hidrocentrale përgjatë rrugës ujore.
Ambientalistët dhe shkencëtarët e kanë quajtur Vjosën lumin e fundit “të egër” në Evropë, pasi rrjedh pandërprerë për 270 km (170 milje) nga Greqia në të gjithë Shqipërinë e Jugut deri në Detin Adriatik, pa asnjë digë apo termocentral”-shkruan Reuters.
Edhe mediat gjermane kanë shkruar për vendimin e qeverisë shqiptare. Der Spiegel, në shkrimin e publikuar nënvizon se lumi i fundit i egër i fundit në Evropë kërcënohej nga ndërtimi i digave.
“Një total prej rreth 400 kilometrash të lumit mbrohen rreptësishtë dhe të gjitha projektet e digave janë anuluar”-shkruan Der Spiegel. Ndërkaq, media “Frankfurter allgemeine”, shkruan:
Vjosa në Shqipërinë e Jugut quhet një lum “i egër”, madje më i madhi dhe i fundit i këtij lloji në të gjithë Europën./Opinion.al