Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kujtuar ditën e sotme 9-vjetorin e lëvizjes së lirë.
Përmes një video mesazhi drejtuar qytetarëve, Basha shprehet se para 9 vitesh si Ministër i Brendshëm i asaj kohe kishte shoqëruar grupin e parë të studentëve dhe të rinjve shqiptarë që udhëtuan ditën e liberalizimit të vizave në BE.
Po ashtu, kryedemokrati ka thënë në videomesazhin e tij se do të bëjë gjithçka për ta mbrojtur këtë arritje dhe për të plotësuar dëshirën për Shqipërinë anëtare të BE.
“Të dashur bashkëqytetarë! Para 9 vitesh, si Ministër i Brendshëm, shoqërova grupin e parë të studentëve dhe të të rinjve shqiptarë që udhëtuan pa viza në Bashkimin Europian. Bashkë, plotësuam një ëndërr, lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Sot, dua t’ju uroj të gjithëve dhe t’ju garantoj se do të bëj gjithçka për ta mbrojtur këtë arritje dhe për të plotësuar shpresat dhe dëshirat e gjithsecilit prej jush për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian. Ju uroj një të diel të mbarë!”, shprehet Basha./ Opinion.al