Te Fundit

8 nëntori, data e munguar e gjuhës shqipe


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 16:28 - 08/11/20 |
Opi Nion

Nga Manjola Bregasi

“Sot është një nga ditët më të bukura për çdo shqiptar”.

Në fakt kishte të drejtë Dom Gjergj Meta kur u shpreh kështu mëngjesin e sotëm dhe kujtonte se si më 8 Nëntor 1462, për të parën herë është shkruar në gjuhën shqipe ajo që njihet si formula e pagëzimit: “Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë”.

“Këtë formulë, Arqipeshkëvi i Durrësit Pal Engjëlli, ua la nanave e gjysheve që ta përdornin për të pagëzuar fëmijët e tyre, sepse po vinin kohë të vështira, duke qenë se hordhitë turke kishin përparuar shumë e po bëheshin gati të mësynin akoma më shumë”, vijonte Dom Gjergji argumentin e tij.

Por pë fat të keq, dita e shkrimit të gjuhës shqipe do të zbehej gjatë regjimit komunist nga një tjetër ngjarje e 8 Nëntorit, të cilën sistemi e glorifikoi për ta veshur si këngë me 200 petritë apo si fakt të transformuar në librat e historisë.

Themelimi i partisë komuniste kishte forcën e lënies në hije të çdo dite tjetër, e aq më tepër të çdo ngjarjeje, që mund të përkonte në të njëjtën datë me të.

Por sot, kur ditëlindjet e partive fatmirësisht nuk janë më festa kombëtare, ndërsa flasim për ndjenja atdhedashurie a përpiqemi të tregohemi patriotë, le t’ja dedikojmë gjuhës shqipe këtë datë, që prej vitesh duket se ja kanë mohuar dhe që në fakt i mungon.

Besoj se ky do të ishte nderimi më i madh për Kristo Negovanin të cilit as kockat nuk ju gjetën se shkroi shqip; për Petro Nini Luarasin që u helmua se mësoi shqip, për çdo rilindas e shqiptar, që Shqipërinë nuk e ka thjesht slogan./Opinion.al

 

Pas