Kryesore

“8 dhjetori”/ Basha: Shqipëria të çlirohet nga kthetrat e korrupsionit


               Publikuar në : 14:31 - 08/12/19 |
Opi Nion

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një mesazhi në rrjetet social, ka kujtuar sot “8 dhjetorin”.

Basha shprehet në mesazhin e tij, se dita e sotme i gjeti të rinjtë duke ndihmuar qindra familje të dëmtuara nga tërmeti në zonën e Kurbinit.

Ndër të tjera, kryedemokrati ka theksuar se “ta kalojmë si një familje e madhe këtë situatë të rëndë sot e ta nxjerrim së shpejti Shqipërinë nga mjerimi, ta çlirojmë nga kthetrat e korrupsionit që nuk kursen as jetën e qytetarëve e ta bëjmë realitet thirrjen dhe destinin që të rinjtë nisën 29 vjet më parë, Shqipërinë si gjithë Europa”.

Lideri i opozitës ka shprehur mirënjohje për Azem Hajdarin, i cili në vitin 1990 ishte në krye të Lëvizjes së Studentëve, duke kontribuar për instalimin e demokracisë në Shqipëri si dhe për pluralizmin politik.

Mesazhi i Bashës:

Ky 8 dhjetor, Dita e Rinisë na bën krenarë për rininë tonë. 29 vite më parë të rinjtë u ngritën të parët në Lëvizjen e Dhjetorit që solli demokracinë; sot pas tragjedisë që goditi vendin, të rinjtë ishin të parët që u erdhën në ndihmë njerëzve dhe të parët që nisën mbledhjen dhe shpërndarjen e ndihmave.

Këtë 8 dhjetor shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë të rinjtë që në këto ditë sprovash dhe dhimbjesh u shndërruan në shpresë dhe forcë për çdo shqiptar. Edhe dita e sotme i gjeti të rinjtë duke ndihmuar qindra familje të dëmtuara nga tërmeti në zonën e Kurbinit.

Dhimbja e këtyre banorëve të cilët shteti i ka harruar dhe braktisur, është zbutur nga të rinjtë që u vijnë në ndihmë duke vendosur gjithcka në dispozicion të të dëmtuarve. Kjo tragjedi zhveshi nga propaganda gjendjen e vërtetë të vendit, të Shqipërisë së varfër, të vjedhur dhe abuzuar.

Por sot ky angazhim dhe solidaritet i të rinjve është drita e shpresës që po ndriçon Shqipërinë, është frymëzimi ynë që ta kalojmë si një familje e madhe këtë situatë të rëndë sot e ta nxjerrim së shpejti Shqipërinë nga mjerimi, ta çlirojmë nga kthetrat e korrupsionit që nuk kursen as jetën e qytetarëve e ta bëjmë realitet thirrjen dhe destinin që të rinjtë nisën 29 vjet më parë, Shqipërinë si gjithë Europa.

Nderim përjetë heronjve të 8 dhjetorit 1990 me në krye Azem Hajdarin që u ngritën mbi frikën dhe me kurajo e vizion diktuan rënien e diktaturës dhe lindjen e demokracisë shqiptare. Mirënjohje për çdo të ri që në këto ditë te errëta për vendin, ka ndezur dritën e shpresës dhe solidaritetit kombëtar. Zoti e bekoftë rininë shqiptare dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë!/Opinion.al

Pas