Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch, ka dëshmuar para Komitetit për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve për hetimet ndaj Trumpit.
Gjatë fjalës hyrëse, ajo ka kundërshtuar akuzat që janë bërë në drejtim të saj. Yovanovitch tha se nuk është e vërtetë se ajo iu ka thënë punonjësve të Ambasadës ose zyrtarëve të Ukrainës që urdhrat e Presidentit Trump duheshin injoruar sepse “ai do të fajësohej”.
“Unë nuk e bëra dhe nuk do ta thoja një gjë të tillë. Deklarata të tilla do të ishin në kundërshtim me trajnimin tim si Oficere e Shërbimit të Jashtëm dhe rolin tim si Ambasadore”, tha ajo.
Më tutje ajo theksoi se Rudy Giuliani, avokat personal i presidentit dhe bashkëpunëtorët e tij drejtuan kundër saj një fushatë dezinformimi.
Kujtojmë se Dhoma e Përfaqësuesve po heton nëse presidenti Trump ka abuzuar me detyrën e tij për përfitime personale dhe politike, duke nxitur një qeveri të huaj për të hetuar rivalët e tij politikë. Në veçanti, ata janë duke hetuar nëse Trump, pezulloi 390 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe i kërkoi presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy që të zhvillojë hetime ndaj kundërshtarit të tij të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ish-nënpresidentit amerikan Joe Biden dhe djalit të tij, Hunter./Opinion.al