Emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan, ka trajtuar sot rastin e 59-vjeçarit Fredi Matushi, i cili humbi jetën në një aksident gjatë punës. Atë e zuri mjeti i rëndë brenda kantierit të firmës “Fiama sh.p.k.” në Mollaj të Mallakastrës më 19 prill 2022 në orët e vona të natës. I ndjeri kishte rreth 1 vit që punonte si shofer në këtë subjekt me administrator Arben Lutajn.
Familjarët dyshojnë se shkak për këtë ngjarje ishte leva e mjetit, e cila ishte me defekt, duke bërë që mjeti të humbë kontrollin e për pasojë të përmbyset. Ata thonë se kur kanë shkuar kanë parë që leva ishte hequr, e disa ditë më vonë ishte rivendosur dhe ishin rregulluar edhe frenat.
Këto prova ata i kanë depozituar në prokurorinë e Fierit. Sipas tyre ngjarja është manipuluar. Për më tepër viktima punonte në të zezë. Emisioni “Stop” ka udhëtuar drejt shtëpisë së viktimës, në Boçovë të Fierit dhe ka intervistuar gruan e viktimës.
“Ka ikur djali direkt në morg se i thanë që e ke babain në morg. Ai ka punuar ditën dhe natën, punonte edhe të dielave. Ky ishte i gjithanshëm bënte edhe vinçin, mbante presën që hidhte beton. Më tha jam në punë natën dhe do iki në orën 8:00. I thosha, ik nga ajo punë, nuk i duam ato lekë se ti po vuan, janë makina të vjetra. Burri im ishte i preferuar i tyre. Përveç atyre që e morrën në punë kë të akuzoj unë? Ai iku pa të drejtë”, është shprehur Ndalime Metushi.
Gazetari i emisionit “Stop” kontaktoi me Arben Lutaj administratorin e kompanisë “Fiama”. Ai është përgjigjur se i ndjeri kishte vetëm dy muaj që punote në atë kompani gjë sipas një borderoje të kantierit rezulton e pavërtetë, pasi i ndjeri ka punuar në këtë kompani që në Janar 2022.
Gazetari: Ka qenë i siguruar ky punonjës?
Arben Lutaj: Po, ka qenë i regjistruar në sistemin e Drejtorisë së Tatimeve.
Gazetari: Kur e keni bërë?
Arben Lutaj: Si, kur e kemi bërë? Dy muaj ka punuar, domethënë, mars-prill.
Denoncuesja: Një muaj, apo dy ka Fredi, që ka punuar te ju?
Arben Lutaj: Po, patjetër! Nuk e di, se ku ka punuar.
Gazetari: Zotëri, pse ka ardhur atë natë punonjësi juaj? Çfarë ka kërkuar natën aty?
Arben Lutaj: Tani, të lutem, këto janë deponime, që unë i kam bërë pranë organeve të policisë. Po, ju jeni emision investigativ, shkoni dhe drejtohuni pranë organeve hetimore!
Arben Lutaj: Nuk jam në gjendje t’u përgjigjem asnjë pyetje. Mirupafshim!
Pas komunikimit me administratorin e firmës “Fiama”, emisioni “Stop” u nis drejt inspektoratit të punës në Fier, të cilët nuk kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të parë se çfarë ka ndodhur.
Gazetari: Pyetjet tona janë të drejtpërdrejta: A janë zbatuar rregullat?
Përgjegjësi i Inspektoratit Fier: Jemi në hetim të çështjes. Ne s’jemi njoftuar.
Gazetari: Dakord, ju nuk jeni njoftuar, por një nga rrugët e njoftimit është nga mediat.
Përgjegjësi i Inspektoratit Fier: Po, media. E morëm vesh. Kemi bërë korrespodencën, të gjitha. I jemi drejtuar policisë, policia na ka kthyer përgjigje, është hapur çështja, është në hetim.
Gazetari: Po mirë, ju keni grupin tuaj, apo jo?
Përgjegjësi i Inspektoratit Fier: Po!
Gazetari: Punë tjetër është ajo e policisë, ajo e prokurorisë. Ju tani! Ju çfarë keni bërë?
Përgjegjësi i Inspektoratit Fier: Po pra, jemi në hetim të çështjes.
Gazetari: Ky subjekt ka qenë i rregullt, apo nuk ka qenë i rregullt?
Përgjegjësi i Inspektoratit Fier: Kjo do dalë pas hetimit.
Përgjegjësi i Inspektoratit Fier: Ky rast është…,është ndjekur procedura, sipas…
Gazetari: Po fol pa frikë, se nuk do vrasim njerëz.
Gazetari: Ju keni shkuar në vendngjarje?
Përgjegjësi i Inspektoratit Fier: Po jo, pra, se nuk…Në momentin e ngjarjes nuk kishte një…,sepse ne nuk mund të operojmë pa pasur një NIPT.
Përgjegjësi i Inspektoratit Fier: Na e solli policia këtë gjë.
Gazetari: Po shkuat pastaj më mbas?
Përgjegjësi i Inspektoratit Fier: Po jo pra, atë po them. Është në hetim.
Gazetari: Nuk keni shkruar, pra!
Përgjegjësi i Inspektoratit Fier: Jooo! Si nuk kemi shkuar?
Gazetari: Ka pasur ndriçim? Kushtet teknike si kanë qenë?
Përgjegjësi i Inspektoratit Fier: Do dalin të gjitha gjatë hetimit.
Gazetari: Në raste të tilla, Inspektorati i Punës, me marrjen në dijeni, duhet të shkojë menjëherë në vendin, ku ka ndodhur ngjarja, të bëjë këqyrjen.
Përgjegjësi i Inspektoratit Fier: Pa autorizim nuk vete dot.
Gazetari: Pa cilin autorizim? Me policinë, zotëri. Të vjen policia përkatëse e zonës.
Përgjegjësi i Inspektoratit Fier: I jemi drejtuar policisë…
Gazetari: Po shkova unë vetëm sot me kameramanin. Unë pa shoqërues shkoj dhe nuk shkon Inspektorati i Punës, zotëri?!
Inspektorati i Punës në Fier i është përgjigjur emisionit “Stop” me anë të një dokumenti se nga vlerësimi i gjithë dokumentacionit të paraqitur si nga subjekti dhe nga policia, kanë konstatuar se nuk janë respektuar rregullat e sigurisë dhe të shëndetit në punë./ Tv Klan