Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani ka zhvilluar një vizitë në Shkup të Maqedonisë, e cila përkon me 556 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Ky lajm është bërë i ditur nga vetë ministri Hasani, i cili përmes një postimi në rrjete sociale bën me dije se së bashku me politikanët shqiptarë në Maqedoni Ali ahmeti, Talat Xhaferri, Bujar Osmani, Artan Grubi dhe qindra shqiptarë të Maqedonisë është përulur ndaj figurës së Skënderbeut në shenjë respekti.
Ai ka kujtuar porosinë e Skënderbeut “Bashkimi bën fuqinë”, e cila sipas tij nuk është vetëm porosia e madhe e heroit kombëtar por kryefjala e përpjekjes së përditshme të shqiptarëve në çdo trevë.
“Vizita në Shkup përkon me 556 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, mbrojtësit të vlerave evropiane, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Bashkë me Ali Ahmetin, Talat Xhaferrin, Bujar Osmanin, Artan Grubin e qindra qytetarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut iu përulëm me respekt figurës së njeriut që fitoi vlerësimin dhe respektin e ndërkombëtarëve.
“Bashkimi bën fuqinë”, nuk është vetëm porosia e madhe e Skënderbeut por kryefjala e përpjekjes së përditshme të shqiptarëve në çdo trevë”, shkruan Hasani./Opinion.al