Vera e re në fuçinë e vjetër
Nga Roland Qafoku
Një nga fjalimet historike, i cili është gdhendur me shkronja të arta në historinë e parlamentarizmit shqiptar, është ai i Fan Nolit në vitin 1924. 94 vjet më parë, deputeti prift, artist, poet e shkrimtar dhe me gradën “doktor i shkencave”, në një ligjërim të shkurtër, analizoi me aq mjeshtëri, situatën në të cilën ndodhej Shqipëria e asaj kohe. Shqipëria ishte në anarki totale dhe këtë anarki e ndau në pesë pjesë: anarkia fetare, anarkia morale, patriotike dhe anarkia e idealeve. Po sot, si kanë ndryshuar këto 5 anarki, të cilat Noli i nxori në pah 94 vjet më parë? A janë po ato? A janë zvogëluar apo zmadhuar? A jemi bërë më të mirë apo më të këqij?
T’i marrim me radhë:
ANARKIA FETARE
Tha Fan Noli më 1924:
“Kemi katër fe te ndryshme, që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan”.
Si është situata në vitin 2018
Edhe pse ruhen ende elementë të paganizmit, indiferenca fetare në rastin më të mirë dhe besimi i çuditshëm në rastin më të keq, janë ato që mbizotërojnë besimin fetar sot në Shqipëri. Gjatë Pashkëve, Krishtlindjes, Bajramit të Madh dhe Bajramit të Vogël dhe Sulltan Nevruzit, kishat dhe xhamitë janë plot dhe i gjithë populli shqiptar gëzon e feston si askush, por në realitet shumë pak besojnë. Por që nga viti 1990 deri më sot, statistikat flasin se janë vrarë afro 7 mijë shqiptarë, shumica për një fjalë goje, për një gardh, për një gërvishtje makine. Babai vret të birin, djali vret babanë, burri vret gruan dhe gruaja burrin. Nëse feja do të ishte sadopak në dejet e njerëzve, askush nuk do vriste njeriun e familjes. Në një raport të Departamentit të Shtetit besojnë në Zot dhe praktikojnë rregullisht ritet e katër feve, vetëm pak më shumë se 50 për qind e shqiptarëve. Pjesa tjetër e popullsisë nuk beson, por ama nuk i ka penguar të mos lënë pa i shijuar festat fetare. Kjo ka sjellë që edhe cilësia e harmonisë fetare, në disa raste, të duket e brishtë. Prishja e një kryqi katolik apo i një simboli mysliman, ndonëse janë raste sporadike, lënë shijen e një shoqërie kaotike që nga njëra anë trumbeton harmoninë fetare dhe nga ana tjetër, bëhet inkandeshente ndaj simboleve fetare.
ANARKIA SOCIALE
Tha Fan Noli më 1924:
Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqish, as klasë burzhuazie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu më bujk se bujku. Kemi një shembull të bukur për Partinë Popullore, e cila sot mbahet në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve”.
Si është situata në vitin 2018
Ndarja në klasa vazhdon të mos ekzistojë edhe në vitin 2018. Edhe sot nuk ka më klasë bujqësish dhe klasë borgjezie. Edhe sot, një fshatar është më qytetar se ai që banon në qytet dhe një qytetar është më fshatar se ai që banon në fshat. Sot nuk kemi ende ndarje të shtresës të lartë, shtresë të mesme dhe shtresë të ulët. Ndarja e vetme në shtresa, është vetëshpallja si e tillë. Ai që ti e mendon se është shtresë e lartë, sillet më i ulët se ai i shtresës së ulët dhe anasjelltas. Dikush që zotëron makinën e fundit në qarkullim, nuk e ka problem të flakë nga dritarja e kësaj makine luksi, lëkurën e bananes të sapongrënë dhe një i varfër që nuk ka mundësi ekonomike, tregohet më me edukatë se ai. Një i pasur sot, mund të gdhihet i varfër dhe një i varfër, mund të gdhihet lehtësisht i pasur.
ANARKIA MORALE
Tha Fan Noli më 1924:
“Këtu qeni nuk e njeh të zonë. Këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë nga dita në ditë, si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.
Si është situata në vitin 2018
Asgjë nuk ka ndryshuar. Në Shqipëri, marrëdhëniet më delikate janë ato mes një pronari dhe të punësuarit të tij, marrëdhëniet shef dhe vartës, i ditur dhe i paditur, i madh dhe i vogël. Këtu të gjithë mendojnë se janë të mëdhenj. Nuk ka shqiptarë të vegjël, të paditur, të pamësuar. Këtu të gjithë i dinë të gjitha. Nëse dikujt i drejtohet një mikrofon, ai e nis me fjalët: Po të isha unë president dhe kryeministër, do ta bëja kështu këtë punë. Ambiciet vazhdojnë të jenë të pafré e pakufi. Ambiciet janë shumë herë më të mëdha, se sa vlen realisht dikush. Këtu i padituri i di të gjitha. Çdokush flet në ekranin e televizionit për gjithçka dhe gjithë-logët janë klasa e vetme e sofistikuar. Këtu i pazoti ndjehet i zoti për të gjitha; imoraliteti shitet për moral; i përdali dhe e përdala flasin për rregullat e shoqërisë, japin leksione se si duhet të sillemi, si duhet të vishemi dhe si të krijojmë familje. Këtu politikani dhe njeriu publik, braktis familjen, braktisin fëmijën, por ai vazhdon të jetë i nderuar. Këtu gazetari nuk ka turp që shet, blen lajmet dhe integritetin profesional. Ky turp, jo vetëm nuk njihet, por disa janë gati ta kërkojnë zyrtarisht, ta heqin fjalën turp nga fjalori i gjuhës shqipe
ANARKIA PATRIOTIKE
Tha Fan Noli më 1924:
“Këtu, brenda një dite, si për magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë, të kapërdisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë luftuar për harfet dhe përflamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar të shenjtërojnë anë e mbanë Toskërinë. Këtu, si më thoshte një mik, është më mirë që njeriu të jetë tradhëtar e të shikojë interesat e tij, sepse kështu do të jetë i sigurtë që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh”.
Si është situata në vitin 2018
Vazhdon ende që tradhtari të proklamohet si patriot i madh. Politikanë që i kanë vënë zjarrin Shqipërisë, që janë tallur me këtë vend, e kanë rrjepur deri qindarkën e fundit, janë vetëfutur në histori si personazhe që i kanë ndryshuar faqen këtij vendi. Këtu çdo politikan e akuzon aq lehtë kundërshtarin politik si tradhtar, por për vete nuk ka rëndësi nëse ka grabitur, vjedhur, e deri shitur Shqipërinë. Secili në Shqipëri mendon se është patrioti më i madh që ka ekzistuar mbi këtë tokë. Të gjithë liderët politikë e krahasojnë veten me Skënderbeun, sepse Ismail Qemali për ta, doemos është shumë poshtë tyre. Patriotët e vitit 2000, mendojnë se po të ishin ata në vend të Ismail Qemali Vlorës, 28 nëntorin e vitit 1912 do ta kishin organizuar ndryshe. Po të ishin ata në Luftën e Vlorës më 1920, do kishin luftuar ndryshe. Po të ishin në vend të mbretit në 7 prill 1939, nuk do ishin arratisur. Po të ishin ata, historia do shkruhej më bukur. Dielli lind dhe perëndon kur ata duan. Ata vetë janë dielli. Ata që janë rreth tyre, vërtetë e besojnë këtë.
ANARKIA E IDEALEVE
Tha Fan Noli më 1924:
“Këtu idealet e shtrëmbëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit të Buhares, përfyten e përleshen për jetë a vdekje me idealet e gjalla, më elegante e më të ndritshme të Perëndimit. Na mungojnëvetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre, kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten në plagët e
infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpusha që mund t’i copëtosh, por jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë. Herodi tregon se, në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë e atëherë e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atëherë e kapi me dhëmbë e s’e lëshoi, gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi, përsëri do shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i çqitesh këta tanët nga kolltuku, duhet t’i presësh jo vetëm duart e kokën, por edhe këmbët dhe trupin!”
Si është situata në vitin 2018
Idealet vazhdojnë të jenë të shtrembërta. Shqiptarët nuk e kanë problem të protestojnë, deri me armë, kur i thërret kryetari i partisë, por nuk lëvizin nga vendi kur nuk kanë drita, kur nuk kanë ujë, kur u rriten taksat dhe kur shteti u prish shtëpinë. Në Shqipërinë e sotme të gjithë synojnë të jenë në pushtet, të punojnë në shtet dhe ta trajtojnë postin që kanë, si pronë private. Asnjë politikan nuk e çon nëpër mend të ikë nga politika. Postin dhe detyrën shtetërore e kapin me dorën e djathtë dhe me dorën e majtë, sepse askush nuk ia ka prerë duart, as këmbët e as trupin.
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”