Aktualitet

“21 Janari” si kurban për Reformën në Drejtësi



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 13:44 - 30/04/16 |
b.f

Nga Andrea Stefani /  Përse pas një zvarritjeje skandaloze disavjeçare Gjykata e Lartë (që në fakt meriton të stigmatizohet “Gjykata e Ulët”) rrëzoi rekursin e prokurorisë duke e groposur përfundimisht shpresën për ndëshkimin e fajtorëve për masakrën e “21 janarit” nga një drejtësi shqiptare? Por më kryesorja, përse një vendim i tillë skandaloz, që me të drejtë të afërmit e të vrarëve e quajtën si një vrasje të dytë për të dashurit e tyre, u mor pikërisht tani kur pritet finalizimi i reformës në drejtësi? Mos kemi të bëjmë me një rastësi? Apo me një domosdoshmëri të diktuar nga interesa politike dhe aspak nga fryma e së drejtës? Kjo e fundit na duket më e mundshme. Se a mund të besohet që vendimi për një dosje kriminale, me kaq interes për politikën e lartë, të jetë marrë jashtë vëmendjes dhe ndikimit të politikës së lartë? Po të qe e vërtetë një gjë e tillë, atëherë duhet të pranojmë se në Shqipëri ekzistojnë gjykata të pavarura nga politika dhe, për rrjedhojë, nuk do të kishim fare nevojë për një reformë në drejtësi. Atëherë çfarë mund të ketë ndodhur?

Mënyra se si funksionojnë prej 26 vjetësh gjërat në Shqipëri, të shtyn të dyshosh që pas vendimit të Gjykatës së Lartë për 21 janarin, qëndrojnë vullnete jo vetëm të segmenteve politike brenda vendit por edhe të ndërkombëtarëve. Në një konsensus të pashpallur mes tyre.

Dihet se një çështje si 21 janari ka qenë një nga pengesat kryesore që Berisha, Basha dhe klani i tyre, të jepnin miratimin për reformën në drejtësi. Sepse ata e dinë fare mirë që nesër, në kushtet e ekzistencës së prokurorëve, gjykatësve dhe gjykatave që as nuk janë pjellë prej tyre me “kurse plepash” dhe as nuk janë më nën shërbimin e tyre, do ta kishin shumë të vështirë, në mos të pamundur, të dilnin të palagur për krimin e 21 janarit. Në këto kushte as Berisha dhe as Basha nuk mund të japin konsensusin për reformën në drejtësi. Që të shtoheshin shanset për finalizimin e reformës në drejtësi duhet të mbyllej 21 janari.

Prandaj, ekzistojnë të gjithë dyshimet e mundshme që jo vetëm e djathta berishiste (e etur që Berisha e Basha të dalin të palagur nga krimi i vrasjes së qytetarëve para syve të tyre nga gardistët e tyre) por edhe e majta në pushtet (mjaft e etur për finalizimin e reformës më tepër si vitrinë për hapjen e negociatave me BE) të kenë lobuar pranë Gjykatës së Lartë në favor të një vendimi të ulët si ky që sapo dëgjuam se është marrë nga kjo gjykatë. Nuk përjashtohet mundësia që një lloj ndikimi mbi Gjykatën, pra për të bërë kurban “21 janarin” në emër të reformës në drejtësi, të kenë ushtruar edhe ndërkombëtarët. E them këtë sepse, siç është parë fare qartë, një nga shqetësimet e tyre muajt e fundit ka qenë se si ta kandisin Sali Berishën, liderin real të PD, të japë dakordësinë e tij për reformën në drejtësi. Dhe nuk është e para herë që ndërkombëtarët kanë bërë pelivanllëqe të tilla, aspak në përputhje me parimet e demokracisë liberale që aplikohet në vendet e tyre. Por, duket ata ja kanë lejuar vetes të aplikojnë në mënyrë krijuese parimet e demokracisë në realitetin kapriçioz dhe te kriminalizuar shqiptar ashtu si, dikur, diktatori Hoxha zbatonte në mënyrë krijuese marksizëm-leninizmin. Të tillë pazare të paprincipta janë kurorëzuar nën monitorimin e tyre, madje edhe të Komisionit të Venecias të instruktuar prej tyre, edhe në rastin e deformimit të Kushtetutës në vitin 2008.

Paradoksi në gjithë këtë histori, dhe kjo tregon se sa mbrapsht dhe ta kalbura janë punët në Shqipëri, është se te një vendim skandalisht i padrejtë për masakrën e 21 janarit, duket se janë mbështetur shpresat e shumë palëve për reformën në drejtësi. Ashtu si në themelet e kështjellës së Rozafës u sakrifikua një grua që muret të qëndronin, ashtu edhe në themelet e reformës por sakrifikohet drejtësia për 21 janarin. Dhe a mund të qëndrojnë muret e drejtësisë mbi themele padrejtësie?

Një tjetër enigmë është: A do të mundin ndërkombëtarët dhe pushtetarët ta kandisin Berishën të japë OK për reformën në drejtësi tani që toleruan si kurban 21 janarin? Kam përshtypjen se Berisha është tepër i rrahur me vaj e me uthull për të ngrënë një karrem të tillë. Ai i lejon edhe kundërshtarët e tij të investohen për një vendim gjykate që atij i intereson. Sepse kur dalin pa u lagur gjeneralët dhe ushtarët e masakrës së 21 janarit, përse do lagen udhëheqësit e saj? Por kur të vijë puna që të vendosë për reformën në drejtësi, Berisha do të ndjekë instinktin e tij. Dhe ky instinkt, siç kanë provuar edhe këta muaj por edhe 26 vjet, e bën të thotë “jo”! Dhe do të thotë JO deri në fund, duke sajuar lloj-lloj konfliktesh dhe bojkotesh edhe pse për ta kandisur, politikanë, gjykatës dhe diplomatë, ringritën nga balta dhe vranë të rënët e 21 janarit!

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

    Pas