Viti që po lëmë pas ka qenë i mbushur me ngjarje të aktualitetit dhe përplasje të forta politike. Bazuar në lajmet më të klikuara në Opinion.al, përgjatë 12 muajve, ne kemi renditur sipas kronoligjisë 15 ngjarjet që morën më së shumti vemendjen e opinionin publik gjatë 2018-ës.
28 Shkurt- Kapet në portin e Durrësit sasia më e madhe e kokainës sekuestruar ndonjëherë në vendin tonë. Plot 613 kilogram kokaine, e cila në treg mund të kap një vlerë prej 180 milion eurosh. Droga e cila kishte ardhur nga Kolumbia u gjet e fshehur në kontenierët që transportonin banane. Që nga ajo kohë e deri më sot në pranga kanë rënë vetëm dy punëtorë, shoferi i kamionit dhe menaxheri i kompanisë Arbri Garden. Ndërsa pronari i kësaj kompanie në adresë të së cilit ishte nisur lënda narkotike u arratis në Gjermani. Ai është kapur nga policia gjermane dhe nuk është ekstraduar në Shqipëri, pasi me gjasë po bashkëpunon me autoritet atje.
31 mars – U organizua protesta e banorëve të Kukësit kundër tarifës prej 10 euro në Rrugën e Kombit. Protesta qe e dhunshme dhe u dogjen sportelet e kompanisë private. Shumë protestues u arrestuan e u dënuan.
5 Prill- Opozita e cila ka bërë thirrje për mosbindje civile bllokon për 2 orë akset kryesore rrugore. Qeveria nga ana e saj kërkon ndjesë dhe bën një tërheqje. “Ne nuk do të fillojmë sistemin e pagesës pa dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme për atë zonë”, deklaron zoti Rama nga salla e parlamentit. Kjo çështje do të mbajë tensionet e ndezura dhe një javë më pas, kur deputetët e opozitës do të lëshojnë miell e vezë drejt podiumit ku ndodhen të ulur kryeministri dhe anëtarët e kabinetit qeveritar. Pas një serie konsultimesh me banorët, Qeveria prezanton më 22 Qershor tarifat e reduktuara të cilat do rimbursohen nga shteti.
14 Maj- Partia Demokratike publikoi një audio-përgjim sipas të cilit, vëllai i ministrit të Brendshëm, Agron (Geron) Xhafaj vijon të trafikojë drogë në Vlorë. Kjo mund të themi se ka qenë çështja më e nxehtë e politikës për vitin 2018 për shkak edhe të kohës së madhe që mori për afro 6 muaj debate e akuza. Opozita kërkoi shkarkimin e ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafaj dhe arrestimin e të vëllait. Asnjëra nga këto nuk ndodhi. Agron Xhafaj nxitoi të shkruante një letër publike dhe të largohej drejt Italisë për të vuajtur dënimin, 15 vite pasi ishte larguar nga Italia pikërisht për ti shpëtuar këtij dënimi. Sipas PD, Xhafaj kishte ndryshuar ligjet për të mos ekstraduar të vëllanë dhe ky i fundit vazhdonte i gjetë aktivitetin krimal të trafikut të drogës në Vlorë.
Kryeministri Rama, mori përsipër të tregonte se audio-përgjimi nuk ishte autentik dhe se zëri nuk ishte i Agron Xhafajt. Të njëjtën rrjedhë morën edhe hetimet. Në shtator prokuroria vendosi të dënojë personat që sipas saj kishin bërë manipulimin.
Përkatësisht Fredi Alizoti që sipas prokurorisë ka bërë rolin e Agron Xhafajt dhe Albert Veliu (Babale) që kreu inçizimin ky i fundit ka kërkuar azil në Kosovë). Po kështu në gjendje të lirë janë hetuar dhe deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi. Pas gjithë kësaj beteje të fortë politike, opozita arriti si “trofe” largimin e vëllait të ministrit për të vuajtur dënimin në Itali, ndërsa Xhafaj qendroi në detyrë deri në tetor.
5 Korrik- Një tjetër protestë kishte nisur të ziente në Tiranë që në Mars dhe qendroi aktive deri në fund të vitit. Bëhet fjalë për protestën e artistëve kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Më 12 Mars Rama prezanton projektin duke e bërë fakt të kryer shembjen e godinës aktuale të teatrit. Çështja merr përmasa të forta dhe politike dhe më 28 Mars, në Komisionin për Edukimin zhvillohet një përplasje e fortë mes ministres së Kulturës Mirela Kumbaro dhe përfaqësuesve të opozitës. Protestat e artistëve nuk ndërpriten. Sikundër dhe qeveria nga ana e saj, vijon e pashqetësuar, duke hartuar një ligj të posaçëm, i cili më shumë se sa për ndërtimin e Teatrit të ri duket se është qepur sipas projektit të kompanisë private që do të ngrejë dhe godinat shumëkatëshe.
Ndërsa situata tensionohet, në mes të Qershorit, në lojë do të futet dhe kryebashkiaku Veliaj. Ligji kalon më 5 Korrik, teksa para parlamentit protestohej. Presidenti Meta kthen ligjin në fund të korrikut. Në Shtator përmes një letre Komisioni europian kërkon hapjen e një gare. Socialistët e pranojnë, duke bërë ndryshime në ligj, por e gjitha duket të jetë një fasadë, pasi asnjë konkurrent tjetër nuk plotëson të paktën kushtin që të marrë miratimin e të gjithë pronarëve të truallit, pra të marrë leje dhe nga kompania Fusha. Protesta e artistëve dhe shoqërisë civile ia doli që sa paku deri në fund të vitit të mos ndërmerret asnjë veprim për shembjen e teatrit.
10 Gusht- Ndodhi masakra më e madhe familjare e shënuar ndonjëherë në Shqipëri. Në fshatin Resulaj, Selenicë, Ridvan Zykaj për motive banale ka vrarë me armë zjarri 8 persona nga dy familje te fisit Zykaj. Mes viktimave ishin një vajzë 17 vjece dhe një djalë 9 vjec. Ngjarja teper e rëndë preku mbarë opinionin publik.
26 Shtator- Gazetari Basir Çollaku publikoi një skandal me përmasa të mëdha që mbajti të tensionuar politikën për afro një 1 muaj. Djali i deputetit, Rrahman Rraja kishte dhunuar të dashurën e tij Xhisela Maloku dhe për këtë ngjarje ishte detyruar të arratisej nga vendi oficeri i policisë së Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu. Vetë Nuhu në një invertistë deklaroi se ishte kërcënuar në zyrën e tij nga Rraja, Artur Bushi dhe Taulant Balla. Çështja mori përmasa të mëdha dhe nisën një sërë hetimesh, mes tyre edhe hetimi për shpifje në bazë të një denoncimi të Taulant Ballës. Rama nuk pranoi të largojë deputetin e tij, edhe pse presioni i opozitës ishte i madh. Djali i deputetit, Rraja u arrestua dhe u dënua. Për shkak të gjykimit të shkurtuar ai pritet të lërë burgun këto ditë. Sakaq e reja Xhisela Maloku u kthye në një personazh telenovele, duke mohuar në çdo televizion dhunën e ushtruar nga ish-i dashuri i saj, edhe pse dhuna ishte vertetuar nga mjekësia ligjore.
4 Tetor- Plumbat kërcasin në zemër të Tiranës. Ngjarja njihet si masakra e Bllokut. Rreth orës 21:30 të asaj nate përplasen me armë në lokalin “Monopol” dy grupe përkatësisht grupi i Ervis Martinaj dhe Ervin Matës. Ky i fundit është në një lidhje me këngëtaren e njohur Elvana Gjata. Nga të shtënat mbeti i vdekur miku i Ervis Martinajt, Fabian Gaxha. Në fillim u fol se sherri kishte ndodhur për këngëtaren e njohur por më pas hetimet u përqendruan tek përplasja e grupeve për pazaret e prishura të drogës. Për këtë ngjarje janë disa persona nën hetim nga prokuroria, ndërsa Ervin Mata dhe komandoja Marvjol Bilo janë ende në arrati. Fill pas kësaj përplasje për përgjakshme, kryeministri Rama mori vendimin drastik për të mbyllur lojërat e fatit, ku një ndër biznesmenët kryesorë të euro-lloteve është Ervis Martinaj.
21 Tetor- E diela e 21 tetorit nuk ka qenë një ditë e zakontë në vend. Me qindra forca policie ushtruan kontrolle në gjithë vendin, ku në pranga ranë dhe dy ish-deputetë, Arben Ndoka dhe Arben Cuko. Ishin prerë në total 44 urdhër-arreste ku në shenjestër ishte banda e Shijakut, familja Avdylaj e cila dyshohet se ka trafikuar ndër vite sasi të mëdha droge. Në kuadër të këtyre hetimeve u zbulua dhe një laborator heroine në Has të Kukësit. Emrat e dy deputetëve kishin dalë në përgjime, ndërsa “niçja” një nga anëtarët e bandës kishte folur në telefon edhe me kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Opozita akuzoi se Dako ka marrë votat me këta banditë, por ndaj tij nuk nisi proces hetimor. Vetëm 6 ditë pas këtyre arrestimeve të bujshme dha dorëheqjen ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Largimi i tij do të mbetet enigmë, pasi ai vetë nuk e tregoi asnjëherë motivin e largimit, edhe pse më parë i kishte shpëtuar ciklonit të opozitës për çështjen e të vëllait.
28 tetor – Forcat RENEA vranë në një shkëmbim zjarri minoritarin grek Kostandinos Kaçifa, 35 vjeç. Ngjarja e Bularatit kulmoi në varrimin e Kacifas, ku nacionalistët grekë hodhën parrula e thirrje kundër Shqipërisë në tokën tonë. Kjo ngjarje shkaktoi reagime të shumta në Shqipëri dhe Greqi.
1 Nëntor- Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka terhequr shumë vemendjen e opinionit publik për më shumë se 1 vit. Lajmet për të janë gjithnjë ndër më të lexuarat. Më 1 Nëntor ai doli në një konference të paralajmëruar ku tha se ka marrë nje vertetim nga drejtësia italiane se nuk është i përfshirë në bandën e Habilajve. Por gjithsesi hetimet për të në Shqipëri po vijojnë që prej tetorit të 2017. Saimir Tahiri ka deklaruar gjithnjë se nuk ka patur lidhje me drogën e kushërinjve të tij. Ai ka qenë i sulmuar nga opozita përgjatë gjithë vitit që lamë pas, ndërsa në Kryeministri Edi Rama akuzohet se vazhdon ta mbështesë Tahirin, për sa kohë e emëruara prej tij në prokurori nuk ka vendosur ende për ta çuar në bankën e të akuzuarve. Ndërsa Sali Berisha dhe eksponentë të PD thonë se Tahiri e shantazhon, Ramën, Xhafën, etj përmes materiale filmike që ka për njerëzit e tyre.
3 Nëntor- Që prej fillimit të nëntorit banorët që preken nga projekti i Unazës së Re protestojnë në mënyrë të përditshme. Janë mbi 300 objektet, ndërtesa banimi e shërbimi, të cilat do të duhet të shemben. Më shumë se gjysma e tyre janë në proces legalizimi. Partia Demokratike është qartazi e rreshtuar në krah të tyre dhe ka folur për një projekt abuziv dhe një garë korruptive në përzgjedhjen e kompanive fituese. Media zbuloi se kompania DH Albania, e paraqitur si filial i një shoqërie amerikane ka falsifikuar të gjithë dokumentat. Përveç 18 milion eurove për Unazën e Re ajo ka fituar dhe një garë tjetër 12 milion euroshe për një projekt energjitik. Autoritetet anullojnë tenderin. Ndonëse kompania është rregjistruar nga një 26 vjeçar i panjohur, një seri të dhënash ngritën dyshime të forta se pas tenderit qendron biznesmeni i njohur Bashkim Ulaj.
13 nëntor- Merr fund saga “Shullazi”. Ai dhe banda e tij dënohen me burg. Hetimet për Shullazin zgjatën afro dy vite dhe u shoqëruan dhe me akuza të forta politike. Prokuroria kërkoi në total 64 vite burg për bandën e Shullazit, ndërsa për vetë kreun e saj, Emiljano Shullazi 17 vite burg. Ky vendim i gjykatës së krimeve të rëndë u përshëndet nga Ambasada Amerikane dhe BE. Por më herët në muajin shtator pati dhe një përplasje mes prokurorëve të Krimeve të Rënda. Pas debatit për hedhjen me short të prokurorëve, Arta Marku vendosi të transferojë në rrethe disa prokurorë që nuk i ishin bindur urdhërit të saj për të marrë përsipër këtë dosje.
4 Dhjetor – Nisi protesta e studentëve të universiteteve publike në Shqipëri. Protesta kulmoi më 7 Dhjetori kur afro 40 mijë studentë rrethuan Ministrinë e Arsimit. Ata hartuan një peticion me 8 pika dhe nuk pranuan dialog me Kryeministrin por plotësim pa kushte të kërkesave të tyre. Protesta e studentëve mori një vemendje të madhe mediatike dhe mund të themi pa frikë se është ngjarja kryesore e vitit. Protesta u ndërpre në fund të dhjetorit por studentët kanë premtuar se do kthehen sërish në janar. Kjo protestë çoi në ndryshime radikale në kabinetit qeveritar. Kryeministri Rama hoqi 7 ministra për ti zëvendësuar me zv.ministra apo drejtor drejtorish.
28 Dhjetor- Nga Asambleja e PS Kryeministri Edi Rama njofton se do të largojë nga kabineti minitsren e Arsimit, Lindita Nikolla, të Financave Arben Ahmetaj, të Energjisë Damian Gjiknuri, ministrin e Jashtëm Dimtir Bushati, të Bujqësisë, Niko Peleshi, të Kulturës, Mirela Kumbaro, të Sipërmarrjes Sonila Qato dhe zv/Kryeministren, Senida Mesi. Ndër të tjera, Rama tha se “nuk mund të presim më gjatë që të marrim mesazhet dhe mësimet nga protesta e studentëve. Ju ftoj që ndryshimin e qeverisë ta shikoni si pjesë e një reflektimi dhe kapërcim të domosdoshëm për ta kthyer këtë mandat në mandatin e rezultateve që do na çojnë në fitoren e mandatit të tretë”.
Përmbledhja nga Opinion.al