Në vorbullën e akuzave dhe kundërakuzave që u shfaqën në valën e 11 Shtatorit dhe të luftës në Irak, binte shumë në sy mungesa e dëshmisë jetike të një njeriu. Me sinqeritet dhe emocion, Në syrin e ciklonit rrëfen kohën e Xhorxh Tenetit në Agjencinë Qendrore të Informacionit, një vështrim zhbirues në punët e brendshme të organizatës më të madhe inteligjente në botë gjatë kohës më të vështirë të historisë së viteve të fundit. Me një njohje të pashoqe, si të skalioneve më të larta të qeverisë dhe informacionit të gjallë nga terreni, Teneti ndriçon përpjekjet tepër të sakta të CIA-s për të përgatitur vendin kundër kërcënimeve të reja dhe vdekjeprurëse, shkoklavit ngjarjet e ngatërruara që çuan te 11 Shtatori, ndërsa ofron informacion të ri shpërthyes mbi diskutimet dhe strategjitë që kulmuan me pushtimin amerikan të Irakut.
Duke filluar me emërimin e tij si Drejtor i Informacionit Qendror në vitin 1997, Teneti shpalos ngjarjet shumë të rëndësishme që çuan te 11 Shtatori, ashtu siç i pa dhe përjetoi ato: shpalljen nga ana e tij të luftës me Al-Kaedën; operacionet e maskuara të CIA-s në Afganistan; planin operativ mbarëbotëror për të luftuar terroristët; paralajmërimet e tij drejtuar zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë për sulmet e afërta kundër interesave amerikane në verën e vitit 2001; si dhe planin për bashkërendimin dhe kundërsulmin shkatërrues kundër al-Kaedës që u skicua vetëm gjashtë ditë pas sulmeve.
Rrëfimi imponues i Tenetit i kthehet pasandaj luftës në Irak, ndërsa jep një pamje dramatike nga brenda dhe në sfond të pushtimit që po afronte me shpejtësi, përfshi një përshkrim autentik për mbetjet radioaktive nga futja e “gjashtëmbëdhjetë fjalëve” në fjalimin e presidentit drejtuar Kongresit në vitin 2003, të cilat pohonin se Sadam Huseini kishte kërkuar të blinte uranium nga Afrika; si dhe rolin e rëndësishëm i CIA-s në një administratë të gatshme për ta futur vendin në luftë. Kështu, me këtë vepër, ai rrëfen ashtu siç duhet për operacionet e CIA-s dhe u tregon lexuesve se e vërteta është më komplekse sesa thuhet në variante të tjera të historisë më të re të ofruar gjer më tani.
Përmes gjithë këtyre episodeve, Teneti pikturon një autoportret të padyshimtë, të kapur midis forcave kundërshtuese të procesit vendimmarrës të administratës, tufës së madhe të informacioneve të frikshme që vinin aty nga e gjithë bota, si dhe vetëdijes së tij. Në librin Në syrin e ciklonit, Xhorxh Teneti vozit në përvojën e tij të pashoqe brenda pasqyrës së padepërtueshme të inteligjencës dhe jep informacion vendimtar të panjohur më përpara për të ofruar një portretizim prekës dhe të paparë si të një njeriu, ashtu edhe të një vendi në kohë krizash.
Afrimi i stuhisë
Sulmet e 11 Shtatorit mbizotëruan aq shumë në vetëdijen kombëtare, saqë është e vështirë të kujtosh se ishte një kohë, jo shumë kohë më përpara, kur terrorizmi në përgjithësi dhe lufta kundër terrorit në veçanti dukeshin tepër të largëta nga jeta jonë. Për shumicën e amerikanëve, para 11 Shtatorit, terrorizmi ishte diçka që ndodhte “tepër larg”. Po, ai do të shfaqej tek-tuk nëpër titujt kryesorë – për shembull, në fillim të viteve ’80, kur u bombarduan kazermat e Marinës dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Liban – por thuajse po aq shpejt ngjarja do të largohej nga vëmendja.
Për mua, terrorizmi ishte një temë mbizotëruese jo vetëm gjatë shtatë viteve të mia si Drejtor i Shërbimit Inteligjent, por edhe më përpara, gjatë punës sime si zëvendësdrejtor i CIA-s. Nuk pretendoj ndonjë parandjenjë të veçantë. Por ju thjesht nuk mund të uleni atje ku kam qenë ulur unë dhe të lexoni çfarë kalonin përmes tryezës sime në një ritual të përditshëm, dhe të jeni diçka më shumë se i frikësuar për vdekje nga ajo çfarë parathuhet.
Nën sipërfaqen e botës fondamentaliste islamike, urrejtja për Perëndimin ruan ngrehina të tëra për arsye të panumërta. Ne mund ta shohim atë duke iu afruar. Mund t’i shohim ata që janë përpjekur të shfrytëzojnë këtë armiqësi idiote dhe ta kthejnë atë në favor të tyre. Dhe ne luftuam fuqishëm çdo ditë të gjenim rrugët për ta parandaluar ose shmangur shpërthimin që po vinte.
Lufta nuk filloi me mua. Me shpresën e një teknike të re për të forcuar burokracinë tonë, që ajo të përqendrohej në rreziqet e fshehta specifike që po përvijoheshin më 1996, drejtori i atëhershëm i CIA-s, Xhon Dojçi, mori nga fondet e kufizuara në buxhetin e shtrënguar të shërbimit të fshehtë dhe, si një eksperiment, krijoi atë që ne e quajtëm “stacionet virtuale”. Ideja ishte për të krijuar njësitet brenda Shteteve të Bashkuara, që do të vepronin sikur të ishin një operacion i përtej detrave. Ato do të vendoseshin ndaras, larg nga ndërtesat e selisë sonë dhe do të përbëheshin nga një numër i vogël njerëzish, nëpunës analistë dhe operacionalë, që do të përqendroheshin në një çështje të vetme.
Siç u pa, vetëm një qendër e tillë u ngrit. Çështjen që përzgjodhëm për ta testuar e quajtëm “Lidhjet Financiare Terroriste” (“Terrorist Financial Links”). Njësia mbajti akronimin TFL për njëfarë kohe, por nuk kaloi shumë kohë dhe ajo mori një kuptim më të gjerë se kaq.
Emri atëherë i panjohur “Usama bin Laden” ishte shfaqur në qarkullimet e shërbimit të fshehtë. Bin Ladeni ishte djalë i vetëm i gruas së dhjetë të një manjati saudit të pasur ndërtimesh. Në fillim të viteve ’90, Agjencia kapi gjurmët e Bin Ladenit në lidhje me financimin e lëvizjeve të tjera terroriste. Ata nuk e dinin me saktësi se ç’ishte ky mërgimtar saudit që jetonte në Sudan, por dinin që nuk ishte i mirë. Në fillim të vitit 1993, dy vjet para se unë të vija në krye të CIA-s, Agjencia e kishte deklaruar Bin Ladenin si një mbështetës të fuqishëm financiar i lëvizjeve terroriste islamike. Ne e dinim se ai ishte duke financuar përgatitjen paramilitare të militantëve besimtarë arabë në vende të tilla, si Bosnja, Egjipti, Kashmiri, Jordania, Tunizia, Algjeria dhe Jemeni.
UBL, sikurse filluam ta thërrisnim atë, ishte vetëm një nga shumë rastet e drejtimit shqetësues në terror. Kërcënimet afatgjata të Hezbollahut, Hamasit, Xhihadit islamik egjiptian dhe duzina grupesh të tjera të pakënaqura konkurronin me të për vëmendje, por nga mesi i dekadës, UBL ishte fytyra dhe qendra e ekranit të radarit të Agjencisë. Në mars të vitit 1995, për shembull, hetuesit pakistanezë njoftonin se Remzi Josifi, organizatori i shpërthimit të bombave në Qendrën Botërore të Tregtisë, më 1993, i cili sapo ishte kapur në Islamabad, kishte kaluar vitet e fundit një kohë të gjatë, në shtëpinë e Bin Ladenit, të rezervuar për miqtë në Peshauar.
CIA kishte paralajmëruar sulmin
Në dëshminë e hapur publike, në shkurt të vitit 1997, unë i thashë Kongresit: “Ndërsa masat tona kundër terrorizmit janë përmirësuar, grupe ndërkombëtare janë duke zgjeruar rrjetet e tyre, duke përmirësuar aftësitë dhe sofistikimin e tyre dhe po punojnë për të ndërmarrë sulme të tjera të jashtëzakonshme”. Në janar të vitit 1998, në një tjetër seancë të hapur, theksova se “kërcënimi ndaj interesave dhe qytetarëve të Shteteve të Bashkuara në mbarë botën mbetet i lartë… për më tepër, ka pasur një prirje në drejtim të shtimit të sulmeve vdekjeprurëse, sidomos kundër objekteve civile… Një sërë zhvillimesh të fundit flasin për shtim të rrezikut ku individë dhe grupe do të godasin interesat e Shteteve të Bashkuara”.
Dhe, si për të përforcuar pikëpamjen time, një muaj më vonë Bin Ladeni lëshoi një tjetër fetva, atë ku deklaronte se të gjithë myslimanët e kanë për detyrë fetare të “vrasin të gjithë amerikanët dhe aleatët e tyre, si civilë edhe ushtarakë” në mbarë botën. UBL e përforcoi atë deklaratë me një intervistë në media, në të cilën shpjegonte se të gjithë amerikanët ishin objektiva legjitimë për t’u goditur, sepse ata i paguanin taksa qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Një nga “Përmbledhjet e Përditshme”, të përgatitur për Presidentin Klinton, më 4 dhjetor të vitit 1998, ishte titulluar “Bin Laden përgatitet të rrëmbejë avionët amerikanë dhe të kryejë sulme të tjera”. Midis 1 prillit të vitit 2001 dhe 11 shtatorit të vitit 2001, rreth njëqind e pesë përmbledhje të shërbimit të fshehtë iu dhanë drejtuesve të linjave ajrore. Këto raporte ishin bazuar mbi informacionet e marra nga bashkësia inteligjente. Thuajse gjysma e këtyre përmendte al-Kaedën, Usama bin Ladenin ose të dy.
Mjerisht, edhe kur paralajmërimet tona u dëgjuan, në rrafshin e brendshëm u bë pak për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga kërcënimi. Për të përmendur dy dështimet e para dhe tragjike, dyert e kabinave u përforcuan vetëm pas 11 shtatorit dhe udhëtarëve iu ndaloheshin mjete prerëse në bordet e linjave ajrore tregtare amerikane…
Më 18 dhjetor të vitit 2000, kur kishte dhe një muaj afat për administratën, unë i shkrova sërish Presidentit dhe përfaqësuesve të burokracisë virtuale të krejt sigurisë kombëtare:
Javët që do të vijnë, kanë për të sjellë një rrezik në rritje të sulmeve mbi interesat e vendit tonë, nga një ose më shumë grupe terroriste të Lindjes së Mesme… Besueshmëria e kërcënimeve të raportuara është rritur dukshëm muajt e fundit, sidomos për sa i përket planeve të organizatës së Usama bin Ladenit për sulme të reja në Europë dhe në Lindjen e Mesme…
Administrata e re
Shpejt do të vinte një administratë e re, por atë e prisnin problemet e vjetra. Al-Kaeda ishte ende duke ardhur te ne. Nuk ka pasur ndonjë takim me partnerë apo udhëheqës të huaj, ku unë ose nëpunësit tanë të mos e kemi konsideruar al-Kaedën si përparësinë tonë kryesore. Ishin të shumtë ata që mendonin se ne ishim bërë maniakë në këtë pikë. Të tjerët nuk arritën ta kuptonin tërësisht se sa terroristë në vendet e tyre mund të ishin duke planifikuar sulme kundër nesh. Ka një moral të rëndësishëm të kësaj historie: nuk mund të luftohet terrorizmi, duke qenë i vetëm. Kishte kufizime të qarta ndaj asaj që mund të bënim pa ndihmën e qeverive që mendonin si ne.
Komisioni i 11 Shtatorit mendonte se deri më 11 Shtator politikanët e të dyja administratave nuk e kuptonin krejtësisht magnitudën e rrezikut terrorist. Ky është absurditet.
Më 12 dhjetor të vitit 2000, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi, në të vërtetë me një votim 5-4, që Xhorxh Bushi të ishte presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara. Nëse besoni disa nga kritikët e mi, unë e dija rezultatin thuajse dy vite më parë, kur selia e CIA-s mori emrin “Qendra Xhorxh Bush për Inteligjencën”, sipas babait të Xhorxh W.
Unë pata kënaqësinë të kryesoja ceremoninë më 26 prill të vitit 1999, për të nderuar emnakun tim dhe një nga paraardhësit e mi të selisë, Xhorxh H. W. Bush. Ai është një burrë që kujtohet ende me dashuri për ndihmën që i ka dhënë Agjencisë në një periudhë të vështirë, kur ai ishte Drejtor i CIA-s, dy dekada më parë. Por unë nuk mund të pohoj largpamësinë. Ishte një akt i Kongresit që bëri ndryshimin e emrit, jo unë. Në ceremoni, përmenda fjalët e lamtumirës të Presidentit Bush, kur ai iku nga Agjencia në vitin 1977: “Unë marr me vete shumë kujtime të bukura”, tha ai atëherë. “Unë po iki, por nuk do të harroj. Unë shpresoj se do të mund të gjej disa mënyra në vitet që vijnë për ta bërë popullin amerikan të kuptojë shumë më mirë madhështinë që quhet CIA”.
…Më 4 shtator 2001, kryesorët – Kondi, Don Ramsfelld, unë dhe të tjerë – më në fund u mblodhëm në Sallën e Situatës në Shtëpinë e Bardhë. Ishte e martë, një ditë pas Ditës së Punëtorëve. Uashingtoni ishte duke iu rikthyer jetës normale, pas një tjetër gushti përvëlues. Në rrethana të tjera, takimi i kryesorëve mund të kishte pasur ndjesinë e një ribashkimi. Por ky nuk ishte i tillë. Në mbledhje mbizotëroi e njëjta temë që kishte qenë e pranishme gjatë gjithë asaj vere të gjatë: nëse Presidenti duhej ta miratonte kërkesën tonë për fluturimin e Grabitqarit të armatosur. Mjerisht, Grabitqari nuk ishte ende gati për ta bërë këtë, meqë sistemi i zjarrit me raketa ishte duke ecur ngadalë për të qenë gati për veprim.
Ne, gjithashtu, kishim nevojë të diskutonim çështjen se kur Grabitqari i armatosur të ishte funksional, kush duhej ta komandonte atë? Ishte një pyetje legjitime mbi atë nëse aeroplani hapte zjarr me raketa ndaj armiqve të Shteteve të Bashkuara, duhej të ishte funksion i ushtrisë apo i CIA-s. Kjo ishte një çështje e rëndësishme, ose kështu dukej në atë kohë, ndaj dhe unë isha skeptik mbi atë nëse një armë ushtarake duhej të hapte zjarr jashtë zinxhirit ushtarak të komandës. Por kjo diskutohej para 11 Shtatorit.
Gjashtë ditë më vonë, më 10 shtator, një burim i një vendi të Lindjes së Mesme, me të cilin ne bashkëpunonim, shkoi të takonte ndërlidhësin e tij të huaj dhe në thelb i tha atij se diçka e madhe do të ndodhte. Ndërlidhësi ia mohoi prerazi. Mirëpo, me sa dinim ne në atë kohë, ajo do të kishte tingëlluar së tepërmi me të gjitha paralajmërimet e tjera që kishim marrë në qershor, korrik, gusht dhe në fillim të shtatorit – frikësuese por pa ndonjë gjë të qartë.
Më pak se njëzet e katër orë më vonë, e papërfytyrueshmja ndodhi. Por për ne, ajo nuk ishte krejt e papërfytyrueshme. Ne kishim menduar vetëm për të dhe për asgjë tjetër.
Reagimi i Presidentit Bush pas sulmeve
Në orën 8.30 atë mbrëmje, duke folur nga Zyra Ovale, presidenti iu drejtua kombit me fjalë sa energjike aq dhe tejet serioze, përfshi edhe shqiptimin për herë të parë të asaj që do të bëhej e njohur si Doktrina Bush. “Unë iu jam drejtuar të gjitha burimeve të shërbimit tonë inteligjent dhe bashkësive të detyrimit ligjor për të gjetur përgjegjësit dhe për t’i sjellë përpara drejtësisë”, i tha ai një audience globale prej rreth tetëdhjetë milionë njerëzish. “Ne nuk do të bëjmë dallim midis terroristëve që kryen këto akte dhe atyre që i strehojnë ata”. Për ne në CIA, doktrina e re donte të thoshte se ishte larguar më në fund vetëpërmbajtja. Ne, tashmë, kishim në sirtaret tona planin për të ndjekur si al-Kaedën dhe mbrojtësit e saj, talebanët, në Afganistan. Tani ne mund të fillonim ta zbatonim atë. Midis trishtimit të asaj dite, kuptuam se, më në fund, do të jepej autorizimi dhe burimet për të bërë punën, të cilën ne e dinim si bëhej.
Pas fjalimit në Zyrën Ovale, presidenti zhvilloi një takim me krejt Këshillin Kombëtar të Sigurisë, në të njëjtin bunker. Tani ai ishte shndërruar papritmas në një kabinet lufte. Disa orë më përpara nga Peruja, Kolin Pauelli fliste për problemin me një gjuhë diplomatike: Ne do t’ia bëjmë të qartë si Pakistanit, ashtu dhe Afganistanit se ka ikur koha e të folurit me dy kuptime. Unë isha ndoshta më shumë i prirur përpara: Po, ne na duhej ndihma e Pakistanit; ai ishte vendi më i afërt me Afganistanin dhe një nga vendet me më shumë ndikim mbi të. Por koha e bisedimeve me talebanët kishte ardhur e kishte shkuar. Për të shkuar pas Bin Ladenit dhe ushtrisë së tij në errësirë, ne duhej të hiqnim perden pas së cilës fshiheshin ata. Presidenti tha se ne duhej t’i detyronim vendet të zgjidhnin. Zëvendëspresidenti e shihte të arsyeshme të goditeshin në Afganistan objekteve që ia vlenin. Por ajo që unë mbaj mend më shumë se çdo gjë tjetër nga ajo mbledhje ishte sjellja e presidentit, jo fjalët e tij. Ai ishte plotësisht në detyrë, i vendosur, i drejtpërdrejtë. Ai theksoi urgjencën e momentit, ndërsa e bëri të qartë, me fjalë dhe me shembull, atë çfarë priste nga ne, për të menduar se si do të përgjigjeshim.
Nuk ka dyshim se 11 Shtatori, apo 9/11 sikurse njihet botërisht, ishte momenti elektrizues për presidencën e Bushit. Kjo datë e transformoi atë në atë mënyrë që unë nuk e mendoj se ndonjë nga ne mund ta parashikonte tërësisht. Udhëheqja e tij në muajt që erdhën më pas pësoi një ndryshim të jashtëzakonshëm. ( gazeta Dita)