-Sociale, Aktualitet, Te Fundit

Xheni dhe Kristi nga LGBT letër Ramës: Merrni pjesë në paradën tonë, mundësi për t’u ndjerë të lirë

Aleanca LGBT dhe Pro LGBT i kanë dërguar sot një letër publike dhe një ftesë zyrtare kryeministrit, Edi Rama për të mbështetur dhe për të marrë pjesë në paradën “gay” që do të mbahet më 13 maj në Tiranë.

Ndër të tjera Aleanca LGBT dhe Pro LGBT pohojnë se kjo paradë është një mundësi për t’u ndjerë të lirë. Ndërkohë, ditën e djeshme LGBT i dërgoi një letër kreut të PD-së, Lulzim Basha ku i kërkonte që të mos bllokonin paradën, për shkak të çadrës së vendosur në Bulevard, zonë ku do të bëhet dhe organizimi.

LETRA E PLOTE POSHTE TEKSTIT
I nderuar zoti Rama,
Në datën 13 maj, në orën 11.00, Aleanca LGBT dhe Pro LGBT, dy organizatat kryesore për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI në Shqipëri, do të organizojnë Paradën e 6-të me biçikleta të quajtur Tirana Gay (P)Ride.

Përmes kësaj letre ne ju ftojmë, që si kryetar i një partie të majtë dhe si Kryeministër i të gjithë shqiptarëve, të merrnit pjesë në këtë event, që për komunitetin LGBTI është një mundësi e jashtëzakonshme për t’u ndjerë të lirë dhe për të jetuar me dinjitet.

Ne besojmë se ka ardhur koha që Ju personalisht dhe partia që ju drejtoni, anëtare e partive progresiste të majta në Europë, të mos ngurroni të keni një qëndrim publik në mbështetje të të drejtave të komunitetit LGBTI.

Siç besojmë se jeni në dijeni, në Europën perëndimore edhe më tej përtej Atlantikut, nuk ka më asnjë forcë politike, e majtë ose e djathtë apo e qëndrës qoftë, që të ngurrojë të mbështesë publikisht të drejtën e qytetarëve LGBTI për të jetuar të padiskriminuar dhe të papërjashtuar.

Në pritje të një përgjigje, ju falenderojmë paraprakisht.
Me respekt,
Xheni Karaj, Drejtore e Aleanca LGBT
Kristi Pinderi, Drejtor i ProLGBT

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko