-Kronikë, Kryesore

Vrasja në Don Bosko, nis procedimi disiplinor për drejtuesit e Komisariatit Nr.3

Ndaj tre drejtuesve të Komisariatit Nr.3 në Policinë e Tiranës ka nisur procedimi disiplinor lidhur me vrasjen që ndodhi në kryeqytet më 8 Qershor. Lajmi konfirmohet nga burime për tvklan.al. 19-vjeçarja Xhuljeta Çuni u qëllua për vdekje me dy plumba nga Xhafer Mata 31 vjeç. Ky i fundit qëlloi më pas edhe veten, i cili ndërroi jetë në spital.

Tvklan.al ka publikuar ditën e shtunë informacionin se vajza kishte bërë denoncim në polici më 7 Maj ndaj Xhafer Matës për përndjekje. E megjithatë, 31-vjeçari as nuk ishte ndaluar apo arrestuar nga uniformat blu. Një muaj para tragjedisë që tronditi “Don Boskon”, Xhuljeta Çuni kishte hyrë në Komisariatin Nr.3 duke qarë dhe në gjendje të rënduar psikologjike. Ajo kallëzoi për përndjekje Xhafer Matën dhe më pas doli sërish e përlotur nga ambientet e këtij komisariati.

Ndërkohë, 3 ditë përpara vrasjes, inspektori i zonës kontakton përmes telefonit me të ëmën e Xhuljeta Çunit, të cilën e vendos në dijeni për kallëzimin që kishte bërë e bija. Këtë e ka konfirmuar i ati i 19-vjeçares në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, dhënë për gazetarin Spartak Koka. Sulejman Çuni u shpreh se oficeri i zonës i siguroi ata se vajzën nuk do ta gjente asgjë pasi do të ishte në mbrojtje policore.

Por nuk ndodhi kështu. Tre ditë pasi policia lajmëroi familjen e Xhuljetës, 19-vjeçarja u qëllua për vdekje mëngjesin e së premtes duke shkuar në shkollë për provimin e Maturës. Xhafer Mata nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë. Disa vite më parë, ai ishte përfshirë në një konflikt dhe ishte arrestuar. Pavarësisht se 31-vjeçari ishte person me precedent penal, Komisariati Nr.3 nuk e mori mundimin për ta ndaluar pas denoncimit për përndjekje që i bëri Xhuljeta Çuni. /tvklan.al

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko