Aktualitet, Editorial, Te Fundit

Vota e emigrantëve dhe pikëpyetjet që lindin bashkë me të!

Nga Manjola Bregasi

Qeveria shqiptare ka tashmë një ministër shteti për diasporën, ndërkohë që ka deklaruar si prioritet të këtij mandati votimin e emigrantëve dhe pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, pikërisht nga vendi ku banojnë.
Vetë Kryeministri Rama në fjalën e tij në seancën e parë kuvendore, e ka cilësuar “ulëritës”, faktin që flasim e nuk reshtim për shqiptarët që largohen, por nuk flasim për fuqinë e tyre vendimarrëse.
“E kam fjalën për jetësimin e të drejtës së votës të çdo shqiptari në emigracion, duke i mundësuar pjesëmarrjen në zgjedhje drejt e nga aty ku banon, kujtdo ndër bijtë e bijat e këtij populli që dëshiron të zgjedhë parlamentin dhe qeverinë e vendit të vet”, kështu është shprehur Rama dje në kuvend, teksa i është referuar një nisme që për hir të së vërtetës duhet pranuar se e praktikojnë edhe shumë vende të tjera në rajon.
Por, teksa kujdeset që emigrantët shqiptarë të marrin të drejtën e votës, (pvarësisht mënyrës se si do të ndikojë rezultatin apo se si do te lexohet kjo vote) si një lidhje morale e tyre me vendin, (sikurse Rama e ka cilësuar), duket se për ata që jetojnë në Shqipëri, vota e emigranteve përkthehet në disa pikëpyetje.
Ka një shprehje që thotë se: “Çdo popull meriton qeverinë që ka”, duke na bërë të besojmë që çdo popull do të “vuajë” pasojat e një vote të gabuar, apo do të shijojë frytet e një qeverie të suksesshme, ashtu siç ai vetë e ka votuar.
Nisur nga ky këndvështrim, sa do të jetë përfaqësuese vota e diasporës, ndërsa këta qytetarë kanë zgjedhur që jetën e tyre ta bëjnë në një shtet tjetër, e të qeverisen nga një qeveri tjetër?
A mundet ata të zgjedhin një qeveri që nuk do t’i qeverisë, që nuk do të marrë vendime për jetën e tyre, por ama të kenë të drejtë të përcaktojnë qeverisjen e atyre që kanë mbetur në Shqipëri?
Sa e njohin këta qytetarë realitetin që kanë lënë kur janë larguar 20 vite më parë dhe sa e njohin fëmijët e tyre, të larguar që në foshnjëri nga vendi? A janë ata në gjendje të ndjekin fushatat, programet dhe të njohin nga distanca kandidatët që do t’i përfaqësojnë në kuvend? Si do të llogariten deputetët që do të zgjedhë diaspora, a do të barazohen votat e tyre me ato të votuesve rezidentë në Shqipëri, apo do të kenë një kuotë të caktuar si në Itali, Francë apo Kroaci? Nëse do të ndiqet shembulli i vendeve të rajonit, ku në 630 deputetë të parlamentit Italian 12 përfaqësojnë diasporën apo në 150 depuetë kroatë 6 përfaqësojnë emigrantët, duket se edhe në parlamentin shqiptar në vitin 2021 paktën 5 deputetë mund t’i përkasin diasporës. Por deri atëherë, qeverisë Rama 2 i duhet të sfidojë çdo pikëpyetje që le vend për pasiguri! /opinion.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko