Komente, Te Fundit, Të Gjitha

Videoja erotike/ Psikologia: Hakmarrje e burrit ndaj gruas. Ja pse fëmijët s’kanë qenë parësor për ta

Psikologia e Gjykatës së Tiranës, Redina Balla (Sulstarova), e cilëson si papërgjegjshmëri dhe veprim që ka cenuar interesin e fëmijëve publikimin e videos së tradhtisë nga ana e babait të të miturve.

Sipas saj, ekspozimi i nënës në veprime të tilla në sy të fëmijëve sigurisht që i dëmton emocionalisht të miturit, por akoma më e rëndë është fakti se kjo video që ka në fokus edhe vetë fëmijët është publikuar nga vetë babai i tyre.

Ky i fundit, në përpjekje për ta paraqitur atë si “trofe prove”, nuk na thotë tjetër gjë veçse se në interesat e tij primare ka qenë hakmarrja ndaj gruas dhe jo mirëqenia e fëmijëve të tij.

Në realitetin shqiptar mjaft burra jetojnë me vite në emigracion, ndërsa gratë dhe fëmijët i lënë kryesisht me prindërit e tyre. Si do ta shpjegonit ju këtë fenomen?

Ky është një fenomen shumë i përhapur në vendin tonë pasi shihet si e vetmja mundësi për të siguruar të ardhura dhe një jetesë normale. Për shkak të papunësisë dhe mundësive reale të pakta për të siguruar një punë, e cila të përballojë jetesën e familjes, shumë meshkuj e shohin si të vetmen zgjidhje emigracionin. Vazhdimin e jetës së gruas dhe fëmijëve ata “ia besojnë” prindërve apo vëllezërve/motrave të tyre. Në këtë mënyrë ata kanë sigurinë që bashkëshortja do të jetë në funksion të fëmijëve dhe prindërve të tyre, duke pasur sigurinë që gruaja do ketë një jetë shumë të mirë pasi ai (burri) do i dërgojë të ardhura (kryesisht këto të ardhura i marrin prindërit e burrit) dhe ndërkohë do ketë një jetesë shumë të mirë sipas konceptit të tyre. Këta burra nuk i konsiderojnë nevojat emocionale, psikologjike dhe fizike të bashkëshorteve duke sjellë probleme të mëdha në raportet bashkëshortore. Gruaja në vetvete sipas konceptit të tyre është personi që duhet të merret me punët e shtëpisë, kujdesin ndaj prindërve të burrit dhe rritjen e fëmijëve. Meshkujt shqiptarë janë nën pushtetin e prindërve edhe pas martese, që do të thotë se ata janë të ndikueshëm drejtpërdrejtë nga ndryshimet që sjell mosha e tretë e prindërve të tyre dhe nga vazhdimësia e një stili jetese që kanë bërë prindërit e tyre. Vihen re konflikte të bashkëshortëve si pasojë e mospëlqimit të rolit të gruas nga prindërit e burrit (ata jetojnë me nusen dhe burri i beson fjalës së prindërve). Prindërit e sotëm, fëmijë të kohës së komunizmit dikur, kanë qenë gjithë kohës nën kujdesin e nënës si shkak i modeleve të atëhershme prindërore dhe modelit të babait/kryefamiljarit. Kjo gjë ka sjellë mosmbylljen e procesit të atashimit, që do të thotë se këta fëmijë (sot prindër) janë ende në një lidhje patologjike me nënën e tyre gjë që ka ndikuar në “mosarritjen” e tyre duke mos përmbushur përgjegjësitë si bashkëshort dhe si prind. Nënën e tyre e shohin si “një nënë të denjë edhe për rritjen e fëmijëve të tyre”.

Sa ndikon emigracioni si shkak për zgjidhjet e martesave?

Me keqardhje pohoj që emigracioni luan një rol shumë të rëndësishëm në shkaqet e zgjidhjes së martesës në Shqipëri. Kjo gjë lidhet shumë ngushtë dhe me modelet familjare të trashëguara. Ende në kohët e sotme burrat e shohin jetesën e tyre edhe pas martese së bashku me prindërit, një model i cili nuk lejon marrjen e përgjegjësive dhe pengon vendosjen e kufijve mes pjesëtarëve të familjes. E them këtë pasi prej 11 vitesh që merrem me rastet e divorcit në Gjykatën e Tiranës kam hasur shpeshherë në problemet që kanë lindur mes bashkëshortëve pikërisht për faktin që burrat nuk marrin përgjegjësitë e tyre pas martese qoftë si bashkëshortë ashtu edhe si baballarë. Gruaja në familje të tilla (familje të mëdha) nuk perceptohet më si një bashkëshorte, por si një individ që ka për funksion sjelljen në jetë të trashëgimtarëve, një “administratore” e mirë e punëve të shtëpisë dhe kujdesit ndaj prindërve të burrit. Gruaja nuk perceptohet më si një individ me nevoja, por si një qenie që duhet të jetë në funksion të të tjerëve gjatë gjithë kohës.

A jeni njohur ju me rastin e ditëve të fundit të një videoskandali në Koplik ku një nënë 32-vjeçare u filmua nga familjarët e bashkëshortit, i cili jeton prej 4 vitesh në Amerikë? Në video duket nëna në një tradhti bashkëshortore ku prezent janë dhe dy fëmijët e saj 8 dhe 4 vjeç. Si do ta komentonit ju një ngjarje të tillë?

Fillimisht dua të citoj që është përtej çdo etike dhe aspak normale transmetimi i një videoje të tillë. Një video ku cenohen të drejtat e njeriut duke shkatërruar imazhin e një individi, një gruaje, një nëne duke pasur kënaqësinë e një inkuizicioni publik dhe mbi të gjitha duke mos menduar në asnjë moment traumat që ka shkaktuar kjo gjë te dy fëmijët është absolutisht e papranueshme. Në videon e publikuar nuk janë shumë të qarta sjelljet seksuale të nënës. Ajo që unë kam parë në atë video janë dy fëmijë që mund të jenë ekspozuar ndaj pornografisë. Theksoj që ekspozimi i fëmijëve ndaj pornografisë është dëmtues për zhvillimin e tyre kognitiv dhe emocional. Gjithashtu dua të theksoj që ndërhyrja e të afërmve të bashkëshortit/babait të fëmijëve është traumatike për fëmijët, të cilët shohin nënën e tyre të dhunohet e poshtërohet, ndërkohë që mirëqenia e fëmijëve duket si shqetësimi më i vogël i tyre në ato momente. Është tronditës fakti që fëmijët konsiderohen pronë në atë video, termi “nuk ke punë më fëmijët e vllahut tem” në ato momente më është dukur gati çnjerëzore. Indiferenca e gjithë pjesëmarrësve të kësaj “telenovele” ndaj gjendjes së fëmijëve është e dhimbshme.

Për shkak të kësaj video, bashkëshorti që ndodhet në Amerikë, ka hapur një proces gjyqësor në Shkodër ku kërkon heqjen e përgjegjësisë prindërore. Ju keni një eksperiencë të gjatë në Gjykatë. Me aq sa e njihni këtë çështje, mendoni se duhet t’i hiqet përgjegjësia prindërore nënës?

Do të ishte abuzive nga ana ime nëse do jepja një përgjigje të prerë ndaj kësaj pyetjeje. Për mua, si profesioniste, më të rëndësishëm janë fëmijët dhe mirëqenia e tyre. Nuk mund të jepen përgjigje të prera pa ditur sfondin, kontekstin, atashimin e fëmijëve me secilin prind dhe modelet prindërore të tyre. Fakti që kjo video u bë publike nuk do të thotë që ky është një rast i izoluar. Ende në ditët e sotme kemi shumë prindër që mbajnë në shtrat fëmijët e tyre. Ajo që më bën përshtypje është gjykimi i një pjese të mirë të shoqërisë ndaj kësaj guraje, nëne duke u fokusuar më së shumti te tradhtia dhe më pas te fëmijët në shtrat me të dashurin e saj. Nuk e di nëse kjo video do kishte të njëjtin impakt nëse do të ishte babai në vendin e nënës (babai me të dashurën) apo nëse do të ishin të dy prindërit biologjikë në të njëjtën situatë. Dua të bëj me dije që ekspozimi ndaj pornografisë është dëmtues po njësoj, si rasti i videos ashtu dhe rasti kur dy prindër mbajnë në shtrat fëmijët e tyre dhe kryejnë marrëdhënie seksuale apo janë nudo.

Duke pasur parasysh atashimin dhe lidhjen e fëmijëve, psikologia e çështjes në Shkodër ka rekomanduar që fëmijët të vijojnë rritjen me nënën. Sipas saj pavarësisht kësaj ngjarjeje (ku nëna pretendon se videoja është e montuar, se fëmijët kanë qenë në gjumë dhe jo në një dhomë me të), fëmijët e duan nënën dhe ndihen mirë në prezencë të saj. Ju si mendoni, cila do të ishte zgjidhja më e volitshme dhe në interes të fëmijëve?

Duke mos e njohur rastin nuk mund të jap një përgjigje të saktë për këtë gjë. Ajo që mendoj është se fëmijët në këtë situatë duhen mbrojtur nga çdo lloj informacioni apo opinioni për të dy prindërit e tyre.

Si e shihni rolin e babait të fëmijëve në këtë histori?

Përveç rolit të tij si skenarist të kësaj videoje, figurën e tij e shoh vetëm në rolin e bashkëshortit të tradhtuar dhe në asnjë moment nuk e shoh si babain e dy fëmijëve të mitur. Bërja publike (me aq sa unë di) e kësaj videoje pas disa muajsh nga momenti i realizimit të saj dhe neglizhenca e tij ndaj pasojave që do të sillte kjo video në shëndetin mendor dhe emocional të fëmijëve të tij më bën skeptike ndaj qëllimeve të tij për interesin më të lartë të fëmijëve të tij apo për motive të tjera. Mungesa e figurës së tij prej 4 vitesh është tregues i atashimit të pasigurt mes tij dhe fëmijëve. Pa u thelluar në analiza të mëtejshme të arsyeve të largimit të tij në USA, fakti që ky baba prej disa muajsh ishte në dijeni të ekspozimit të fëmijëve ndaj sjelljeve seksuale të nënës dhe për cilatdo arsye nuk erdhi të qëndrojë pranë tyre në një situatë të tillë me flet për papërgjegjshmëri të tij si baba. Përveç shmangies së përgjegjësive të tij si baba gjatë këtyre 4 viteve, zgjedhja e tij për të bërë publike videon si ndoshta një “provë”, e cila do të mundësonte kujdestarinë e fëmijëve, më bën të mendoj që në interesat e tij primare nuk është mirëqenia e fëmijëve. Edhe në këtë rast fëmijët shihen si një pronë ose trofe e hakmarrjes ndaj bashkëshortes/nënës së fëmijëve të tij.

A duhen trajtuar fëmijët me ndihmë profesionale dhe a mendoni që pjesë e terapisë duhet të jetë edhe nëna?

Absolutisht që po. Fëmijët kanë përjetuar dhe po përjetojnë ngjarje traumatike të shumëfishta, të cilat duhen trajtuar sa më shpejt. Në funksion të shëndetit mendor të tyre është e nevojshme trajtimi i këtyre traumave dhe ofrimi i një ambienti sa më të sigurt për fëmijët në mënyrë që të mbahen larg çdo lloj gjykimi apo trajtimi me element mëshirues. Një nga pasojat afatgjata me të cilat fëmijët për shkak të ekspozimit të videos mund të hasin është përballja e tyre me mentalitetin e shoqërisë ku jetojmë, mentalitet shumë gjykues ndaj gruas, ndaj tradhtisë dhe veçanërisht ndaj etiketimit që ata mund të hasin si “Fëmijët e …”/Panorama

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko