-Kulturë

Video/ Mësuesi i Letersisë tregon si u dënua me 15 vite burg për shpifje


               Publikuar në : 21:00 - 02/01/19 |
b.f

Në vitin 1961, Uran Kostreci ishte një mësues i gjuhës shqipe në fshatin Mollas të Elbasanit. Asokohe, si një 23-vjeçar, trillimet e rinisë ai i hidhte në copa letrash.

Disa fjalë të shkruara kundër diktatorit Enver Hoxha hapën dyert e ferrit për djaloshin. Sot, kur i ka kaluar të 80-at, Urani rikthen edhe njëherë në vëmendje citatet e shkruara.

“Edhe unë shkruaja ndonjë gjë të ndaluar, mirëpo halli qe se, një ditë aty hyri një magazinier. Ishte ditë pushimi, e diel. U shkëputa se më thirri një njeri dhe, kur u ktheva, nuk e gjeta poezinë që kisha shkruar kundër Enver Hoxhës. Ishte shumë e rrezikshme. Erdhi Gjykata Ushtarake e Durrësit, më dënuan 15 vite”, rrëfen ish-mësuesi, Uran Kostreci.

Kështu zë fill kalvari i vuajtjes për mësuesin e gjuhës shqipe, ku fjalët e hedhura kuturu do t’i paguante me rininë e tij. Nga frika se mos e arrestonin, Urani merr arratinë.

“Ai që e mori ishte spiun, magazinier. Hynte-dilte ai, ishte i porositur. E pashë që isha i vdekur dhe u nisa për t’u arratisur. por pa bërë plane të mira. Më zunë në Pogradec, duke ikur në orën 21:00 të natës për në Shën Naum”, tha mësuesi.

Kur i kishin mbetur dhe pak muaj të fitonte lirinë, në vitin 1976, nga qelia e Burgut të Burrelit, mbi Uranin ngrihen akuza të tjera. Këtë herë për agjitacion dhe propagandë.

“Mua në burg brenda, kisha dhe 6 muaj për të mbaruar dënimin, më dënuan në burg për agjitacion propagandë, medemek se shan qeverinë, dolën disa dëshmitarë dhe…”, rrëfen ish-mësuesi për “Top Story”-n.

Në fundin e viteve ’70 ishte koha kur përfundoje në burg edhe për një fjalë goje.

Urani kujton rastin më ekstrem, atë të një bariu minoritar, që ishte arrestuar po me të njëjtën akuzë, pasi operativët kishin dyshime se ishte takuar me agjent të CIA-s. Atë që kishte deklaruar bariu ishte takimi me hallën e tij, që në gjuhën greke thuhet “Thian”.

“Po të them një rast që ishte flagrant, që është për të qeshur për kohën e sotme, se në atë kohë ishte tragjike. Na vjen na merr një minoritar. Po pse të morën? Për një takim me Thian, thotë ai. Hetuesit lart i kishin thënë se ke takuar CIA-n. Ai i ziu tani, duke qenë injorant, njeri i thjeshtë, pa hapur libër kurrë, nuk kishte dëgjuar çfarë ishte CIA, jo më të merrej me CIA-n. Ky tani, duke qenë minoritar, e mori për tjetër gjë atë fjalë. Tha jam takuar me ‘thian’, në shqip teze i thonë. Po ku je takuar? Tani flet për tezen ky, ndërsa ai e pyet për CIA-n. Në stan, tha ai. Çfarë biseduat?, e pyesin. Po ja për punët e partive, tha ai. Me kë tallesh, i thanë, dhe ia futën prap me dru. Më në fund hetuesi, sado gomar që ishte edhe vetë, e mori vesh që ky po fliste për CIA-n”, rrëfen ish-mësuesi.

Uran Kostreci doli nga burgu në moshën 43-vjeçare. Kurrë nuk mundi të ndërtonte një familje, e tani jeton ditët mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

Të dhënat e siguruara nga “Top Story” tregojnë se, Urani është një ndër 1.253 shtetas shqiptarë që u dënuan me akuzën e agjitacionit dhe propagandës gjatë kohës së komunizmit, në vitet 1947-1970.

Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, propagandën dhe agjitacionin e konsideronte vepër penale, për të cilën sanksiononte një masë dënimi nga 6 muaj burg dhe deri në dënim me vdekje.

Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna zyrtare sesa shtetas shqiptarë u ndëshkuan me këtë ligj, nga vitet 1970 deri në vitin 1990. Arsyeja është se, në regjistra është pasqyruar vetëm data e arrestimit dhe masa e dënimit, për çdo person të dënuar gjatë regjimit komunist.
*Marrë nga Top Story

Pas