Bota

Video/ Italianët “tradhtarë” vijnë për biznes në Shqipëri, plas debati në emision

Shqipëria është kthyer në Amerikën e italianëve, dhe kjo ka hapur një debat të madh në shtetin fqinj, atje ku ka skepticizëm të madh mbi lehtësitë që shteti shqiptar i ofron sipërmarrësve italianë.

Nëse në Itali duhet të paguash taksa të larta, dhe të kalosh disa burokraci për të hapur një aktivitet të ri, në Shqipëri kjo ndodh fare thjesht.

Vetë italianët që kanë vënë rrënjët në Tiranë, thonë se kanë hapur bizneset e tyre brenda ditës, në vetëm 4 orë, dhe e gjitha ka kushtuar më pak se 1 euro. Nëse dikur Italia shihej si vendi ku shqiptarët projektonin të ardhmen, sot po ndodh e kundërta. 25 mijë italianë jetojnë në Shqipëri, kryesisht me biznese të tyre, e kjo për shkak të taksave të ulëta që paguajnë këtu. Por fakti që Italia po boshatiset, ka bërë që shteti atje të bëjë ndryshime, e të nisë lehtësitë ndaj biznesit. Kjo temë është trajtuar në emisionin “Dalla Vostra parte” në TG4. Gazetari i emisionit ka mbërritur në Tiranë ku është takuar me sipërmarrës të ndryshëm italianë. Të gjithë shprehen mjaft pozitivë për Shqipërinë, duke theksuar se nuk ka burokraci, se jetohet shumë mirë. Çmimet sipas tyre janë të përballueshme dhe pagat të mira.

“Në Tiranë jetohet më mirë se në Itali. Këtu është si të ishte Italia e viteve ’70, ka një bum ekonomik. Këtu nuk ekziston burokraci. Për të hapur një shoqëri në Itali ka shumë burokraci dhe kosto, ndërsa në Shqipëri mbaron punë në një ditë me më pak se 1 euro. Këtu nuk punohet për shtetin, por shteti të jep një dorë, dhe procedurat janë shumë më të shpejta sesa në Itali. Është Amerika e italianëve.Sot është më mirë të jetosh në Shqipëri sesa në Itali”, shprehen ata.

Në fakt, ky nuk është realiteti që shohin shqiptarët, shumica e të cilëve jetojnë ende mes skamjes. E një dyshim të tillë për “parajsën shqiptare”, ngriti edhe moderatori i emisionit kur ju drejtua në një lidhje direkte nga studio Masimos, shef kuzhine në Tiranë.

A nuk është paradoksale që Shqipëria të konsiderohet Amerika e italianëve? – pyeti moderatori.

“Unë i kam më shumë mundësitë këtu sesa në Itali. Kam punuar edhe në Gjermani dhe e gjej veten më mirë në Tiranë. Përveç klimës, dhe njerëzve, që janë pak a shumë të ngjashëm me italianët. Nëse vjen të hapësh një aktivitet brenda 4 orëve ke një licencë të re. Është e gjitha shumë e thjeshtë, nuk ka burokraci”, – u përgjigj Masimo, kuzhinieri që prej tre vitesh tashmë jeton në Tiranë.

Këtu ka lindur edhe debati në studio, kur shefi i kuzhinës pyetet nga gazetari se nëse është kaq e lehtë të hapësh një biznes, sa i fortë është kontrolli ndaj licencave të lëshuara, dhe sa funksionon drejtësia në Shqipëri?

Pyetje: Si funksionon monitorimi, drejtësia, edhe kontrolli mbi licencat e lëshuara. Si është drejtësia në Shqipëri?

Massimo: Drejtësia nuk funksionon si në Itali, por politika po bën detyrën e saj këtu, besoj se edhe drejtësia do të funksionojë

Gazetarja: Pra po thoni që nuk funksionon. Pra Shqipëria nuk është një model perfekt për tu ndjekur?

Gazetarja vijon më tej duke informuar Massimon mbi ndryshimet pozitive që shteti italian ka bërë.

“Për ndërmarrje të e vogla dhe të mesme janë krijuar shumë lehtësi, Masimo duhet të kthehesh. Duhet të rizgjojmë ndërgjegjen për të qenë italianë, mos të dorëzohemi, të kuptojmë që ka përmirësime.  Kthehuni, hajdeni bëheni shefin e kuzhinës tek ne”.

Massimo: Këtu paguhen pak taksa, sa paguhen në Itali? Italianët po ikin sepse po vriten nga taksat

Masimo është një kuzhinier që në Itali ishte i keqpaguar. Ndërsa në Shqipëri ai është një shef kuzhine mjaft i pëlqyer dhe i paguar mirë. Kjo është arsyeja pse tre vite më parë ai bëri gati valixhet dhe u transferua në Shqipëri.

Gazetari italian e shoqëron kuzhinierin për të bërë pazar me fruta perime, dhe nga sa shohin, ata paguajnë më pak se 6 euro për të bërë furnizimet e nevojshme.

Italianët që kanë parë Tiranën si shtëpinë e tyre të dytë janë shumë, 25 mijë, në kërkim të fatit që nuk kanë gjetur në atdheun e tyre.

Gazetari takon edhe Carmelon. Ai prodhon pasta në Shqipëri dhe furnizon edhe restorantin ku Masimo është shef kuzhine.

“Me të njëjtat para që merr në Itali këtu jeton më mirë, sepse kushtojnë më lirë, ushqimet, qiraja, benzina, etj.  Më parë shqiptarët vinin në Itali për të punuar dhe për të pasur një të ardhmen. Ndërsa sot ne italianët e shohim të ardhmen në Shqipëri.

Hahet mirë, jetohet mirë, është Amerika”, përfundon Massimo, i cili është i vendosur për të jetuar në Tiranë./ Gazeta Express

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko