-Sociale

Video/ Historia prekëse e 5-vjeçares nga Burreli që nuk mundet të ecë

Riselda është 5 vjeç dhe nuk mund të ecë. Ajo vuan nga një paralizë cerebrale dhe trajtimi i saj mund të bëhet i mundur vetëm falë fizioterapisë. Familja Pjetri deri tani e ka patur të pamundur kurimin, pasi jeton në kushte shumë të vështira ekonomike. I ati, Edision Pjetri mes lotësh kërkon ndihmë për vajzën të cilës për shkak të sëmundjes i është shkaktuar mosformimi i mirë i kockës.

Familja pa asnjë lloj të ardhure e ka të pamundur të përballojë trajtimin e sëmundjes. Riselda  kërkon të shërohet dhe të eci si gjithë bashkëmoshatarët e saj. Ky rast u bë publik në media dhe menjëherë Spitali Amerikan mori përsipër rastin , duke ofruar falas gjithë trajtimin. Ky spital ka qendrën më të madhe të fizioterapisë  me mjekë shqiptarë e të huaj.

 

“Spitali Amerikan do të trajtojë vajzën , duke bërë të mundur shërbimin dhe trajtimin nga ekipi ynë mjekësor”, sqaron Oriela Kosho, Drejtoreshë e Marrëdhënieve me Publikun, në Spitalin Amerikan. Mjekët sqarojnë se bëhet fjalë për një paralizë celebrale të lehtë, ku defiçiti është kryesisht tek këmbet, duart nuk janë shumë të prekura.

“Problemi kryesor qëndron tek pjesa e ekuilibrit dhe do punojmë shumë për të rritur masën muskulare , duke arritur të rrisim pjesën e lëvizshmërisë. Do të realizojmë të paktën 3-4 seanca në javë dhe jemi shumë optimistë që do  arrijmë atë që kemi synim, që vajza të nisë të ecë”, shprehet mjekja Kujtesa Dauti, mjeke fizioterapeutiste pediatre në Spitalin Amerikan.

Fizioterapia do të jetë intensive dhe shumë shpejt Riselda falë kësaj ndihme, pritet të ecë si gjithë bashkëmoshatarët e saj. Fizioterapia në spitalin Amerikan ofrohet me metodat më moderrne dhe me një staf  të specializuar mjekësh të huaj e shqiptarë.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko