-Ngjarjet e javës, Emisionet Opinion, Kryesore, Te Fundit, Të Gjitha

Video/ Gazetari i Opinion takon Ballist Morinën në burg, ja për çfarë biseduan

 

Gazetari i Opinion “Dritan Laci” ka udhëtuar mëngjesin e djeshëm drejt Dubrovnikut, aty ku ka takuar për afro 30 minuta Ismail Morinën apo ndryshe Ballist Morinën. Edhe pse në takim nuk janë lejuar mjetet regjistruese ai ka mundur të sjelle një pjesë nga biseda me Morinën të cilën do ta gjeni në reportazhin e poshtëm….

Dubrovnik 14 shtator 2017 Dritan Laci “Opinion”

Mëngjesi në Dubrovnik është I qetë. Qyteti nuk është zgjuar ende ndërsa makina jonë ka ndaluar rrugëtimin e gjatë nga Tirana në dyert e Gjykatës së Shkallës së Parë aty ku në njërën nga qelitë e kësaj gjykate qëndron prej disa muajsh në pritje të një urdhri ekzekutimi ekstradimi nga Serbia, Ismail Morina, apo ndryshe Ballist Morina i Dronit të Beogradit.

Surpriza e parë vjen jashtë dyerve të Gjykatës. Një mesogrua vendase ndërsa na pyet nga jemi dhe mëson se jemi shqiptar, na befason duke na thënë se “Këtu brenda shqiptaret kanë një hero”.

Takimi me Ballist Morinën nuk vonon.  Ndryshe nga portreti i shpupurisur me flokë të dendura, përtej xhamit të trashë na shpërfaqet një Ballist me flokë të shkurtra, të rregullta, me pak mjekër që ja nxjerr më shumë në pah imtësinë e fytyrës, i veshur me tuta sportive.

Ndryshe nga letrat me natyrë të dëshpëruar që qarkullojnë në emër të tij në Tiranë, Ballisti duket me moral të lartë dhe i çlirët në bisedë. “Jam mirë thotë, të vetmin hall që kam janë familja dhe fëmija i tretë që pres”. I pyetur për trajtimin që i është bërë nga pala kroate Ballisti përpiqet ti justifikojë në vendimet e tyre. “Edhe këta nuk kanë faj, kane rënë në hall, pasi u kam ngecur në derë.  Pasi kjo tashmë është një luftë midis Shqipërisë dhe Serbisë dhe Kroacia nuk ka kujt tja prishë”.

Dy vendimet e gjyqësorit kroat pro ekstradimit të tij në Serbi, Morina i quan deri diku procedura normale. Por ai nuk ka ndërmend të dorëzohet. “Unë i gjallë në Serbi nuk shkoj. Ja ku po ta them. Unë kam kërkuar azil politik, po kështu edhe liri me kusht deri në shqyrtimin e azilit, por deri tani më është refuzuar tri herë lirimi me kusht me arsyetimin se jam ndaluar pasi kam shkelur territorin kroat dhe kanë frike mos arratisem.  Por une s’kam ndërmend ta bëj një gjë të tillë. Une e konsideroj veten të burgosur politik”.

I pyetur për akuzat e Serbisë, si edhe kërcënimet  që kanë ardhur nga elementë keqbërës serbë,  Morina thotë se akuzat për fyerje raciste ndaj serbëve i cilëson qesharake ndërsa për kërcënimet me vdekje i kanë ardhur ne vesh në qeli por vetëm të vdekur mund ta kenë këte kënaqësi serbët. Sa per autoritetet shqiptare Morina thote se ka pasur direkt interesimin e ambasadorit shqiptar në Zagreb si edhe të Konsullit të Nderit.

“Unë nuk dua ta lej këtë punë në dorë thjesht të Ministrit të Drejtësisë kroat paçka falenderimit që mund të kem për interesimin e tyre të vazhdueshëm. Une do të luftoj deri në fund që të paktën të përfitoj azil politik. Kjo sigurisht do të zgjasë si procedure. Apeli që kam për shqiptarët dhe politikën atje është që të vazhdojnë të më mbështesin siç e kanë bërë deri tani”, përfundon Ballist Morina duke shpresuar në një lirim sa më të shpejtë të tij.

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko