Aktualitet, Komente

Vetingu dhe ish-Sigurimi i Shtetit

Nga Pëllumb NAKO*

Vetingu, edhe si term le ksikor, gjeti një përdorim të vrullshëm në gjuhën e të gjitha shtresave në vendin tonë, duke u kthyer natyrshëm në pjesë të fjalorit të përditshëm shqiptar. Ligji që e parashikon, i komentuar edhe ai shumë, gjithsesi, mbetet më pak i njohur. Dhe kjo ndoshta për arsyen se vëmendja është përqendruar më shumë në produktin e tij të pritshëm se sa në vetë përmbajtjen. Nuk ka arsye për mos të qenë i kënaqur kur sheh se faktori ndërkombëtar ka marrë rol aktiv në hartimin dhe më pas, në zbatimin e këtij ligji, përtej kufijve klasikë të asistencës ndërkombëtare me vetëm këshilla apo edhe presione, të hapura ose jo, karshi institucioneve vendimmarrëse shqiptare.

Askush, në thelb, nuk e kundërshton frymën e vetingut dhe qëllimin e tij, pavarësisht debateve të dukshme dhe të padukshme me poza protagonizmi në ekrane televizive. Poza protagoniste këto, që flasin kaq shumë për vetingdashje për vete dhe armiqësi antiveting për krahun tjetër, saqë të kujtojnë thelbin e filozofisë së lashtë greke për drejtësinë: E drejta kur teprohet, kalon në duart e kundërshtarit.

Gjithsesi, ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë” përveç të qenit gur themelor i Reformës në Drejtësi,duket se në brendësinë e tij reflekton edhe ndonjë paradoks. Ndoshta ndërkombëtarëve korrektë t’u ketë rrëshqitur diçka nën rrogoz nga bashkëpunëtorët lokalë paksa hileqarë? Ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” parashikon ngritjen e tre institucioneve me detyrë vlerësimin e pasurisë, të kontrollit të figurës dhe të vlerësimit të aftësive profesionale për çdo prokuror dhe gjyqtar të vendit: Komisioni i vlerësimit, Kolegji i Apelimit dhe komisionerët publikë.

Për t’i dhënë frytshmëri procesit, realisht të rëndësishëm, në nenin 6 të tij, ligji parashikon 11 pika lidhur me kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për të tre institucionet e mësipërme. Kritere të rrepta, të plota. Garanci maksimale. Pastërti shembullore. Dhe nuk ka përse të mos jetë kështu. Nga 11 kriteret e parashikuar në 11 germa në ligj, bie fort në sy edhe ai me germën “e” që thotë: “ nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor, ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit para vitit 1990, sipas ligjit ‘Mbi të drejtën e informimit me dokumentet e ish- shërbimit të sigurimit të Republikës Socialiste të Shqipërisë’”.

Sipas ligjit të vetingut, Komisioni i Vlerësimit do ta japë gjykimin mbi bazën e raporteve dhe dokumenteve të paraqitura nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) që do të kryejë hetim pasuror të subjekteve për rivlerësim, nga Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar (DSIK) e Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) si dhe nga Shërbimi i Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave(SHKÇBA), pjesë e Ministrisë së Brendshme, të cilat do të kontrollojnë pastërtinë e figurës së subjekteve për t’u rivlerësuar.

Për të dy institucionet e fundit, ligji parashikon mundësinë e personelit shtesë dhe për ta specifikon edhe standardin e kërkuar: “Personat që kryejnë kontrollin e figurës, përmbushin standardet e zbatueshme për mbrojtjen e privatësisë dhe të konfidencialitetit në detyrë”. Standarde këto, faktikisht, jo të saktësuara si në nenin 6. Shprehur me fjalë popullore, rezulton se gjithë aktiviteti operacional i tre institucioneve të administratës shqiptare (ILDKPPKI, DSIK, SHKÇBA)do të furnizojnë më “ miell” tre institucionet e vlerësimit në mënyrë që këta të fundit të prodhojnë “bukën”.

Për ta bërë këtë “bukë” të mirë, Komisioni i Vlerësimit, i Apelimit dhe komisionerët publikë, thotë pika “e” e nenit 6, duhet të shkëputen tërësisht nga çdo ndikim i ish-sigurimit të shtetit. Ndërkohë, (duke përjashtuar ILDKPKI) për DSIK dhe SHKÇB, “furnizuesit me miell”, pjesë e administratës aktuale, të mbushura plot me ish-oficerë të sigurimit, nuk u pa e nevojshme vendosja e këtij kriteri. Pra, cilësia “e miellit” ulet. Kështu, buka nuk del e mirë.

Askush në opinionin publik nuk beson se do të ishte e vështirë që ligji të parashikonte që personat e caktuar nga DSIK dhe SHKÇB të kishin për kriter (përveç atyre të përmendur pak më lart) edhe distancimin nga ish-sigurimi, pra, pikën “e” të nenit 6. Dikush, po nga opinioni publik, mund të thotë që çështja e ish-sigurimit po ekzagjerohet pasi ka kaluar shumë kohë që nga viti 1990. Madje, shumë syresh mund të kenë përkushtimin e duhur në kryerjen e detyrave. Shumë mirë!

Këtu nuk bëjmë fjalë për gjueti shtrigash, por për frymë ligjore, por filozofinë minimale në hartimin e një ligji. Atëherë të arsyetojmë anasjelltas, nëse për institucionet e DSIK-së dhe SHKÇBA-së nuk u pa e arsyeshme vënia si kriter distancimi nga ndikimi i ish-sigurimit të shtetit, atëherë nuk kishte fare arsye që edhe për tre institucionet e gjykimit të vendosej kriteri “e”, ai i distancimit. Në këtë formë, ligji nuk duket i ekuilibruar: ose të gjithë aktorët e përfshirë në të, që do të punojnë ngushtësisht me njëri-tjetrin, t’i nënshtroheshin pa përjashtim kriterit të distancimit nga ndikimi i ish-sigurimit, ose, duke marrë në konsideratë kohën që ka kaluar nga viti 1990, të mos vihej fare.

Hile apo lapsus? Kjo mungesë ekuilibri në ligj do të ndikojë edhe rezultatet (pa u nxituar në gjykime), të cilat do të jenë ndoshta të kontestueshme. Në këto kushte, nga njëra anë madhë- sia e forcës së ligjit dhe nga ana tjetër mungesa e germës “e” për DSIK-në dhe SHKÇBA-në, të kujton Zhvejkun : “Ti je mur i lartë, por unë të heq gurin e fundit”.

Burimi: Panorama

*Ish-drejtor në Policinë e Shtetit. Ekspert për çështjet e sigurisë

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko