Komente, Te Fundit, Të Gjitha

Vdekja e pacientes dhe vetëflijimi i mjekut/ Quo vadis Shqipëri!

Gëzim Xhepa

Kjo ditë zbardhi me një dhimbje të dyfishtë…. kur një gonxhe u shuajt pa çelur dhe një mjek shkoi drejt vetëflijimit. Dhimbje për jetën e një fëmije…. dhimbje për aktin sublim të një kolegu. Nuk u prononcova se thashë më në fund ky popull do të kuptojë që mjek dhe pacientë janë në një skalion dhe janë vetëm fije të padukshme të një sistemi mediatik dhe politik që i kundërvënë, duke shkarkuar mbi ta barrën e fajeve të tyre. Por jo i dashur vëlla dhe koleg as akti yt moral sublim nuk pengoi median dhe këtë popull të derdhë vrerë, përkundrazi është reagimi mbarë mediatik dhe popullor ndaj këtij akti që jep mesazhin e tmerrshëm të mjekëve të rinj të braktisin këtë tokë mosmirënjohëse.

Ndonëse pacientja jote ishte viktimë e një komplikacioni anestezik të konstitucionit të saj gjenetik (hipertermisë malinje) sërish askush nuk u mundua të hedhë një sy në internet para se të hedhë baltë për ty si mjek neglizhent. Ndonëse që me incidentin e para disa vitesh në QSUT ku mungoi dantroleni ky preparat u vu me detyrim me urdhëresë nga ministria në çdo sallë operacioni, sërish u nxorën nga sirtaret e pluhurosur të dikurshëm dhe të akuzuan për mos aplikim të medikamentit.

O njerëz, e dini që që para tre viteve kryeradha e çdo informkonsensusi anestetik është rreziku i vdekjes nga hipertermia malinje dhe në Republikën e Shqipërisë nuk futet asnjë i sëmurë në sallë pa firmosur vdekjen nga anestezia dhe në prani të dantrolenit?

Atëherë çfarë e detyroi kolegun tim të nderuar drejt këtij akti…… përgjegjësi karshi ligjit s’mbante, frika e ndëshkimit juridik nuk ekzistonte. Përveç dhimbjes morale dhe pasionit profesional që në momente të caktuara janë më të fuqishme se arsyeja, unë nuk gjej shkak tjetër.

Por ky akt vetëflijues nuk është asgjë karshi vrasjes së madhe që i bën sistemi social, mediatik, politik dhe juridik, çdo ditë, pak nga pak armatës të manteleve të bardhe dhe sërish ti popull herë qesh kur sheh pranga, herë skërmitesh kur dëgjon për vdekje, herë vjell vrerë.

Ndoshta këtë lidhje shpirtërore mund të bësh me mantelet e shenjtë, siç bëre për 50 vite me mantelet e besimit fetar, ndoshta këto janë vitet e persekutimit të mantelit të bardhë…… Mjekun e vrau sistemi…… Mjekun e vrau politika, media, e vrau presioni i një populli të paaftë të reagojë ndaj horave që i morën shpirtin dhe jetën, por shpreh dhunë dhe konflikt mes vedit, duke ngritur gishtin e akuzës aty ku fajtori nuk ekziston…… Quo vadis Shqipëri!

*Pedagog i fakultetit të Mjekësisë, kirurg i plastikës

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko