-Jetë dhe Stil, Metro

Vdekja e 16 vjeçares, familjarët me lotë në sy: Na thonin vetëm duhet të prisni…

Vdekja tragjike e dy ditëve më parë që tronditi të gjithë opinionin publik nuk është zbardhur ende zyrtarisht. Megjithëse deklarata zyrtare e spitalit Coninental zbuloi arsyen pse u largua nga jeta Blerta Pepa, familjarët kanë ende dyshime për rrjedhën e ngjarjes që ndodhi të hënën.

Daja dhe vëllai i Blertës kanë qenë sot të ftuar në “Rudina” për të treguar një të vërtetë tjetër. Duke treguar me hollësi ngjarjen nga mëngjesi deri në darken e ditës së hënë, ata thanë se kanë qenë një sërë ngjarjesh që ҫuan deri në fundin fatal të Blertës. Daja, Artjon Shkoza, tregon që gjatë ditës operacioni ishte vendosur të kryhej në orën 10, por është shtyrë deri pothuaj në orën 20 të mbrëmjes: “Dita e hënë ka qenë një ditë e gjatë për Blertën dhe për të gjithë ne. Që nga ora 10 deri në orën 20 të mbrëmjes. Blerta ka qenë në pritje gjatë gjithë ditës, pa asnjë sqarim pse kjo vonesë. Sa herë pyesnim mjekët, “pse nuk po kryhet operacioni”, ata na thoshin që vonesa nuk kishte të bënte me ne. Thoshin vetëm duhet të prisni…” – tregon daja i adoleshentes.

Duke e konfirmuar mungesën e shërbimit për Blertën, i vëllai tha se, një ditë më parë, sipas procedurave, mjekët as me ta, as me Blertën nuk janë ulur për të plotësuar një formular për të kuptuar të gjithë situatën e saj: “Gjatë ditës, në dhomë nuk ka pasur fare shërbim. Blerta kishte ankth, as në dhomën e saj nuk ishte dhënë asnjë informacion se ҫfarë po ndodhte. Përkujdesja ishte zero. Dhe, më e rëndësishme, para se të futej në operacion, siҫ duhet të ndodhte, mjeku konsultohet me familjen dhe me motrën për të gjitha problemet shëndetësore që nga lindja deri në atë ditë. Por kjo konsultë nuk u bë….” – shpjegon Rolandi, i cili e njihte mjaft mirë rastin e së motrës, sepse edhe ai vetë ka bërë një ndërhyrje si ajo, në menisk, në Gjermani, disa vite më parë.

Pasi kishin kaluar shumë orë, mjekët e morën Blertën nga dhoma në orën 19.30 – 20.00 dhe pas orën 22.00 filluan të lëviznin. Kontakti i parë me familjarët ishte mjeku gjerman që kishte kryer ndërhyrjen në menisk dhe që tha se problemi i meniskut kishte qenë më i vogël se sa kishte paraqitur rezonanca manjetike. Kështu, operacioni kishte kaluar me sukses dhe pas 30 minutave apo 1 ore, Blerta do të dilte: “Në atë kohë, mjekët këmbëngulnin për të na zbritur poshtë dhe këtë nuk e kuptuam dhe kjo pritje zgjati me orë.” Daja tregon se pas mesnate, mjekët u dorëzuan dhe u komunikuan familjarëve se ajo nuk ia kishte dalë dot. 

Ngjarja e rëndë, në fakt, akoma nuk është zbardhur. Edhe pse një ditë më parë u përhap lajmi se ekspertiza vërtetoi komplikacionin e nxjerrë edhe nga deklarata e mjekëve të spitalit, por familjarët këmbëngulin që ende nuk ka dalë asnjë ekspertizë mjeko-ligjore: “Deri ditën e sotme, nuk është e vërtetë që ky konkluzion ka dalë. Është një proces që ka nevojë për disa testime, disa analiza. Deri në këtë moment që flasim, nuk ka asnjë rezultat, as paraprak, as zyrtar..” – thotë daja i Blertës duke hedhur kështu dyshime të tjera për ngjarjen e rëndë.

Në një linjë direkte telefonike ishte i pranishëm në studio edhe mjeku anestezist, koleg i  Tefik Zhurdës, Apostol Vaso, i cili tha se kjo është një ngjarje e rëndë e cila i ka tronditur të gjithë, por ai vuri theksin te denigrimi i figurës së mjekut nga mediat. Si prind, si mjek dhe koleg i Tefikut, ai tha se edhe ai në të njëjtën situatë do të vepronte po njëlloj.

Familjarët, në mesazhin e tyre thanë se nuk duan kurrsesi ta denigrojnë figurën e mjekut, sepse e dinë që asnjë mjek nuk dëshiron që të humbasë pacientin e vet, por kërkojnë që të zbardhet e vërteta dhe të tregohet kujdes me këtë rastet, në mënyrë që të mos ketë raste të tjera më pas: “Ne nuk duam pas humbjes së Blertës një humbje të dytë. Duam që drejtësia të shkojë në vend, sepse jetën e motrës sime nuk ma kthen askush, lutem shumë që mjekët të jenë të kujdesshëm në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten…” – tha Rolandi, vëllai i Blertës, me lot në sy./class

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko