Bota

Udhëheqësit e BE janë të bashkuar në Brexit, por të ndarë në migracion

               Publikuar në : 12:00 - 29/09/18 |
el ena

Takimi informal në Austri nxorri në pah dështimet e “bllokut”.

Nga të gjitha gjërat që qeveria britanike gaboi në strategjinë e saj të negociimeve të Brexit, ajo më e rezistentja ishte besimi që mund të nxisë një përçarje në rradhët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Mantra e deputetëve të Brexit ishte se prodhuesit e makinave gjermane do t’i ushtronin presion Angela Merkel të anashkalonte shtetet e tjera si Franca. Më pas do të lejonte Britaninë e Madhe të rregullonte detajet e marrëdhënies së re. U tha edhe se bisedimet mbi marrëdhëniet e ardhshme do të mundësojnë shancin për të shfrytëzuar interesat e ndryshme mes 27 anëtarëve. Gjatë verës ministrat u shpërndanë në të gjithë kontinentin për të krijuar aleanca të reja.

Samiti informal i liderëve të BE në Salzburg u mbajt në datat 19 dhe 20 shtator. Sugjerohej që në samit, vende si Hollanda ose Hungaria do të këmbëngulnin në rishikimin e kushteve të mandatit negociues të Komisonit Europian. Kështu, plani ‘Chequers’ i Theresa May do të kishte një mundësi për të mbijetuar.

Dështimi i planit ‘Chequers’

Këto shpresa u thyen në 20 shtator kur Donald Tusk, kryetari i Këshillit Europian, lajmëroi se propozimi i britanikëve “nuk do të funkiononte”. Ky plan përfshinte Britaninë në treg për përfitime dhe jo për shërbime. Përveç kësaj, rrezikon edhe tregun e përbashkët. Me pak fjalë, këmbëngulja mbi integritetin e “katër lirive” të mallrave, kapitalit, shërbimit dhe punës, nuk do të zbehet. Këto të shprehura nga Tusk, Merkel dhe të tjerët gjatë procesit. Por ishte toni i ashpër i kryetarit të Këshillit ajo që surprizoi britanikët mbi të gjitha, të cilët po prisnin lehtësime përpara samitit të tetorit, kur pritet që plani të hidhet poshtë. Toni i pakompromentueshëm i kryeministres May, gjatë darkës së samitit të datës 19 duket se ka kontribuuar në këtë ndryshim.

‘Vrasja’ e planit ‘Chequers’ (që në fakt nuk ishte kurrë gjallë) me shumë mundësi e shtyn Britaninë drejt një marrëveshje më të lirë, të stilit të Kanadasë, si baza për marrëdhënien e ardhshme me BE. Megjithatë me këtë rregullim është e vështirë të shmanget “kufiri” mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës. Dhe kjo është një vijë e kuqe për Bashkimin Europian. Mbështetja e vazhdueshme e të cilit për këmbënguljen e qeverisë irlandeze për shmangien e një kufiri të tillë ka sfiduar gjithashtu disa pritshmëri të britanikëve. Theresa May ka shumë pak kohë për të hartuar një zgjidhje të re dhe të pranueshme për të gjitha palët. Gjasat e një “Brexit” pa marrëveshje janë rritur.

Të bashkuar për Brexit, të ndarë pë migracionin

Megjithatë, nëse samiti ishte një leksion për solidarizimin e BE për Brexit, historia ndryshon drastikisht në subjektin kryesor të diskutimit: siguria dhe migracioni. “Blloku”  ra dakort me vazhdimin e operacioneve kundër kontrabandës së njerëzve në Mesdhe. Gjithashtu aprovoi një propozim të Sebastian Kurz, kancelarit të Austrisë, për të nisur bisedime zyrtare me Egjiptin. Këto bisedime kanë qëllim reduktimin e migracionit nga bregu Afrikano- verior (bazuar në marrëveshjen ekzistente me Turqinë dhe Libinë).

Megjithatë, diku ka pasur edhe mosmarrëveshje. Suedia kërkon kuota të detyrueshme për pranimin e emigrantëve që të ndajë përgjegjësinë në BE; Merkel ka propozuar që ata që nuk pranojnë emigrantë mund t’u japin një kontribut financiar shteteve që i pranojnë. Të dyja idetë janë refuzuar nga liderat e Europës Qendrore si Viktor Orban i Hungarisë. Nuk ka një bazë të përbashkët për numrin e përgjithshëm të azil-kërkuesve që BE duhet ta pranojë.

Edhe një propozim që duhet të jetë relativisht i pakontestueshëm pati linja të ndryshme mendimi. Bëhet fjalë për planin e Komisionit Europian për të rritur stafin e Frontex, agjencisë kufitare të BE-së, në 10,000. Juha Sipilä, kryeministri i Finlandës, shprehu rezerva lidhur me atë se si duhet përdorur kjo forcë. Këto dyshime dakordësohen edhe nga shtetet mesdhetare. Liderët e  të cilëve kanë frikë se ky centralizim do të zvogëlonte sovranitetin e forcave të tyre kufitare. Z. Orban është gjithashtu kundër masës.

Të përjashtohen nga Shengen…

Për të ilustruar frustrimet mbi emigracionin dhe kufijtë, Emmanuel Macron hodhi një deklaratë të jashtëzakonshme në konferencën pas samitit. “Shtetet që nuk duan më shumë Frontex apo solidaritet do të dalin nga Shengen,” tha ai. “Shtetet që nuk duan më Europë nuk do të prekin më fondet strukturore”. Në thelb, ai po sugjeronte që Hungaria të përjashtohej nga zona Shengen nëse ata refuzojnë të kontribuojnë  në pritjen e azil-kërkuesve në BE, dhe të bashkëpunojnë në politikat e përbashkëta kufitare.

Nuk është për t’u çuditur që zyrtarët e BE-së janë të prirur për të vënë në dukje frontin e bashkuar dhe të stabilizuar të Brexit. “Menjëherë pas referendumit (të 2016-ës), u shqetësuam nëse 27 vendet anëtare do të vazhdonin të qëndronin të bashkuara”. Kështu u tha, duke u mrekulluar me faktin që pavarësisht ndryshimeve me një anëtar që largohej, integriteti i tregut të përbashkët dhe shmangia e kufirit të Irlandës meriton prioritet. Në një kohë kur po krijohen shumë përçarje mes 27 anëtarëve, Brexit të paktën mbetet një fushë e rrallë harmonie./Përshtati: Elena Lika/Opinion.al

Pas