Aktualitet, Bota, Te Fundit

Trump rrit dozën e deklaratave kundër Koresë se Veriut

Presidenti Donald Trump bëri të enjten një paralajmërim të ri ndaj Koresë së Veriut, duke thënë se deklarata e tij për “zjarr dhe furi” “nuk ishte mjaftueshëm e fortë”.

Duke folur me gazetarët, zoti Trump tha se Koreja e Veriut “duhet të sillet mirë, përndryshe do të ketë probleme sikurse disa vende të tjera”.

Presidenti i bëri komentet ndërsa pushon në klubin e golfit të tij në New Jersey përpara një takimi me këshilltarët e lartë lidhur me çështje të sigurisë.

Deklarata e zotit Trump vjen pas paralajmërimit të bërë prej tij më herët gjatë kësaj jave se Koreja e Veriut do të përballet me zjarr dhe furi që bota nuk e ka njohur ndonjëherë.

Më herët, Koreja e Veriut tha të enjten se po finalizon një plan për të hedhur katër raketa balistike pranë brigjeve të territorit amerikan të Guamit në Paqësor, një provokim i ri në retorikat mes Phenianit dhe Uashingtonit.

Ushtria Popullore e Koresë së Veriut bëri publike hollësi të reja për një goditje me raketa ndaj Guamit.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, raketat që planifikohen të lëshohen pritet të jenë me rreze të mesme veprimi.

Ato do të kalojnë mbi Japoni dhe janë planifikuar të bien 30 deri 40 kilometra nga Guami, i cili ndodhet 3 mijë kilometra në juglindje të Gadishullit Korean.

Paralajmërimin e presidentit Trump këtë javë se Pheniani do të përballej me “zjarr dhe furi” nëse kërcënon përsëri Shtetet e Bashkuara, ushtria e Koresë së Veriut e cilësoi “tërësisht të pakuptimtë”.

Në komentin e saj agjensia e lajmeve KCNA tha për presidentin Trump se “dialogu me një person të tillë, të cilit i mungon arsyeja tingëllon i pamundur dhe se vetëm forca e pakufizuar mund të funksionojë mbi të.”

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko