-Politikë, Aktualitet, Editorial, Kryesore, Te Fundit

Trio opozitare pa kauzë!

Nga Desada METAJ

Në sinkronizim me paralajmërimet disa ditore se “diçka e madhe” do të trondisë PD, dhe një ditë përpara një qëndrimi të strukturave të BE-së për qëndrimin e PD-së (njoftuar nga mediat pro qeverisë), Eduart Selami dhe Majlinda Bregu kanë artikuluar publikisht atë që prej kohësh më kot mundoheshin ta shisnin si qëndrim të dyzuar: kundërshtimin e hapur me mënyrën se si Lulzim Basha po drejton PD-në. Bashkë me ta, por mesa duket e pakoordinuar, një tjetër figurë e njohur e PD-së, Jozefina Topalli i kërkoi kryetarit Basha të mbledhë forumet dhe të analizojë vendimin dhe pasojat që mund të ketë kjo parti nga mospjesmarrja në zgjedhjet e qershorit. Deri diku e njohur si kundërshtare e kryetarit të ri të PD-së, zonja Topalli gjatë kësaj kohe ka qenë në opozitë jo vetëm me Edi Ramën por dhe me lidershipin e ri të PD-së. Si një nga zërat e rrallë dhe të fortë të PD-së në parlamentin e këtyre 4 viteve, ajo ndoshta me të drejtë kërkon të jetë më e përfshirë në vendimarrjen e partisë. Edhe pse me qëllime të ndryshme, Bregu dhe Selami, që kanë qenë kritikë më shumë me Bashën se sa me Ramën, bashkohen me Topallin në mungesën e një qëndrimi koherent kur PD-në e drejtonte Sali Berisha.

Zonja Topalli ka qenë nënkryetare e PD-së dhe de facto nr 2 i Partisë kur nga grupi parlamentar largoheshin një pas një “armiqtë” e Berishës, sulmoheshin zërat e brendshëm kritik dhe kur Këshilli Kombëtar ishte thuajse inekzistent në 4 vjeçarin e dytë të qeverisjes. Kjo nuk do të thotë që vendimet e marra nga Lulzim Basha e justifikojnë mosmbledhjen e forumeve. Basha do të bënte mirë ti mblidhte forumet dhe të dëgjonte edhe mendimin e tyre. Por mesa duket kryetari i ri i PD-së ka preferuar të ravijëzojë profilin vendimarres duke qenë spontan dhe duke u konsultuar më së shumti me aleatët e tij dhe me bashkëpunëtorët që më shumë se në “Rogner” apo në ndonjë sallon qëndronin në “Cadrën e Lirisë”, vendi i vetëm ku këto dy muaj ka patur opozitë. Nëse Topalli, Bregu dhe Selami do të kishin këtë mendim, duhej ta kërkonin më parë dhe të mos merrnin pjesë në seanca parlamentare në çadër. Sepse kur Parlamenti është në çadër edhe selia e partisë është aty.

Unë nuk dua të besoj që zonja Topalli ka sinkronizuar qëndrimin e sotëm të saj me ato të Bregut dhe Selamit. Dhe jo vetëm sepse i përkasin shkollave të ndryshme politike, por edhe për faktin e thjeshtë që ish nënkryetarja e PD-së nuk do pranonte kurrë të përdorej nga segmente të mazhorancës apo dhe të PD-së për të sulmuar lidershipin e opozitës. Por në të njëjtën llogjikë është e çuditshme indinjata që zonja Bregu dhe zoti Selami shprehën për mungesën e forumeve. A thua se kur këta të dy u zgjodhën ministra apo deputetë Sali Berisha pyeti apo mori mendimin e zonës ku u zgjodhën apo forumeve të tjera partiake. Si preferenca personale të ish kryetarit dhe si hyrje nga dera dhe dalje nga dritarja, këta të dy më mirë se shumë të tjerë në PD e dinë se kur i shërben pa kushte dhe pa dinjitet kryetarit ke dy zgjidhje: në rastin më të mirë do të të qerasin me ndonjë post ose në rastin më të keq do të të shpallin armik dhe nuk do jesh më në parlament. Ndërsa zoti Selami e ka provuar këtë ndjesi kur u largua herën e parë në Amerikë, zonja Bregu është e rritur mjaftueshëm politikisht sa të kuptojë se të qenurit pjesë e opozitës kushtëzohet me qëndrime opozitare. Flirtimi politik është vërtet art i bukur por qëndrimi politik është ai që të formon si të tillë. Sepse përfshirë dhe mua, janë të shumtë ata që edhe pse e mbështesin protestën e opozitës ndoshta kanë rezerva për bojkotin e zgjedhjeve. Por ndryshe nga ata që janë pjesë integrale e PD, ne të tjerët jemi thjesht vëzhgues apo komentues. Që përpiqemi të ndikojmë në një formë apo tjetër në qëndrimin e opozitës. Ndërsa ata që pretendojnë se janë pjesë e saj duke u mllefosur me Lulzim Bashën gjoja se i ha meraku për reformën ne drejtësi më shumë se publikut është mirë ti mbushin mendjen vetes se nuk janë më pjesë e opozitës. Dhe se llokma e pushtetit të ardhshëm ndoshta do jetë mjaftueshëm e madhe që ti ngopë ata familjarisht./ Opinion.al

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko