1, Aktualitet, Kryesore

Tragjedia e Velipojës me 4 viktima/ Infermierja rrëfen tmerrin dhe ka një apel të fortë për Kryeministrin

Vjollca Pacaj është infermiere prej vitesh në qendrën shëndetësore të Velipojës. Tre ditë më parë aty ndodhi një tragjedi e madhe, u shua një familje në aksident. Edmond Preka bashkë me tre fëmijët e tij nuk jetojnë më. E vetmja që ka shpëtuar është bashkëshortja e tij. Makina ku udhëtonte familja u përplas kokë më kokë me një fuoristradë, ku dy pasagjeret e saj janë jashtë rrezikut për jetën.

Infermierja thotë se ka shkuar me shpejtësi edhe pse ishte në shtëpi (jashtë orarit në punës). Ajo ka përshkruar me detaje skenen e rëndë të aksidentit, ndërsa ka një apel të fortë për Kryeministrin dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ka qenë ora 17:40 dhe më ka marrë në telefon një nip i shtëpisë sime. Më ka thënë ku je, i thashë në shtëpi, si njeri normal se pushim që isha. Nipi i shtëpisë më thotë eja se ka ndodhur një aksident. Menjëherë kam marrë në telefon Elvis Ramën, shoferin e ambulancës sepse shoferi tjetër ishte me pushime. Megjithatë, pas tij ka marrë edhe Rifatin, duke llogaritur se është shofer i vjetër. Nipi më mori sërish, teksa isha duke dalë dhe më tha eja se është një fëmijë i vogël. Me shapka siç kam qenë në shtëpi, kam marrë një mjet bashkë me urgjencën që kemi dhe me drita ndezur, kemi shkuar shumë shpejt. Kur kam shkuar, nuk kishin kaluar as 10 minuta pasi kishte ndodhur ngjarja”, shprehet Vjollca Pacaj, per gazetën “Panorama”

Më tej tregon: “Sapo kemi ndalur makinën, kemi parë nënën që bërtiste ku janë fëmijët. Kam hapur ambulancën dhe i kam bërë një adrenalinë se nuk dija çfarë t’i bëja tjetër në atë moment sepse ishte e larë në gjak. Kur kam kthyer kokën, kam parë dy vajzat njëra pas tjetrës, përmbys në tokë. Kishte shumë banorë të zonës. Mbi 50 kanë qenë aty. Kam bërtitur me të madhe, aman ejani dhe më ndihmoni të marr fëmijët. Ka ardhur një djalë i ri. E falënderoj shumë atë.

“Ai djali më ndihmoi të marr njërën nga vajzat dhe e pashë se ajo nuk ishte mirë dhe në atë moment i kam vendosur qaforen në qafë. Aty kam gjetur Rifatin me ambulancë, i cili ka shkuar për 5 minuta, më shpejt se unë dhe sikur ta kishte pasur shtëpinë aty, më shpejt s’kishte pasur si të vinte. Dy vajzat i kemi vendosur në ambulancë në barelë, kurse djalin e vogël e kam marrë unë. Djali i vogël, kur e kam marrë në dorë, kishte ndërruar jetë. Edhe vajza 5 vjeçe që u nda nga jeta, ishte shumë rëndë. Kemi shkuar me ambulancën tonë deri në fshatin Trush. Aty, vajzën 5 vjeçe që mendonim se është më mirë, e kemi vendosur në oksigjen dhe më pas kemi shkuar në spital”, shprehet infermierja për aksidentin e rëndë.

Infermierja rrëfen dhe momentin e dhimbshëm të humbjes së jetës të vajzës 5 vjeçe.

“Na ka pritur spitali dhe kanë bërë të pamundurën, por dëmet e mëdha i morën jetën vajzës 5 vjeçe, ndërsa dihet që shumë rëndë është vajza 10- vjeçare. Edmondi, babai i fëmijëve, ka qenë i vdekur që në momentet e para kur i kam bërë adrenalinën bashkëshortes së tij. Kam shkuar te makina, ai ka qenë dyfish i bërë dhe i vdekur në vend. Nuk kishte absolutisht asnjë shenjë jete dhe shihej se kishte ndërruar jetë. Ambulanca ka shkuar aq shpejt në vendngjarje, sa nuk di çfarë të them, më shpejt se kurrë ndoshta.”

Infermierja Vjollca Pacaj bën një apel të fortë të gjithë institucioneve deri te Kryeministri për të mundësuar një ambulancë tjetër për Velipojën sepse ajo që kanë është e amortizuar.

“Ne këtu në Velipojë e kemi ambulancën e lodhur. Nuk kemi oksigjen. I kërkojmë shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë, Kryeministrit të vendosin dorë vetëm për këtë ambulancë. Sinqerisht, që gjithkush duhet ta vërë veten në pozicionin e dikujt tjetër që ka një hall. Një ambulancë ka e gjithë Velipoja. Unë bëj thirrje, në emër të gjithë stafit, në emër të gjithë Velipojës, ju lutem të gjithëve, ministrit të Shëndetësisë, Kryeministrit, aman, një ambulancë të na e sillni sepse Velipoja është shumë e madhe.

Ambulanca që kemi është tejet e amortizuar, pavarësisht se drejtorja e Qendrës Shëndetësore bën maksimumin, duke e dërguar shpesh në servis vetëm që t’i qëndrojë banorëve gati. Ajo ka qenë një tragjedi, që mos i ndodhtë askujt. Unë kam shkuar dhe kam qëndruar gjithë natën, derisa viktimat janë dërguar nga morgu në banesë. Jemi munduar që ta menaxhojmë atë situatë, na ndihmuan banorët dhe familjarët e shkretë, që llogarit në çfarë situate ishin”.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko