Komente

Tensionet mes Rusisë e Ukrainës/ Bota në prag të Luftës së Tretë Botërore?

               Publikuar në : 16:05 - 28/11/18 |
el ida

Aktualisht të gjitha informacionet shpien në një përfundim: Konflikti i ri mes Ukrainës dhe Rusisë duket i pashmangshëm. Presidenti Petro Poroschenko ka kritikuar Rusinë për grumbullimin e forcave dhe ka shpallur gjendjen e luftës. Cilat janë pasojat ndërkombëtare?

Armata ruse ka grumbulluar shumë tanke dhe pajisje të tjera në afërsi të kufirit me Ukrainën, thotë presidenti ukrainas Petro Poroschenko. Në kufi është ngritur në mënyrë dramatike dhe numri i njësive ushtarake. Ekziston rreziku i një “lufte totale”, thotë presidenti ukrainas.

Grumbullimi i trupave ruse “përgjatë kufirit tonë” është konfirmuar edhe nga shërbimet sekrete, pohon presidenti urkainas. Të dhëna të sakta për numrin e ushtarëve rusë të grumbulluar në afërsi të kufirit me Ukrainën nuk ka. Agjencia ruse e lajmeve Interfax, njofton se qeveria në Moskë do të dërgojë në Krime edhe sisteme raketore për mbrojtje, Typ S-400. Sistemet do të jenë të gatshme për përdorim deri në fund të vitit.

Parlamenti i Ukrainës ka vendosur të hënën gjendjen e luftës në kohëzgjatje prej 30 ditësh, në disa pjesë të vendit. Kriza e tanishme në raportet mes Ukrainës dhe Rusisë ka filluar të dielën me konfliktin mes forcave të marinës në Detin e Zi. Forcat ruse kanë qëlluar në afërsi të Krimesë tri anije ushtarake ukrainase. Si pasojë, shumë ushtarë ukrainas janë plagosur, ndërsa 24 pjesëtarë të ekuipazhin janë arrestuar. 12 prej tyre janë dërguar në burgun hetues në Krime.

Për shkak të krizës më të re në Ukrainë, presidenti amerikan Donald Trump, është duke menduar të anulojë takimin e parashikuar me presidentin rus Vladimir Putin, i cili parashikohet të mbahet në kornizat e samitit të G20. Ai po pret një raport të detajuar të shërbimeve amerikane për të vendosur nëse do të takohet me Putinin, tha Trump për gazetën “Washington Post”. “Ndoshta nuk do të takohemi fare. Mua nuk më pëlqen ky agresion – nuk po më pëlqen aspak”, tha Trump.

Një takim i gjatë mes Putinit dhe Trumpit është parashikuar të mbahet në kornizat e samitit të G20. I cili zhvillohet të premten dhe të shtunën në Buenos Aires. Ata do të bisedojnë për gjendjen e sigurisë, kontrollin e armatimeve, gjendjen në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë, tha John Bolton, këshilltar i presidentit amerikan për siguri.

Njëkohësisht SHBA ka shtuar presionin ndaj Evropës që të rimendojë edhe njëherë çështjen e furnizimin me energji nga Rusia. Ai ka kërkuar ashpërsimin e sanksioneve ndaj Rusisë, me synim mbështetjen e Ukrainës. SHBA e ka halë në sy projektin e gazpërçuesit lindor. I cili do të ndërtohet në bashkëpunim mes sipërmarrjeve ruse dhe evropiane – nën udhëheqjen e Gazpromit. Kundër këtij projekti është deklaruar edhe Ukraina./DW

 

Pas