Bota

“Të punosh me Rusinë është si të punosh me mafian”

               Publikuar në : 00:15 - 11/07/18 |
Gerta

Një senator amerikan, i cili udhëtoi në Rusi së bashku me një delegacion të republikanëve të Kongresit javën e kaluar, tha se presidentit rus, Vladimir Putin, nuk mund t’i besohet. “Të punosh me Rusinë është sikur të punosh me mafianë”, tha John Kennedy, republikan nga Luiziana.

Ai tha se Qeverisë ruse i është kërkuar që “të ndalojë ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane”.
“I paralajmëruam rusët që nëse ndërhyjnë në zgjedhjet e nëntorit në SHBA, ligjvënësit do t’i godasin me sanksione edhe më të mëdha se ato aktualisht”, tha Kennedy.

Ai tha se ka kërkuar nga rusët që “të dalin edhe nga lindja e Ukrainës dhe t’i mundësojnë asaj të vetëvendosë”, si dhe “të dalin nga Gadishulli i Krimesë dhe t’i mundësojnë atij të vetëvendosë”.

Kennedy shtoi se ka kërkuar nga Moska “të ndalojë edhe ndërhyrjen në Siri dhe të ndihmojë në zgjidhjen e rrëmujës atje”.

Kennedy dhe gjashtë senatorë të tjerë republikanë dhe një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve qëndruan në Rusi nga 30 qershori deri më 4 korrik. Udhëtimi është parë si uverturë për samtin midis Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, i cili pritet të zhvillohet në Helsinki më 16 korrik, raporton rel.

Ka pasur raporte konfliktuoze rreth këtij udhëtimi, i cili është kritikuar nga demokratët, pasi ka përfshirë vetëm republikanë, të cilët, sipas tyre, nuk e kanë sfiduar Rusinë për ndërhyrjen në zgjedhjet në SHBA dhe për veprimet e saj në Ukrainë, Siri dhe gjetkë.

Senatori Richard Shelby, i cili e udhëhoqi delegacionin amerikan, tha se i ka thënë kryetarit të Dumës ruse, Vyacheslav Volodin, se duhet të përpiqen për një marrëdhënie më të mirë midis SHBA-së dhe Rusisë.

“Unë nuk jam këtu sot për të akuzuar Rusinë për këtë apo atë”, ka thënë Shelby.
“Ne kemi një marrëdhënie të tensionuar, por mund të kemi një marrëdhënie më të mirë mes SHBA-së dhe Rusisë, sepse ekzistojnë disa interesa të përbashkët në gjithë botën”, i ka thënë Shelby ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Megjithatë, Kennedy e përshkroi Lavrovin si “dhunues”.
“Nuk ekziston filozofia politike në Rusi. Është sikur të thuash filozofia politike e mafias”, tha Kennedy.

“Filozofia e tyre është paraja dhe pushteti. Kjo është filozofia e Putinit. Ai sundon me dorë të hekurt, ai është diktator”, tha Kennedy.

Ai shtoi se në Rusi nuk ka shtyp të lirë dhe se ekziston një ndarje e madhe midis qytetarëve të pasur dhe atyre të rëndomtë. “Populli rus meriton më mirë”, tha Kennedy.

Ai tha se nuk ka ndonjë problem me takimin e ardhshëm Trump-Putin, porse nuk mund të presë ndonjë përparim të madh nga ai.

“Nuk mund t’i besoni Putinit. Më e mira që mund të bëjmë është të përpiqemi ta frenojmë atë”, tha Kennedy.

Pas