Komente, Kryesore

Të pathënat e 28-Nëntorit të Ismail Qemalit, pritja e Durrësit dhe balta e Myzeqesë drejt Vlorës

Historiografia është disi konfuze për udhëtimin që Ismail Beu ndërmori nga tristja në Durrës.  Anija me të cilën udhëtoi ismail Qemali quhet herë “Brunn”, herë “Baron Bruck” e herë “Linx”. Udhëtimi i tij po ashtu. Në shumë vende përmendet se ai udhëtoi nga Trieste në Durrës me të njëjtën anije, ndërsa në kujtime të tjera, shënohet se udhëtoi me një anije deri në Brindizi. Po kështu dita dhe koha e mbërritjes janë në konfuzion të plotë. Herë thuhet më 21 nëntor në ora 16.00 pm, herë në 21 nëntor në 8.00 e herë në datën 24 nëntor mbasdite. Konfuzioni shtohet më shumë nga kalendari turk dhe ai europian që dallojnë midis tyre si dhe nga ora allafrënga dhe allaturka që protagonistët e përdorin në kujtimet e tyre.

Durrësi qe i përgatitur për mbërritjen e Ismail Bej Qemalit. Telegrami i tij paralajmërues kish qarkulluar në gjithë qytetet e Shqipërisë dhe shumica e tyre kishin nisur zgjedhjen e delegatëve. Kuvendi qe parashikuar të mbahej në Durrës, në të cilin, Esat Pashë Janina, komandanti i Jugut kish sugjeruar pritje të mirë të Ismail Qemalit siç dëshmon ky telegram:

“Tepër urgjente,

Ndënprefekturës së Vlonës, Prefekturës së Durrësit

Kur t’urdhnojë zotnia e tij Ismail Qemal Beu aty, lutemi t’a pritni mirë e t’a qetësoni e na bani me ditë.

Komandanti i Trupit Ushtarak

Esad Pashë Janina”

Por, sipas historiografisë së viteve të komunizmit dhe kujtimeve të atyre që e shoqëronin, ushtria Osmane kish kërkuar ndalimin dhe arrestimin e tij. Në fakt, nga shqyrtimi i dokumentave, nuk del askund që për Ismail Bej Qemalin të ketë pasur ndonjë urdhër ndalimi.

Mytesarrifi i qytetit, një shqiptar nga Berati refuzoi të përzihej në këtë histori, ndërsa Hamit Toptani, Komandanti i batalionit rezervist qe vënë në dispozicion të delegacionit dhe kish marrë masat për mbrojtjen e Ismail Qemalit. Por ai kishte një problem. Trupat e tij qenë shumë të pakta për të zmbrapsur një sulm të mundshëm të ushtrisë serbe që tashmë po i afrohej Krujës.

Dhimitër Zografi, një prej firmëtarëve të pavarësisë që e shoqëronte Ismail Qemalin që prej Bukureshtit, e kujton kështu mbërritjen e tyre në Durrës:

“Ashtu q`atë ditë, me një vapor special që na dha Austria, pasi blemë ca armë dhe xhephane në Triestë, shkuam në Durrës ku arrijtëm pas dy ditësh. Dy orë larg Durrësit ishte një tjetër vapor i Austrisë, i cili lajmëronte guvernën e tij me telegrame pa tel, për gjithë ngjarjet e Shqipërisë. kur iu afruam Durrësit, dy vapore të luftës greke, që kishin bllokuar Vlorën, na e muarrën vaporin tonë në mes, dhe një kapiten me tre veta hyjtin në vapor, gjoja të shohin se mos shpiem xhephane në Durrës. Qëllimi i tij ish të thotë, që ata e dinin se Ismail Qemali me neve hynim në Shqipëri, po s`na trazojnë, se po të kërkonin do të gjenin thasët me mauzerka dhe fishekë që kishim blerë në Triestë. Po na thanë vetëm një “mirë mëngjes” dhe shkuan.”

Ismail Qemali u prit nga Dom Nikollë Kaçorri dhe u vendos në hotelin e Aziz Pashë Përmetit, në krah të torres veneciane, përballë portit aktual. Ishte një hotel i vogël, fare modest, ku shtynin natën marinarët e rastësishëm. Të tjerë sqarojnë se ai fjeti ato 2 – 3 netë në qelën e Dom Nikollë Kaçorrit dhe gjatë gjithë kohës qe i rrethuar nga dhjetra patriotë, midis të cilëve binin në sy disa nga paria e Tiranës, vëllezërit Abdi e Hamit Toptani dhe Refik e Murat Toptani.

Pritja në Durrës nuk duhet të ketë qenë aq entuziaste, ose frika nga një sulm i mundshëm serb u bë dominuese sepse një ditë më vonë, ata njoftuan gjithë rrethet e Shqipërisë që delegatët të niseshin për Vlorë. Në një telegram të datës 25 nëntor 1912 për Komandën Ushtarake të Janinës, Mytesarrifi i Durrësit me nënshkrimin Mahir, shkruan:

“Ismail Qemal Beu, dulë këtu të parën ditë bajram, ndejti atë ditë edhe e thirri popullin në një mbledhje korsëm për shpëtim t’Atdheut. Passi nuk pa një pritje të mirë nga an’e tija, umuer vesht telegrafisht me Parësiën e Elbasanit e të Beratit edhe ju baj me ditë se për me bamë, si duket, Vlorën qendër mbledhjeje, ka dy ditë qi unis për në tokë për atje”

Mytesarifi i Durrësit rrëfen të vërtetën. Vetë Dhimitër Zografi e rrëfen kështu situatën dhe pritjen në Durrës:

“Mytesarif i atjeshmë, ish një shqiptar prej Berati, mjaftë i ditur po pa ndjenja kombëtare. Njerëzit e Durrësit nga myslimanët ishin ca të pakë me ndjenja shqiptare, të tjerët fanatikë dhe të datosur nga frika. Ashtu edhe nga an`e të krishterëve, veç ca të pakë të mirë, të tjerët grekomanë mavije. Për fatin tonë të mirë, ushtria e atjeshme prej nja 500 vetash të gjithë shqiptarë, dhe koloneli kumandar i tyre Amit Toptani, prej Tiranë, një shqiptar fisnik i vleftë, bir shqiponje. Ky zot i shërbeu tepër çështjes sonë në ato ditë aq kritike, dhe po të mos ndodhej zotëria e tij kush e di sa kundërshtime dhe ç`mund të pësonim nga fanatikët e Durrësit dhe prej muteserifit.”

Delegacioni u nis nga Durrësi më datën 23 nëntor në mëngjes. Eqrem Bej Vlora thotë se grupi është nisur më 24 nëntor, ndërsa Ferit Vokopola më 25. Kurdo që të ketë qenë, një gazetar italian që u ndodh aty dhe që ishte njoftuar për shpalljen e pavarësisë nga shtypi ndërkombëtar, kujton se grupi prej 40 – 50 vetash po bëhej gati të nisej nga Hoteli në breg të detit dhe se atmosfera ishte entuziaste. Njerëzit kishin hipur mbi kuaj dhe ai që binte më shumë në sy ishte më i moshuari, një plak i thinjur që rrinte kaluar mbi një kalë të bardhë. Mbi supe i kishin hedhur një gunë, kujton gazetari italian dhe përrreth shumë njerëz të armatosur kalëronin me gëzim. Një fotograf bëri disa foto të tyre. Ato foto nuk janë gjetur kurrë dhe rrugëtimi 3 ditor i Ismail Qemalit është rrëfyer këto 100 vjet në shumë  variante. Edhe ata që ishin bashkë me të, janë shpesh konradiktorë në kujtimet e mëpasme. Me përjashtim të 3 detajeve që gjenden tek të gjithë. Faktit që ato ditë binte një shi rrebesh, që ata qëndruan një natë në Cermë në çifligun e Dervish Bej Biçakut dhe një natë në Libofshë në çifligun e Omer pashë Vrionit dhe që kur mbërritën në Vlorë pritja ishte entuziaste.

Dhimitër Zografi, e përshkruan atë kështu:

“Ç`kemi parë dhe ç`kemi hequr në këtë udhë bëhet roman më vete. Fushët e Muzeqesë, të mbytyra me ujë, dukeshin si nonj det pa anë, dhe i kemi shkuar kaluar 5-6 orë më këmbë në ujë gjer mbi gju; asisoj dhe udhë të gjata me baltëra të thella që mezi nxirrte këmbën kali.”

Shenim* Ky material është shkëputur nga libri “100 vjet” i gazetarit Blendi Fevziu

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko