Sport

Strategjia e Skënderbeut për merkato, 6 ndeshje për të shitur 9 lojtarë

Skënderbeu me strategji të qartë për fazën e grupeve të Ligës së Europës. Klubi korçar kërkon ta shfrytëzojë në maksimum pjesëmarrjen për herë të dytë në këtë kompeticion. Edhe pse primar mbetet kampionati, ndeshjet në grupe janë një vitrinë shumë e rëndësishme për të afirmuar lojtarët, në mënyrë që më pas të shiten drejt klubeve më të rëndësishme në Europë.

Në edicionin e parë, strategjia e drejtuesve për aktivizimin në gjashtë ndeshje të futbollistëve të rinj, të cilët mund të kishin premisa për t’u shitur funksionoi më së miri. Peter Olainka dhe Bernard Berisha i sollën klubit 1.5 milionë euro të ardhura. Tashmë në skenë kanë dalë të tjerë “xhevahire”.

Gazeta “Panorama Sport” zbulon se klubi ka bërë një listë me 9 lojtarë, të cilët do të shikohen me përparësi nga trajneri Daja në gjashtë ndeshje që ka faza e grupeve. Sigurisht, ata nuk mund të luajnë gjithnjë si titullar, por duhet të aktivizohen. Së fundmi u shit Liridon Latifi, por ai që pritet ta pasojë është Enis Gavazaj. Sipas të gjitha gjasave, mesfushori kosovar mund të shitet që në janar.

TË TJERËT

Në listën e gjatë të bardhekuqve janë edhe Sabjen Lilaj, Bakari Nimaga, Bajram Jashanica dhe Gledi Mici. Të katërt pritet të jenë titullarë në të gjashta ndeshjet. I grumbulluar me skuadrën do të jetë edhe një nga “xhevahirët” e akademisë, Jorgo Pëllumbi. Për mesfushorin e talentuar korçar janë duke u interesuar menaxherë francezë, për të bërë të mundur një kalim me një shifër rekord për një lojtar 17-vjeçar. Plani i Skënderbeut në Europë vijon me afirmimin e lojtarëve si Beneyam Demte, Suad Sahiti dhe Fidan Aliti. Të tre janë afruar te Skënderbeu gjatë merkatos së verës dhe kanë firmosur kontrata afatgjata. Aktualisht janë në fazën e përshtatjes me grupin dhe do ta kenë disi të vështirë për t’u futur menjëherë në ritmin që kërkohet, por do të kenë minutat e tyre në ndeshjet e Ligës së Europës.

 

Aventura nis nga Ukraina këtë të enjte, teksa mbetet për t’u parë se cili do të jetë formacioni që do të hedhë në fushë trajneri Daja. Me siguri, ndryshimet do të jenë të mëdha, por pa prishur ekuilibrat në ekip./Panorama Sport

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko