-Sociale, Kryesore

Spitali i ri, premtim i vjetër. Asnjë tullë, ministrja Manastirliu përsërit veten një vit më pas

“Ky vit shënon edhe fillimin e zbatimit të një projekti tjetër të rëndësishëm, nëpërmjet kredisë së Bankës Botërore për zhvillimin e sistemit shëndetësor. Rehabilitimin e Spitalit Pediatrik, me vlerë rreth 6 milionë euro”, do të shprehej Manastirliu më 23 mars të vitit 2017.

Kjo ishte deklarata e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në ditën e parë kur u emërua në krye të Shëndetësisë, ndërkohë që ishte lidhur kontrata me Bankën Botërore për rehabilitimin e Spitalit të Fëmijëve në QSUT, një investim ky në vlerën e 7.8 milionë eurove.

Por, ndonëse ka kaluar më shumë sesa një vit nga kjo deklaratë, plot 16 muaj, ministrja e Shëndetësisë vazhdoi me të njëjtin premtim edhe një ditë më parë, kur vizitoi Shërbimin e Urgjencës.

Madje, investimin e Bankës Botërore e ofroi si zgjidhje për të përballuar fluksin e madh të fëmijëve në këtë shërbim, ndërkohë që ende nuk është hedhur asnjë hap më tej për nisjen e procedurave për zgjerimin e spitalit.

“Pikërisht Spitali Pediatrik do t’i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë në kuadër të projektit të qeverisë, 7.9 milionë euro me Bankën Botërore, si dhe kthimin e këtij tij në një spital të kushteve bashkëkohore europiane”, tha një ditë më parë Ogerta Manastirliu.

Jo vetëm gjatë vitit 2017, por edhe kur ka kaluar gjysma e parë e vitit 2018, ende nuk kanë nisur procedurat që i hapin rrugë filimit të punimeve.

Burime nga Ministria e Shëndetësisë thonë se nuk janë çelur ende procedurat e prokurimit për zgjerimin dhe rikonstruksionin e këtij spitali. Bazuar në afatet kohore që kërkojnë procedurat e tenderimit, shpallja e fituesit, afati i ankimimit, lidhja e kontratës, e më pas aplikimi për leje ndërtimi, i bie që ky spital të mos nisë të rehabilitohet, dhe as të zgjerohet, as brenda vitit 2018./T.Ch/

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko