-Sociale, Aktualitet, Te Fundit

SKANDALI/ Mjekut popullor i vdesin 2 pacientë me kancer, u mori mijëra euro

Shpresa për shërimin e njerëzve më të dashur nga sëmundje të pashërueshme, të detyron të besosh ekstremisht e t’i drejtohesh të ashtuquajturve mjekë popullorë.

Kështu ka ndodhur me disa familje nga Kosova dhe Maqedonia, të cilat i janë drejtuar për ndihmë një mjeku popullor në Tiranë, i cili njihet si “shëruesi i kancerit”. Por në Fiks Fare mbërritën disa ankesa, që na tregonin se ky mjek popullor po mashtron njerëzit me tezën e tij për shërimin e kancerit, duke iu dhënë shpresë, ndërkohë që nga ana tjetër po vdisnin pacientët që ndiqnin kurat e tij.

Pas ankesave të shumta, Fiks Fare shkoi në Strugë të Maqedonisë, ku dy familje ankohen se mjeku popullor i ashtuquajtur si “shëruesi i kancerit”, i ka mashtruar dhe për shkak të kurave të tij, një djalë 30-vjeçar dhe një grua e moshuar kanë ndërruar jetë. Një prej ankuesve është Muhamer Rizvani, i cili tregon se pasi djalit i ishte shfaqur një lloj kanceri në kokë, ai e kishte kuruar fillimisht në Maqedoni dhe në Turqi.

Më pas, nëpërmjet televizorit dhe internetit kishte mësuar se në Tiranë ndodhej një mjek popullor, i cili shëronte kancerin. Ai është Ruzhdi Metali, të cilit i ka gjetur kontaktet dhe kishte udhëtuar nga Struga drejt Tiranës me shpresën për t’i ardhur në ndihmë. Ai shpjegon se mjeku popullor Ruzhdi Metali i ka garantuar shërimin e djalit nëpërmjet kurave të tij. Për këtë shërbim i ka marrë 1500 euro për tri kura. Sipas tij, kura e fundit ka qenë vdekjeprurëse për të birin. Mjeku popullor i ka dhënë një lëng, të cilin duhej ta konsumonte disa herë në ditë për 41-42 ditë dhe nuk duhet të hante dhe të pinte asgjë. Djali i tij ka ndërruar jetë 22 ditë pasi kishte nisur këtë kurë.

Po ashtu “viktimë” e mashtrimit ka rënë edhe Jehona Nasufi (Dauti), e cila ka çuar nënën, po të sëmurë me sëmundje kancerogjene. Ajo shpjegon se nëna e saj e ka bërë kurën e plotë, por kur ka bërë analizat, gjendja e saj ka dalë e përkeqësuar. Madje, mjeku popullor ka kërkuar që ajo të ndërpriste ilaçet që kishte marrë nga spitali dhe të merrte vetëm ilaçet që përgatiste ai. Pas disa ditësh, nëna e saj ka ndërruar jetë.

Pas ankesave, gazetarët e Fiks Fare u interesuan se kush është ky mjek popullor që pretendon se shëron kancerin.

Ruzhdi Metali rezulton se ushtron këtë aktivitet prej disa vitesh në një nga zonat më të njohura të Tiranës, pikërisht në ish-Bllok, ku klinikë përdor një lokal të administruar prej tij. Në këtë lokal, ai zhvillon takimet me pacientët, që kryesisht janë nga Maqedonia, Kosova, ose emigrantë të cilët nuk jetojnë në Shqipëri. Shumicën e kontakteve i merr nëpërmjet Facebook, ku njerëzit kontaktojnë me të dhe më pas e takojnë në lokalin e tij, ku iu përgatit kurat për sëmundje të ndryshme.

Në prezantimin e vet, ai thotë se është doktor Kiroprator-Bioenergji që nga viti 1991 e deri më sot. Ai pretendon se “duke vënë re praninë e biorrymës që natyra e ka pajisur, ai ka mbaruar studimet për bioenergjinë në Onikava të Japonisë, ku dha ka bërë praktikë për një kohë të gjatë. Madje ai pretendon se ka punuar dhe në Athinë dhe më pas është kthyer në Tiranë, ku vazhdon me sukses. Ndërkaq, ai rendit mbi 96 sëmundje të ndryshme për të cilat thotë se mund t’i shërojë. Nga bisedat, ai tregon se ka marrë vlera të ndryshme parash për kurimin e pacientëve, duke pretenduar se tek ai kanë shkuar dhe figura të politikës shqiptare.

Por si i realizon ai këto kura, biseda dhe sa kërkon për të shëruar kancerin? Fiks Fare shkoi në lokalin, ku doktori pret pacientët, bisedon për sëmundjen, bën pazaret dhe më pas përgatit kurën e radhës.

Në bisedën e parë, bashkëpunëtorët e Fiks Fare i thonë se kanë fëmijën e një miku të tyre në Prizren dhe se duan t’u japë garanci për shërimin e tij nga kanceri. Mjeku popullor kërkon që ta sjellim fëmijën në Tiranë, pasi atij i kushton shumë dita për të shkuar për ta parë në Prizren, pasi ai do 1500 euro në ditë vetëm për të lëvizur nga Tirana. Madje ai thotë se është aq i kërkuar saqë tek ai ka shkuar dhe ish-kryemnistri, të cilit i kishte kërkuar 200 mijë euro për ta shëruar. Një emigranti në Gjermani i ka kërkuar 100 mijë euro, por ai jep garanci për shërimin e kancerit, nëse nuk është bërë kimioterapi.

Në bisedën e dytë, bashkëpunëtorja e Fiks Fare i thotë doktorit se ka mamin e sëmurë me kancer. Ai i thotë se do 1480 euro për kurën e parë, por nuk ka nevojë ta shohë mamin e saj. Ai i thotë se mamin do e shohë kur të shërohet. Ai tregon se përdor kura të forta me dietë për 42 ditë dhe me balta në kokë që e zhdukin kancerin. Për këto kura ai merr çmime të ndryshme. Ai i përgatit edhe ilaçin e tij për të nisur kurën. Gjithashtu ai shprehet se nuk pranon të punojë me shqiptarë të Shqipërisë.

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko