Aktualitet, Editorial, Te Fundit

Si të tallësh nazistët

Nga Moises Velasquez-Manoff

Për dekada me radhë, Wunsiedel, një qytet gjerman pranë kufirit çek, ka zhvilluar një betejë për të ndaluar paradën e dhjetra vizitorëve të padëshiruar. Aty është varrosur një nga deputetët e Adolf Hitlerit, i quajtur Rudolf Hess. Për ironi të fatit, si për të zhgënjyer banorët e atij qyteti, neonazistët marshonin për çdo përvjetor në vendin e tij të varrit. Nga ana tjetër, qytetarët kishin organizuar disa protesta kundër tyre, me qëllimin për të ndaluar marshimin e neonazistëve të ardhur për çdo vit si vizitor të rinj të qytetit. Duke parë mosbindjen e tyre, në vitin 2011, ata menduan të zhvarrosin Hess dhe madje t’i heqin edhe gurin e varrit. Por padyshim, neonazistët u kthyen përsëri. Mirëpo, në vitin 2014, qyteti përdori një taktikë tjetër: përmbysje me humor. (Aktivistët e ekstremit të djathtë marshonin çdo përvjetor në kujtim të Hessit, duke lavdëruar tmerret e Rajhut të Tretë) 

Fushata, e quajtur Rechts Gegen Rechts – E Drejta Kundër të Djathtës – e ktheu marshimin në “ecjen më të pavullnetshme” të Gjermanisë. Për çdo metër që marshuan neonazistët, banorët vendas dhe bizneset u zotuan të dhurojnë 10 euro. Më tej, ata financuan EXIT Deutschland, një program që i ndihmonte njerëzit të largoheshin nga grupet e ekstremit të djathtë.

Si rrjedhojë, qytetarët e shndërruan marshimin në një ngjarje sportive për t’u tallur. Dikush shënoi në rrugë “Nidja”, e cila ishte një shenjë në gjysmë të rrugës që tregonte finishin; fundin e garës. Gjithashtu nuk munguan as parullat me mbishkrime qesharake. Kjo lëvizje u përhap me shpejtësi në disa qytete gjermane, por edhe në Suedi.

Pas dhunës në Charlottesville, Wunsiedel është kthyer në kronikën e lajmeve. Sipas ekspertëve, protestat paqësore mund të shërbejnë si model për amerikanët e frikësuar nga lëvizjet e supermacistëve të bardhë që kërkojnë vazhdimisht protestën e dhunshme si rrugë të tyre.

Me ata që bisedova, vlerësojnë indinjatën e demonstruesve antifashistë, të cilët janë shfaqur në Charlottesville, anëtar të një grupi anti-racist me rrënjë anarkiste, të cilët janë gjithmonë të gatshëm të luftojnë ata njerëz që i konsiderojnë me bindje fashiste.

Unë do të doja të grushtoja një nazist në hundë,” më tha Maria Stephan, një drejtore programi në Institutin e Paqes të Shteteve të Bashkuara.

Por ka një ndryshim midis një përgjigje terapeutike dhe strategjike.”

Problemi, tha ajo, është se dhuna është thjesht një strategji e keqe.

Dhuna e drejtuar ndaj nacionalistëve të bardhë, vetëm sa nxit tregimin e tyre prej viktimash, të një pakice, e cila nuk mund të ushtrojë të drejtën për fjalën e lirë pa u goditur. Nga ana tjetër, ndoshta kjo mund t’i ndihmojë ata të rekrutojnë sa më shumë ndjekës. Dhe në fund, nëse dhuna e ushtruar ndaj minoriteteve është pjesa më e pështirë në retorikën e neonazistëve, atëherë nuk duhet harruar se po përdorni forcën që po përpiqeni të kapërceni. 

Më e rëndësishmja është se protestat e dhunshme nuk është se janë aq rezultative sa protestat paqësore. Ky fakt del në pah nga libri i dy studiuesve Dr. Stephan dhe Erica Chenoweth, “Pse shërben Rezistenca Civile”, të cilët shqyrtojnë argumente se si mund të fitohet lufta.

Sipas tyre, në 320 konflikte mes 1900 dhe 2006, rezistenca paqësore ishte dy herë më shumë rezultative se sa rezistenca e dhunshme për arritjen e ndryshimit. Në studim theksohet se betejat paqësore kishin më shumë shanse për t’u zgjidhur se sa ato të dhunshmet.

Arsyeja kryesore qëndronte në faktin se betejat paqësore arrinin të mbledhnin rreth vetës më shumë mbështetës dhe aleatë. Ndërsa, betejat që kishin bazë dhunën si rezistencë civile, shpesh i largonin njerëzit dhe mbi të gjitha shtyheshin në vite pa u dhënë zgjidhje kauzave që përfaqësonin.

Merrni si shembull lëvizjen amerikane për të drejtat civile. Një pjesë e asaj që e shtyu vendin drejt Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1964 ishin pikërisht imazhet, të transmetuara në të gjithë vendin, të protestuesve paqësorë, duke përfshirë gratë dhe fëmijët, herë pas here, nën dhunën e abuzimin e policëve të bardhë.

Këto imazhe nxjerrin në pah gjithashtu dy pika të theksuara nga Stephanie Van Hook, drejtor ekzekutiv i Qendrës Metta kundër dhunës.

Së pari, rezistenca paqësore është një disiplinë, dhe si me çdo disiplinë, ju duhet të praktikoheni për t’a zotëruar atë. Trajnimi kundër dhunës ishte një instrument i lëvizjes. Edhe Rev. Dr. Martin Luther King Jr dhe shokët e tij bënin prova në bodrume, duke luajtur role të ndryshme dhe duke fyer njëri-tjetrin për t’u përgatitur për atë që do të vinte më pas.

Dhe së dyti, nganjëherë të jesh i dhunuar është ajo çka po kërkonit. Në këtë mënyrë keni të gjitha shanset për të nxjerrë në pah jo vetëm hipokrizinë, por dhe kalbjen e një sistemi që ju i jeni kundërvënë. Ju nuk kundër sulmoni. Ju lëndoheni. Bota e sheh të gjithë ngjarjen. Zemrat preken më së shumti. Duhet guxim i madh: Trupi juaj përfundon duke qenë kanavacë që ka dëshmi të dhunës kundër të cilës po luftoni.

Megjithatë, mënyra ideale është shmangia e dhunës me çdo çmim. Për t’a realizuar këtë, humori është një rrugë. Realisht ai është mjeti i duhur, në mos i vetmi, që ka aftësinë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit dhe për rrjedhojë edhe dhunën. Humori është forca e artit, që ka guximin për të nxjerrë në pah absurditetin që për njerëz mendjelehtë mund t’i ngjajë një qëllimi heroik.

Mirëpo, Gjermania nuk është Amerika. Së pari, neonazistët nuk lejohen të mbajnë armë në rrugë. Gjithsesi, ne kemi shembuj të ngjashëm humori që ka shërbyer për të luftuar bindjet fashiste në SHBA. Në vitin 2012, filloi një marshim në Charlotte, N.C, që u emërtua “Fuqia e Bardhë”, të cilët u ndeshën me disa kundërshtarë të veshur si kllounë dhe që mbanin parulla që lexonin “Fuqia e Gruas” dhe hidhnin në ajër miell të bardhë.

Mesazhi ishte i qartë: Ju dukeni budallenj. Edhe pse ne jemi veshur si kllounë, ju prapseprap, dukeni qesharakë.

Për të injoruar atë që supermacistët e bardhë janë duke u përpjekur të arrijnë, protestat paqësore me tone humoristike, janë ato që shërbejnë më së shumti për uljen e numrit të mbështetësve të tyre. Përleshjet me policinë apo grupe të tjera mund të duken tërheqëse për disa të rinj të pakënaqur, por që të tallen nga disa klloun, me shumë gjasa jo dhe aq.

Megjithatë, çështja është më e gjërë se kaq. Pyetja është se pse regjimet autoritare dhe shtypëse investojnë aq shumë në nxitjen e dhunës? (Mendoni për presidentin Trump dhe talentin e tij për të ndarë në pro dhe kundër vendin, si dhe gjenerimin e kaosit.) Sepse dhuna dhe mosmarrëveshja mes njerëzve ndihmon në çështjen e tyre. Pra pse bëni atë që një sundues dëshiron që ju të bëni? /NYT

 

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko