Editorial

Shumë zhurmë për asgjë nga Fronti i Anti-Drogës!

Nga Dritan Laci
Ja ku ndodhemi prapë në të njëjtin akt të parë e stërparë “Shumë zhurmë për asgjë”. Pas një muaji të mbushur me ngjarje që tronditën themelet e shtetit, ku në qendër ishte droga dhe në bankën e akuzës së opozitës një ish-ministër i Brendshëm, jemi kthyer sërish në një vend ku çudia më e madhe zgjat tri ditë. Drogë, drogë, drogë…akuza, akuza, akuza dhe si gjithmonë pason një heshtje e gjatë ku duket se Fronti i Antidrogës në luftë me Frontin e së Keqes ose po bëhen gati për përballjen e radhës ose po presin të kalojnë edhe festat bashkë. Një situatë aspak normale për një vend që e ka humbur normalitetin që kur u fut në hartën e zezë të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve apo që fund e krye është mbjellë me drogë që mbush çdo ditë Evropën. Dhe pikërisht për ti dhënë normalitet dhe frymëmarrje një situate që duhet të kishte arritur pikën e vlimit, është pikërisht opozita.

Ajo e cila është rreshtuar fuqishëm kundër asaj të cilën Fronti i së Keqes; që ka publikuar me fakte sa e sa denoncime dhe që po vetë zhduket si pa kuptim merr rolin e një zjarrfikëse që shuan zjarrin që I ka rënë qeverisë. Një situatë që I shkon shumë për shtat Ramës dhe qeverisë së tij, pikërisht në ditët e tij më të zeza si kryeministër. A do të ishte kështu në një shtet tjetër? Besoj që Jo. Nuk ka opozitë në botë që denoncon me fakte tronditëse korrupsionin e qeverisë apo implikimin e saj në kultivimin dhe trafikimin e drogës dhe sakaq ikën me pushime. Nuk ka opozitë që të thotë më prisni pak ditë se kam prova të reja dhe zhduket pa nam dhe nishan.

Kjo është dekurajuese edhe për shumë gazetarë apo individë të cilët me kurajon e tyre qoftë profesionale, qoftë shoqërore, kanë denoncuar apo vazhdojnë të denoncojnë me fakte përfshirjen e qeverisë në afera që lidhen me drogën. Është e kuptueshme që mund të mos kesh prova çdo ditë, por a nuk do të mjaftonte moskapja e Klement Balilit për ta mbajtur zjarrin të ndezur. A do të mjaftonte moskapja e Artan Habilaj për ta mbajtur në presion qeverinë Rama. A do të mjaftonin policët që kapen çdo ditë me kamionë të mbushur me tonelata me hashash për të vënë me shpatulla pas murit qeverinë Rama. A nuk janë këto motive të mjaftueshme që opozita të mos pushojë qoftë edhe një ditë të vetme në luftën që ka nisur si Fronti i Anti-Drogës.

Kjo që po ndodh me Opozitën është një sjellje e pakuptimtë, gati dekurajuese për çdo individ që do të donte të rreshtohej kundër Frontit të së Keqes në luftën kundër Drogës. Kjo ide opozitare për të pritur sa të vijë pranvera, në një moment kur qeveria Rama ndodhet në dimrin e saj më të vështirë, apo të presë po u dha ndonjë dorë Amerika, duket shumë relaksuese për një qeveri të tillë e cila ka humbur çdo lloj kredibiliteti në imazhin e saj si dhe një mundësi shumë e mirë që Rama të riorganizohet, në një moment që situata i ka dalë jashtë kontrollit./ Opinion.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko