Aktualitet, Editorial, Kryesore

Shumë pikëpyetje mbi kryetarin legjendar të Bashkisë së Durrësit

Nga Riviera Dedaj

Vangjush Dako po konsumon mandatin e tretë si kryetar i Bashkisë së Durrësit, ose thënë ndryshe vitin e 10-të si drejtues i bashkisë së dytë më të madhe të vend. Ai është dhe një nga figurat kryesore të PS, sakaq edhe mik personal i Edi Ramës, siç e ka cilësuar vetë ky i fundit. Emri i tij është lidhur gjithnjë me afera sidomos në fushën e ndërtimit. Shumë epitete i janë vënë nga të djathtët si “Gjushi i betonit”, “Gjushi i krimit”, etj.

Dy skandale u lidhën me emrin e tij vitin e kaluar: Lirimi i Lul Berishës dhe ndërtimi i velieres mbi Torren Veneciane.

Për të parën ka një shkresë të firmosur nga Dako sipas të cilës Lulzim Berisha do punojë në bashki. Kjo besohet se ndikoi vendimin e gjykatës për ta liruar para kohe të ashtuquajturin i forti i Durrësit.

Ndërsa për çështjen e dytë, ndërtimi mbi rrënojat historike është ende sot e kësaj dite nëpër gjyqe.

Sakaq, këtë vit emri i Dakos u lakua sërish. Ambasada amerikane në Tiranë nuk i dha vizë për të shkuar në SHBA. Vetë Dako ka preferuar të heshtë për këtë çështje, kur është pyetur nga gazetarët.

Ndërsa më 23 tetor (1 muaj më parë) gazetari Blendi Fevziu shkruante: “Qarkullojnë përgjime të një kryetari bashkie të rëndësishëm me eksponentë të njohur të botës së krimit, një dosje që implikon të afërmin e një Ministri, raporti i një shërbimi perëndimor për klanet dhe familjet mafioze në Shqipëri si dhe një dosje e rëndësishme korrupsioni që me gjasë do të vihet në lëvizje edhe nga organet e hetimit shumë shpejt!”.

Duket se i përgjuari është Vangjush Dako! Lideri demokrat Lulzim Basha artikuloi emrin e kryebashkiakut të Durrësit duke deklaruar se ka nisur një hetim nga Krimet e Rënda në bazë të disa përgjimeve telefonike ku Vangjush Dako kërkon vota nga kriminelë në Durrës në këmbim të tenderave.

Nëse kjo rezulton e vërtetë, (dhe është Prokuroria ajo që duhet të thotë fjalën e saj) është skandali i dytë i madh për qeverisjen e majtë pas çështjes Tahiri.

Me kë ka folur Vangjush Dako? Si dhe kush e përgjoi atë? A është në dijeni Edi Rama dhe a po influencon ai drejtësinë? Këto janë pikëpyetje shumë të mëdha, dhe qytetarët presin përgjigje…/Opinion.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko