Editorial

Shteti i përkohshëm i Edi Ramës!

               Publikuar në : 18:52 - 10/01/18 |
m.b

Manjola Bregasi

Edhe pse portali online i punësimit të mësuesve rezultoi një flluskë sapuni që shpesh i la të papunë fituesit e vendeve të para të konkursit dhe në pritje shumë të tjerë, duket se për Kryeministrin kjo nuk ka rëndësi. Ai ka vendosur që këtë strategji ta praktikojë edhe tek infermierët, ndërsa deklaroi së fundi, se janë të paktën 420 vende bosh në këtë fushë.

Por më shumë se sa meritë e qeverisjes së tij, kujtojmë që vendet bosh të infermierëve kanë një shkak tjetër, të njohur tashmë edhe statistikisht. Ky profesion kaq i kërkuar në Europë i ka shtyrë infermierët dhe veçanërisht të rinjtë të kërkojnë punësim në vendet e Bashkimit Eruopian, sidomos në Gjermani, duke krijuar mungesë shërbimi në vend.

Por, ndërsa qytetarët e thjeshtë duhet të aplikojnë mes konkurseve dhe portaleve që shpesh nuk i çojnë askund, ka disa sektorë që nuk kërkojnë as konkurse dhe as portale, por emërime me vetëm një kusht: Të qenit i përkohshëm.
E kemi fjalën për institucione të rëndësishme të vendit, strategjikë për sigurinë e tij, ku emërimet apo komandimet e krerëve të tyre janë një strategji e pastër politike, e veshur me petkun “E përkohshëm”.

E përkohshme është Kryeprokurorja, i përkohshëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, i Përkohshëm edhe kreu i SHIKU-t.
Nga t’ja nisim. Asnjëri prej tyre nuk është më pak i rëndësishëm se tjetri, asnjëri nuk erdhi pa bërë zhurmë.
Nëse një mbarim mandati i Adriatik Llallës i jepte Ramës gjithë të drejtën e botës të kërkonte një Kryeprokuror të Ri, (pavarësisht mënyrës së përdorur) në rastin e Haki Çakos dhe Visho Ajazit, gjërat janë krejt ndryshe.

Kur policia nisi seriozisht të kapte gomonet e drogës dhe kur Xhafa publikisht pranoi problemin me kanabizimin e vendit, Drejtori i Policisë së Shtetit shkarkohet. Në vend të tij, përkohësisht deri në emërimin e drejtorit të ri do të qëndrojë zëvendësi, Rebani Jaupi.

E papritur ka qenë edhe dorëheqja e kreut të SHISH Visho Ajazi Lika, pikërisht në momentin kur në media nisi të kërkohej zbardhja e njërës nga mbledhjet e Këshillit të Sigurisë, ku kreu i SHISH kishte raportuar me sa duket detaje delikate. Ndërsa Visho Ajazit iu gjet shumë shpejt një post Ambasadori, shumë më shpejt se kaq, Rama kishte gati emrin e zëvendësit, por edhe ky i përkohshëm.

Helidon Bendo, nr. 2 i Shërbimeve Sekrete do të jetë në krye të institucionit deri në zgjedhjen e një kryetari të ri, që veç Ramës duhet të ketë bekimin edhe të presidentit.
Ndërkohë, Arta Marku, e votuar mes tymit e zhurmës, pret krijimin e KLP-së për të marrë vesh nëse do të ketë ndonjë shans të jetë e përhershme e të hetojë ndonjë peshk të madh, sikurse kërkoi edhe Ambasadori Amerikan.
Por deri atëherë, shteti i Ramës do të mbetet i përkohshëm.

Pas