Aktualitet, Sport, Te Fundit

Shqipëria, nënkampione e Ballkanit në Luftimet Mikse Marciale

20 medalje individuale, tre ari, tre argjendi dhe katërmbëdhjetë bronzi. Shqipëria e ndeshjeve të lira është nënkampione e Ballkanit në aktivitetin e fundit të MMA-së, që është zhvilluar në Veliko Ternovo të Bullgarisë, 12-14 maj. Për Federatën Shqiptare të Ndeshjeve të Lira, që drejtohet nga Arjan Rizaj, i cili është njëkohësisht dhe zëvendëspresidenti i MMA-së, kjo është arritje historike. Nuk duhet harruar që ka qenë një delegacion sportiv prej 22 sportistësh, atje ku janë marrë plot 20 medalje, që ishin tre ari, tre argjendi dhe katërmbëdhjetë bronzi. “Paraqitja ishte shumë e mirë – thotë Rizaj për RTSH Sport dhe Sport Ekspres – sepse jo vetëm që jemi përfaqësuar me ekip të plotë nga mosha 10 vjeç deri tek të rriturit, por kemi sjellë disa medalje, të cilat e bëjnë sportin e MMA-së në vendin tonë që të ndihet krenar. Jemi në vendin e dytë, por mund të ishim dhe më lart dhe kjo nuk ka diskutim nëse nuk do të kishte paragjykime. Mos harroni që kemi mundur shtete si Bullgaria, Serbia dhe Turqia. E rëndësishme që kemi qenë dinjitoz në një aktivitet me forcat tona. Madje gjej rastin të falënderoj ambasadorin tonë në Bullgari, Qirjako Kureta, i cili së bashku me stafin e tij na ka qëndruar pranë. Dhe ndonjë qëndrimi pranë është më shumë se gjithçka. Ndaj ndihem mirë me të gjitha arritjet”.

Medalistët e Shqipërisë

Fillimisht janë tre medalje ari, që kanë ardhur nga Nikola Pitarelo në peshën 84 kg për kategorinë e kadetëve, Luçiana Gjuraj në peshën 52.5 kilogram për kadetë vajza dhe Ermal Hadribeaj në peshën 70 kg për të rritur. Më pas janë tre medalje argjendi, të cilat janë fituar nga Bjorni Rustemi në peshën 77 kilogram për kadetë, Anxhela Aliaj në peshën 70 kilogram për kadetë vajza dhe Eris Plasari në peshën 93 kilogram për të rritur. E më pas katërmbëdhjetë medalje bronzi, që nisin që tek fëmijët me Mateo Tomanin në peshën 52.5 kilogram, Edi Pitarelo në peshën 52.5 kilogram, Flori Hoxhallari në peshën 56.5 kilogram dhe Redi Malushi në peshën 52.5 kilogram. Më pas për kadetë në vendin e tretë ka ardhur për Kristian Bakallin. Për të vijuar tek të rinjtë me Elio Elezaj në peshën 61 kilogram, Igli Bejko në peshën 65.5 kilogram, Erind Trungu në peshën 56.5 kilogram dhe Arbër Goga në peshën 65.5 kilogram. Për të rritur në vendin e tretë janë renditur Klajdi Metani në peshën 77 kilogram, Emanuel Rakipi në peshën 70 kilogram, Eglantin Hoxhallari në peshën 65.5 kilogram, Renato Dragoti në peshën 65.5 kilogram dhe Arbër Hysa në peshën 61 kilogram. Dhe mes këtyre 20 medaljeve, Rizaj e mendon se Hadribeaj është simboli i MMA-së shqiptare. “Ai mbetet simbol, aq më tepër që ishte në vendin e katërt në Evropë për vendime arbitrare. Megjithatë është një sportist i përgatitur dhe ne për këtë jemi mirë. Por ne kemi dhe sportistë të përgatitur, që janë paraqitur denjësisht në Ballkaniadë të tillë si Manuel Rakipi, Nikola Pitarelo, Klajdi Metani, Eljo Elezaj, Eris Plasari, Renato Dragoi, Armand Dollani, Eglantin Hoxhallari, Kristian Bakalli, Arben Hysa, Erin Trungu, Edi Pitarelo, Redi Genci Malushi, Bjorni Rustemi, Anxhela Albert Aliaj, Arbër Goga, Mateo Tomani, Luçiana Gjuraj, Igli Bejko dhe Çelstina Primo Gjuraj. Dhe për këtë ne jemi të kënaqur”.

Aktivitetet e radhës

Presidenti i Federatës Shqiptare së Ndeshjeve të Lira, Arjan Rizaj, ka treguar se tashmë Shqipëria do të jetë dhe organizatore e Kampionatit Ballkanik, i cili në tetor do të bëhet në Tiranë. “Por përpara – thotë Rizaj – do të kemi dhe “Gladiator 6”, të cilën shpresojmë ta bëjmë në sallën e re të Parkut Olimpik. Pa harruar dhe Kupën e Shqipërisë. Por në përgjithësi jemi në rrugë të mbarë dhe këto 20 medalje në ballkaniadë, bashkë me vendin e dytë si ekip, na bëjnë krenar”./ Sport Express

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko