-Politikë, Aktualitet, Te Fundit

Shkullaku: Edi Rama nuk i afrohet as Nanos dhe as Berishës për këtë arsye

Gazetari Armand Shkullaku ka komentuar sot modelin e Edi Ramës, i cili është gati të negociojë gjithçka me përjashtim të karriges së tij.

Në një analizë të botuar sot në Gazetën “Mapo” ai shkruan se Rama nuk i afrohet modelit të Berishës, i cili nuk e negocionte karrigen e tij as në vitin 1997 kur vendi ushtonte nga armët; por as edhe modelit të Nanos i cili karrigen nuk e shikonte fron hyjnor dhe disa herë u largua prej saj.

“Shqipëria, e cila ka kaluar jo pak kriza politike, ka njohur deri më sot dy modele të qasjes ndaj tyre. Me gjithë variacionet, këto dy modele mund të përafrohen në modelin Berisha dhe modelin Nano. Modeli i parë, i atij që e konsideronte të shenjtë karrigen e tij dhe nuk e çonte ndërmend ta negocionte, që rizgjidhej president ndërsa vendi ushtonte nga armët, që nuk negocionte asgjë dhe askënd, e çoi vendin në krizën më të thellë, pavarësisht se edhe atëherë kishte plot zëra që fajin ia vinin opozitës së kohës që bojkotoi zgjedhjet dhe nuk hyri në Kuvend. i njëjti model nuk negocioi asgjë edhe shumë vite më vonë, kur opozita e Edi Ramës nisi grevën e urisë dhe për hir të “mandatit të popullit”, pavarësisht kostove me jetë njerëzore, nuk lejoi t’i prekej gardhi i “institucionit kushtetues””, shkruan Shkullaku.

Sipas tij “Modeli Nano në raport me krizat e rënda që ka kaluar vendi, ishte ai që karrigen nuk e konsideronte si fronin hyjnor, të paprekshëm nga humanët. Ky model, postin e të parit të qeverisë e shihte si përgjegjësi dhe të drejtë të një grupi politik dhe jo të një individi- misionar. Fatos Nano kaloi katër vite në qeli, fitoi zgjedhjet me numra dërrmues në vitin ’97 dhe pranoi që vendi të drejtohej edhe për disa kohë nga një tjetër kryeministër për hir të uljes së tensioneve dhe shmangies së konfliktit me opozitën. Pushtetin e madh e ndau mes aleatëve, madje edhe me ata që i kishte kundërshtarë në parti. Në më pak se një vit, ndërsa opozita sulmoi kryeministrinë, e dorëzoi postin e kryeministrit duke mos e konsideruar atë si vullnet të panegociueshëm të shumicës së shqiptarëve, por si një të drejtë të familjes së tij politike, për të mandatuar dikë tjetër e për të mos i hedhur benzinë zjarrit për hir të ngjitjes pas karriges. E ndonëse fitoi me garë edhe njëherë kreun e partisë, përsëri për të mos provokuar një tjetër konflikt, postin e kryeministrit ua la në dorë prapë socialistëve”.

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko