-Sociale

Shemben “7 Xhuxhat”, ja çfarë do ndërtohet tek Rruga e Elbasanit (foto)

               Publikuar në : 13:40 - 12/01/18 |
ri.de.

Me dhjetëra forca policie dhe ato të bashkiakes janë parë sot në parkun e lojërave “7 Xhuxhat” në hyrje të Rrugës së Elbasanit. Në media u raportua se ka nisur shembja e parkut, për të ndërtuar aty një kullë me shumë kate. Opinion.al u interesua pranë Bashkisë së Tiranës e cila tha se në atë zonë do ndërtohet një parking i madh me dy kate, me rreth 150 vende. Sipër parkingut do të jetë një park i ndërthurur me stola, pemë dhe kënd rekreativ me minifusha.

“Bashkia ka nisur zbatimin e një projekti për rikonceptimin e parkut të lojërave të fëmijëve dhe ndërtimin e një parkimi nentokesor. Këndi rekreativ do të jetë i ndarë në disa module, ku do të jenë të shpërndara lojëra dhe hapësira të ndryshme si: loja e shahut, ndërtim infopoint, shatërvan, lojëra për fëmijë, sheshi i pasqyrave, vazeta e gjelbëruar, vazeta e pemës etj. Krahas funksionit rekreativ, projekti parashikon edhe shtimin e një parkimi nëntokësor me dy kate nëntokë me 148 vende parkimi”, tha burimi zyrtar nga Bashkia e Tiranës.

Nga burimet të tjera, Opinion.al mësoi se tenderi për këtë projekt “parking+park” kap vlerën e 2.7 miliardë lekëve dhe fituesi është shpallur në muajin nëntor të vitit që lamë pas. Punimet për këtë projekt pritet të zgjasin dy vite.

Sakaq në media raportohet edhe për ndërtimin e një kulle me 25 kate në këtë zonë. Fakt të cilin Bashkia nuk e pohon. Sipas portalit Exit. al kulla që shihni në foto me hartën e Shqipërisë pritet të ndërtohet në Rrugën e Elbasanit pranë këndit të lojërave nga kompania DT1 shpk. Po sipas mediave online ku projekt mbahet i fshehtë nga bashkia dhe qeveria.

Shembja e këndit të lojërave “7 xhuxhat” është pritur me kundërshti nga pronari që e ka patur deri tani. Gjithashtu shumë qytetarë shkruajnë në rrjetet sociale se Bashkia po shemb hapësirën më të madhe dedikuar fëmijëve që ka kryeqyteti.
Lidhur me prezencën e Policisë së Shtetit, ajo tha se “jemi aty në mbështetje të Policisë Bashkiake”.

/Opinion.al

Bashkëngjitur fotot e projektit të ri që publikohen nga Bashkia e Tiranës

*Foto të policisë tek këndi i lojërave “7 Xhuxhat” tek Rruga e Elbasanit

 

Pas