-Kulturë, Aktualitet, Te Fundit

Sagrada Familia, bazilika simbol i qytetërimit evropian dhe himn i përjetësisë

Sagrada Familia sfidon kohën dhe historinë, një vepër kolektive, një teknikë dhe laborator bukurie, një simbol i një Evrope që ruhet me kujdes

Çdo qytet jeton me simbole që e bëjnë atë universal në sytë e njerëzve, pavarësisht nga raca, kultura dhe gjinia. Këto janë imazhet që popullojnë mendjet tona, aq të fuqishme, sa që të mbeten të mbërthyer në kujtesën tonë dhe nuk është rastësi që, kur zgjedhin se çfarë të godasin në një metropol, identifikohen ato vende specifike, që shpojnë thellë në zemër dhe në shpirt komunitetin e tij.

Lajmi i zgjedhjes së Sagrada Familia si shënjestra e parë për sulmin vdekjeprurës në Barcelona, nuk habit aspak, sepse pikërisht kjo bazilikë e fuqishme, është simboli më i famshëm dhe i njohur i kryeqytetit katalanas, përveç se është një nga qendrat më të rëndësishme ekumenike të Gadishullit Iberik. Ne po flasim vetëm për një monument të artit dhe arkitekturës unik në botë, por edhe faktin se kjo kishë, e cila nisi më 19 mars 1882 dhe nuk ka përfunduar ende, i detyrohet për ekzistencën e saj, mbledhjes së vazhdueshme të donacioneve nga populli, donacione që mundësojnë ndërtimin progresiv të saj.

Pra, Sagrada Familia është mbi të gjitha një monument kolektiv i besimit të krishterë dhe çdo fragment i këtij objekti kompleks, është projektuar si një tregim në formë guri, i Shkrimeve të Shenjta, si dhe të gjitha shtyllave simbolike të kulturës së krishterë. Në përputhje me këtë mision, katedralja është një laborator i jashtëzakonshëm krijues, që ia dedikon suksesin e saj gjenialitetit të padiskutueshëm të Antonio Gaudi, babai i arkitekturës moderniste katalanase dhe një nga projektuesit më të njohur për publikun e gjerë, për aftësinë unike për t’u dhënë formë veprave, çdo herë befasuese.

Historia e katedrales është e lidhur me fije të dyfishtë me jetën e këtij autori, i cili u thirr në moshën 31 vjeç për të zënë vendin e Francisco de Paula del Vilar Y Lozano, arkitekti të cilit i ishte kërkuar projektimi i një kishe të madhe për Bashkësinë e Bijve dhe Bijave Misionare të Familjes së Shenjtë. Në sajë të një mbledhje të parë e të rëndësishme fondesh u ble një bllok i tërë në periferinë Eixample, dhe u vu gur-themeli i kapelës, së asaj që do të bëhej një kishë e madhe në stilin neo-gotik. Pas një viti, Lozano braktisi projektin dhe detyra ra mbi Gaudin, rishtar, por i tërhequr nga një besim i fuqishëm, që e shtyu t’i kushtonte më shumë se 40 vjet të jetës së tij projektit, nga të cilët 15 vitet e fundit ia kushtoi vetëm ndërtimit të kësaj vepre unike.

Është një vepër unike, ëndërr e një arkitekture që frymëzohet nga Natyra, pikërisht prej faktit se nuk ekzistojnë skicat finale të Gaudit, për ta përfunduar ndërtesën. Autori katalan veproi në këtë kantier si një mjeshtër i vërtetë mesjetar, i bindur se mbledhja e fondeve do i jepte kohë të mendonte zgjidhjet e ndryshme për të përfunduar një vepër, e cila me siguri do të vazhdonte pas vdekjes së tij. Kur vdiq në vitin 1926, në këmbë ishin vetëm një fasadë, pjesa anësore dhe 4 kolonat ballore, që u përfunduan prej asistentit të tij në 10 vitet që pasuan. Nuk ekzistonte asgjë tjetër nga ai monument madhështor që sot mund ta admirojmë dhe që u konsakrua vetëm në 7 nëntor 2016 nga Benedikti XVI, falë punës së arkitektëve dhe skulptorëve të tjerë, të cilët kanë vazhduar duke interpretuar mendimin e krijuesit.

Në atë fabrikë, Gaudi ka provuar forma dhe gjeometri që asnjë arkitekt modern nuk ka guxuar ndonjëherë të afrohet, i bindur se burimi i vetëm i frymëzimit për kolonat e mëdha, harqet, majat duhej të ishte vetëm Nëna Natyrë.

Pra, masa imponuese dhe vizionare e kësaj ndërtese, e cila bashkon katedralet gotike katalanase dhe imazhin e Montserratit, malit të shenjtë të kulturës katalanase, është një sekuencë gjeometrish ekstreme, të gjitha forma të frymëzuara nga bota natyrore dhe të transpozuara në vëllime unike, për të mbajtur ngarkesën dhe presionin e kësaj ndërtese të fuqishme 110 me 80 metra, me pesë altarë për 4500 metra katrorë, 18 kulla dhe një kapacitet prej 14,000 besimtarësh.

Që në vitin 1936, në fillim të Luftës Civile Spanjolle, një grup anarkistësh i vunë zjarrin pjesës së nëndheshme, por e kursyen kishën si vepër arti. Sagrada Familia sfidon kohën dhe historinë, një vepër kolektive, një teknikë dhe laborator bukurie, një simbol i një Evrope që ruhet me kujdes. / La Stampa – Bota.al

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko