Komente, Kryesore

Res publica e Teatrit

Nga Fisnik Biba

Këto pak vetje që bëjnë shumën e vendimit për shembjen e teatrit, janë shembull i qartë se si merren vendimet me maskën e mandatit këtu në Shqipëri. Kur bëhet fjalë për res publica-n, gjënë e përbashkët ku seicili ka hise, gjithë këto vite kalimtare kanë qenë në dobi të një pale të stër-vogël njerzish. Përpjekjet për t’i veshur emra të ndryshëm shfrytëzimit të saj të egër, të quajtura diku modernizuese, janë të një lloji të vjetër. Shqiptarët kanë mundur ndërkohë të lëvizin në hapësira ku rregulli dhe ligjet kanë një përmbajtje, një thelb të patjetërsueshëm, që bie ndesh me shtrembërimet që gatuhen këtejpari.

Rrethana është po ajo e njëzet-e-tetë viteve të fundit. E njëjta lehje që paralajmëron për kafshim. Kësaj rradhe mësyhet një ngrehinë historike që është, me aq sa mundet për ne, dhe një qendër kulture. Mban një emër të hijshëm: Teatri Kombëtar! Por ka fajin të ndodhet në një truall të lakmueshëm.

Besohej se, të ardhur në këtë pikë, ndërgjegja jonë qytetare do na çonte natyrshëm drejt mbrojtjes së saj. Por kjo ndodhi e s’ndodhi. Ose më mirë, u bë ç’ishte e mundur për t’a përcjellë ngjarjen të dyzuar. Në një anë, u dhanë arsye për shembjen e saj, rrezikun e lartë që paraqet prania e një ndërtese historike; e lënë pas dorë, katandisur për faj të askujt në atë gjendje, ajo palo ndërtesë mund të hante kokat e njerzëve. Dhe, në anën tjetër, na u shfaqen disa nostalgjikë trillane që qanin hallin e tyre, të përçarë dhe ndërdyzash a t’i hidhnin poshtë ato pak mure ku një kohë patën gjetur strehë.

Oh, kuptohet, e gjitha është Shumë zhurmë për asgjë! Është një çështje theatri!
Turpi që kryeqyteti ka aq pak histori të ruajtur, nuk është lajmi në këtë mes. Dhe tjetra akoma, që kjo është një çështje që nuk do shtrohej, sikur ne të ishim një shoqëri më pak e korruptuar!

Vlen ndoshta të kujtohet një ngjarje për kështjellën Sforzesco që ndodhet në qytetin e Milano-s. Trualli i saj, andej nga fundi i shekullit XIX, lakmohej shumë nga firmat ndërtuese të kohës. U bë çmos që historia e larmishme e kështjellës të baltosej: me sallat e pikturuara nga Da Vinci, asaj iu lakua emrin në gazeta si një shtëpi despotësh, nga e cila do ish mirë të mos mbetej asgjë në kujtesë. Shto këtu, gjendjen e mjerueshme në të cilën kështjella kredhej, dhe ja ku keni arsyet për të cilat një grusht i vogël njerëzish gati sa nuk e hodhën poshtë. Për fat, iu gjenden në krah një dorë kritikësh arti, me në krye Luca Beltrami-n, që bënë të njohur ndër qytetas babëzinë e tyre. E gjith’ historia sot duket aq e vagullt, sa t’i thuash banorëve në qytet se kështjellës vjetër i është kanosur një rrezik i tillë, iu ngjan si lojë.

Pra, kjo ndodhí përshtatur e përshkallëzuar në rastin tonë, jep drejt moralin e fabulës:
Nuk është teatri, por trashigimia ajo që trandet në këtë mes. Dhe kjo do bëhej mu midis qytetit, para syve tanë, me një dhimbje të pashmangshme. Prishja e saj përveçse lëndore, do ish një shembje simbolike e asaj që ka mundur të qëndrojë në kohë. Të kujdesemi për aq pak sa kemi është vendimi më i drejtë që mund të merrej, kundër atyre që lakmojnë të kafshojnë res publica-n tonë.

Te e fundit, nga ky terr dilet me më shumë kulturë, jo siç mendohet egër me më pak.

/Opinion.al

Lajmi ParaLajmi Pas
©2018 All Rights Reserved Opinion.al
« Kthehu Rifresko