Editorial

Rama, Taçi, Beso, populli dhe flluska e sapunit ku kemi pranuar të jetojmë

               Publikuar në : 17:32 - 25/01/18 |
Gerta

Nga Manjola Bregasi

Ashtu si premtimet elektorale, ashtu si fushatat e detyrimeve tatimore, ashtu si aksioni i pagesës së dritave, në këtë vend për fat të keq edhe besimi po kthehet në flluskë sapuni.
Në fillim nën zë, tashmë hapur, shkeljet e ligjit apo standardet e dyfishta ta përplasin në fytyrë arrogancën që, vazhdon të ketë viktima njerëzit e thjeshtë, ata pa përkrahje dhe shtresat më të varfra të shoqërisë.
Për fat të keq filozofia e brumosjes sime është e majtë. Ndiej keqardhje për njerëzit e varfër, për shtresat vulnerabël, për endacakët që shoh çdo ditë të lypin lëmoshën e përditshme rrugëve të kryeqytetit. Them për fat të keq, sepse kuptoj që ky është vendi I gabuar për brumosje të tilla dhe për të tilla shtresa. Janë ata që vuajnë më shumë, në luftën e përditshme për mbijetesë.
E si të mos mjaftonte gjithë lufta e përditshme e mbijetesës, që njerëzit e zakonshëm përpiqen çdo ditë ta mbajnë larg vetes në realitetin ku jetojnë, befas dikush, me krenari, ndoshta dhe naivitet (gjë që në fakt e dyshoj) një mbrëmje, teksa telefonoi në studion e emisionit “Opinion” pranoi të thotë një të vërtetë të guximshme. “Unë I kam shtetit shqiptar 25 milionë euro taksa”. Një shifër që për pjesën më të madhe të popullatës as nuk arrin të zbërthehet në lekë me shumë zero pas.
Por zoti Besnik Sula, pranoi që ky është një borxh, të cilin kompania IRTC, që menaxhon rafinerinë e Ballshit, ka vendosur t’ja shlyejë shtetit me këste, sipas një marrëveshjeje që ai deklaroi se kishte bërë me tatimet.
Sigurisht për këtë nuk mund ta fajësojmë zotërinë biznesmen, ndonëse emri I tij ka qenë shpesh I përfolur si një emër pranë Kryeministrit.
E vetmja arsyeja për të cilën do e kisha fajësuar zotërinë në fjalë, është pranimi I kësaj të vërtetë në sytë dhe veshët e miliona shqiptarëve, të djegur për një bukë të shitur pa faturë tatimore, apo të burgosur për dy kafe pa kupon kase.
M’u kujtua fushata e tatimeve në kohën e Brisit dhe bizneset e vogla që nxituan të blinin kasat qindra mijëra lekë, për të mos e parë veten nëpër faqet e gazetave apo nëpër burgjet e hapura të shtetit shqiptar.
Por si të mos mjaftonte e gjithë kjo, shifrat flasin edhe për 1.7 milionë dollarë që rafineria e naftës mbart borxhe ndaj OSHEE. Të Besos, Taçit a nuk e di të kujt, por të një kompanie të madhe, të cilën shteti e lejoi të bënte si deshi.

Ndërsa mua m’u kujtua historia e Urimit të vogël në Rrajcë të Librazhdit. I ati vari veten dy vjet më parë, sepse nuk mundi të paguante faturat e prapambetura të energjisë elektrike dhe OSHEE vendosi t’i lërë në errësirë, për të paktën 6 muaj, edhe pse në familje ndodheshin dy gra të sëmura. Dhe sigurisht faturat e Urimit të vogël nuk I kalonin 2 mijë lekë të vjetra në muaj.
Unë ende nuk e kam të qartë se cila filozofi, doktorine, qeverisje, pushtet a çfarë do emri vendosini do t’i lejonte standarde të tilla, e ca më keq akoma do I pranonte hapur si zotëria në fjalë, që për fat të keq nuk bëri tjetër veçse na kujtoi edhe një herë flluskën e sapunit ku Edi Rama na ka vendosur të jetojmë.

Pas