Editorial

Rama, Strasburgu dhe “Peshku i kripur” i Lungomares

               Publikuar në : 14:14 - 12/01/18 |
ri.de.

Nga Dritan Laci

Arka e shtetit shqiptar, por mbi të gjitha ata që do ta vuajnë, taksapaguesit, qytetarët do të duhet të paguajnë edhe njëherë shumë shtrenjtë faturën e arrogancës së pushtetarëve të tyre. Sot Gjykata e Strasburgut vendosi që qeveria shqiptare ti paguajë një dëmshpërblim prej 13 milion eurosh banorëve të një pallati pranë Ujit të Ftohtë në Vlorë; pallat që qeveria shqiptare e shembi në dhjetor të vitit 2013 në mënyrë arbitrare me direktivë të kryeministrit rishtar Edi Rama, për ti hapur rrugë projektit të “Lungomares”.

Një vendim i Gjykatës së Strasburgut që nuk vuri thjesht në vend të drejtën e disa dhjetra banorëve të një pallati për pronën e tyre, por që i dha edhe një shuplakë të fortë harbutërisë me të cilën Rama është sjellë përgjatë të gjithë qeverisjes duke shkelur në mënyrë të hapur të drejtën e pronës në ato projekte që ka ndërrmarrë, duke vënë në punë të gjithë mekanizmat shtetërorë për të ‘zbythur’ banorët nga pronat e tyre. Mjafton të kujtoj këtu sjelljen me banorët e shtëpive në rrugën Transballkanike në Vlorë, po kështu edhe me banorët e Himarës në atë që quhet si projekti rilindës i qendrës së qytetit, etj. me radhë ku Rama nuk ka bërë Kryeministrin por kapadaiun duke mos pyetur për asnjë të drejtë të pronarëve.

Por, ky vendim sikundër e theksova në hyrje të shkrimit nuk është vetëm një shuplakë e ftohtë për Ramën se si ai duhet të respektojë një shtet ligjor, por është edhe një faturë e kripur financiare që Rama duhet të japë llogari para drejtësisë për vendimin e tij. Pasi nuk ka asnjë logjikë të shëndoshë matematikore që projekti në vetvete në këtë rast “Lungomare” të kushtojë 8.2 milion euro dhe shembja në mënyrë arrogante e një pallati, pa pritur vendimin e gjykatës të kushtojë 13 milion euro. Pra në total duke marrë për bazë edhe dëmshpërblimin që shteti shqiptar duhet ti paguajë banorëve të pallatit, kostoja e Lungomares shkon në 21 milion euro, kur fare mirë qeveria shqiptare mund të hynte në bisedime me banorët që në krye të herës dhe kostoja të ishte shumë më e ulët.

Por jo vetëm kaq! Nëse vërtet besonte se kishte të bënte me një objekt të paligjshëm, qeveria duhet të kishte durimin të priste vendimin e shkallëve të gjyqësorit dhe më pas të vepronte. Ndaj sot Rama duhet të japë llogari para drejtësisë për vendimin e tij. Dhe jo vetëm Rama por çdo pushtetar që abuzon me pushtetin dhe paratë e taksapaguesve. Nëse vërtetë z. Lu e ka seriozisht këtë punën e peshqve të mëdhenj, ja ku është një rast që znj. Kryeprokurore e Përkohshme të rihapë hetimet dhe të vendosë përpara bankës së drejtësisë që nga ata që dhanë lejen për objektin në buzë të detit deri te shkaktari i dëmit prej 13 milion eurosh, që rezulton të jetë kryeministri Edi Rama me arrogancën e tij./Opinion.al

Pas