Aktualitet, Komente, Te Fundit, Të Gjitha

Rama pranon dështimin me biznesin e madh, po tatimet ku ishin?

Në një takim të zhvilluar paraditen e së martës me bankat ku ka folur për rritjen ekonomike, Kryeministri Edi Rama ka pranuar publikisht, ndonëse në mënyrë indirekte se qeveria që ai drejtoi prej 4 vitesh jo vetëm që nuk ja dalë në luftën me informalitetin, por se janë pikërisht bizneset e mëdha që përfitojnë nga kjo skemë. Ai ka folur për kompani që paraqesin dy bilance, një të suksesshëm tek bankat dhe një të pasuksesshëm tek tatimet, me qëllimin për të evituar taksat.
“Historia e dy bilanceve, që kur vinte banka, kompanitë tregojnë sa shumë kanë dhe kur vinte shteti, kompanitë tregojnë sa keq janë, do marrë fund nga janari i vitit 2018. Ka dy vjet që e kemi bërë me dije dhe prandaj, të gjitha kompanitë, – sigurisht, objektivi janë kompanitë e mëdha, – duhet ta kenë shumë të qartë, tatimet e Republikës së Shqipërisë nuk do të njohin asnjë bilanc tjetër, përveç bilancit që këto kompani iu dorëzojnë bankave, për të treguar sa shumë kanë dhe mbi atë bazë do të tregojnë detyrimet e tyre për arkën e buxhetit të shtetit”.
Kështu u shpreh Kryeministri Rama në takimin e sotëm, duke shtuar se 800 kompanitë më të mëdha në vend deklarojnë rroga më të ulëta për punonjësit e tyre: “Sot, ne kemi 800 kompanitë më të mëdha të vendit që, imagjinojeni, deklarojnë se 42 % e punonjësve të tyre paguhen nën 300 mijë lekë të vjetra, deri edhe inxhinierë. Pra, kemi të bëjmë me një shmangie të patolerueshme të detyrimeve ndaj punonjësve, duke ju dhënë gjysmën e rrogës mbi dorë dhe gjysmën e rrogës nën dorë, duke ju kompromentuar seriozisht të ardhmen dhe pensionin e natyrisht, një dëm të drejtpërdrejtë për arkën e shtetit dhe padyshim, për shoqërinë si e tërë”.

Por nëse me këtë deklaratë që synon të forcojë shtetin dhe të ardhurat e arkës së tij, Rama pranon që në 4 vitet e shkuara skema e tij tatimore ka goditur vetëm biznesin e vogël, një tjetër pyetje ngrihet vetiu: Ku është administrata tatimore e Shqipërisë dhe si është e mundur, që ajo nuk ka çuar të paktën një kallëzim penal për këto subjekete që luajnë me bilance të dyfishta? A ka fakte dhe prova për këto deklarata që kryeministri jep dhe përse iu desh një mandat i dytë për të vënë rregull tek “peshqit e mëdhenj” të ekonomisë, ndërsa burgosi dhe gjobiti tregtarët e vegjël për çdo mungesë të kuponit tatimor? / Opinion.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko