Aktualitet, Editorial, Kryesore, Te Fundit, Të Gjitha

Rama nuk është Dalla Chiesa i Shqipërisë, mos ja jepni këtë kënaqësi

Nga Dritan Laci

Kush e ka dëgjuar Ramën e mesit të mandatit të parë dhe kush ka dëgjuar Ramën e mandatit të dytë e kupton menjëherë se Rama i Parë dhe Rama i Dytë nuk duan ti ngjajnë njëri tjetrit edhe pse janë e njëjta shëmbëlltyrë që nga viti 2013 kur po i njëjti Ramë erdhi në pushtet. Po kështu duke parë Ramën e Parë që fliste për kanabisin që nuk ekzistonte gjëkundi përveçse në mendjet e sëmura nga opiumi i marrëzisë dhe Ramën e Dytë që shpall vitin 2017 si vitin e luftës kundër Kanabisit, është e kuptueshme që Rama i Dytë po kërkon të lajë fytyrën e sterrosur të Ramës së Parë. Ajo që duhet të mendojmë tashmë është; a duhet tja bëjmë këtë nder Ramës të jetë edhe kryeministri që në periudhën e qeverisjes së tij Shqipëria u mbush anekënd me Kanabis, edhe kryeministri që po kërkon të pastrojë Shqipërinë nga Kanabisi.

A mundet të jetë Rama njëkohësisht edhe një i përlyer në mos direkt të paktën politikisht përgjegjës për gjendjen aktuale të drogës në Shqipëri edhe njëkohësisht një Dalla Chiesa që ju besua detyra për të luftuar drogën në Palermon e fillimviteve ‘80? A mund ti jepet Ramës karta bianca siç e kërkoi dhe ju dha Dalla Chiesas kur pranoi të merrte detyrën e vështirë të Prefektit të Palermos, një qytet gati i ngjashëm në atë kohë për nga situata e krimit me Shqipërinë e sotme? Nëse do tja jepnim këtë nder sot Ramës së Dytë pa i kërkuar llogari për Ramën e Parë, nuk do bënim asgjë tjetër vetëm se do ti jepnim Ramës së sotëm një shans që nuk e meriton; të dalë i larë nga ky zullum ku e ka zhytur Shqipërinë gjatë qeverisjes së tij. Të paktën politikisht Rama është përgjegjësi numër 1 dhe si i tillë duhet të japë fillimisht dorëheqjen dhe në mos me kosto ligjore, të paktën duhet të paguajë kostot politike.

Rama ka humbur sot çdo betejë me kartat e bardha. Ju dha kartë e bardhë për drejtësinë dhe e humbi, rasti e vërtetoi me çështjen Tahiri ku i vuri të tijët në rresht për ta mbrojtur. Rama ka humbur kartën e bardhë me atë që e amplifikoi si Policinë e Re të Rilindjes. Rama po bën çdo ditë autogol në portën e tij. Jo më larg se dje tha se do futet në burg çdo polic që është përfshirë në kultivimin e kanabisit. Ndërkohë që deri dje mohonte edhe kanabisin edhe përfshirjen e strukturave shtetërore në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotikëve. Po kështu tallej kur avionët e vegjël me tonelata me hashash i fluturonin mbi kokë, apo i rrëzoheshin në foltoren e parlamentit kur ai i quante mushkonja në mendjen e sëmurë të opozitës.

Rama ka humbur kartën e bardhë edhe me ministrat e tij. Ish-ministri i tij i Brendshëm, benjamini i tij, ai që deri dje shitej si matës i suksesit të qeverisë Rama, Saimir Tahiri nuk di ku të fusë më kokën; i ka ezauruar të gjitha justifikimet e mundshme që mund ta nxjerrin sado pak të larë nga afera e pisët ku është zhytur me grupet e narkotrafikantëve.

Jo, Rama nuk mund të jetë më sot një Dalla Chiesa i Shqipërisë. Do ishte e tepërt edhe si shaka. Rama ka djegur të gjitha kartat e bardha me shqiptarët që nga dita në ditë po përballen me fakte tronditëse të përfshirjes së qeverisë që drejton në aferat e grupeve të narkotrafikut të drogës./ Opinion.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko