-Sociale, Aktualitet, Te Fundit, Të Gjitha

Qeveria harron të miratojë tarifën e shkollimit për studentët

Nikolla-Rama-600x360

Qeveria nuk ka miratuar një vendim kyç, në bazë të së cilit, universitetet publike duhet të përcaktojnë tarifat e studimit për studentët. Kjo ka shkaktuar pasiguri, madje ka çuar në shkeljen e ligjit, sepse disa universitete kanë miratuar tarifat e vitit të kaluar.

Mungesa e të ardhurave u shkakton universiteteve pamundësi për pagesat e rrogave dhe shpenzimeve të tjera.

Kjo duket se nuk është as një nisje e mirë për të ashtuquajturën “reformë të arsimit të lartë” të ndërmarrë nga qeveria në vitin 2015 dhe e kontestuar nga një pjesë jo e vogël e profesoratit dhe e aktivistëve si komercializim dhe kontroll i arsimit të lartë nga ana e qeverisë.

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës njoftoi se projekt-vendimin e ka gati dhe se çmimet tavan të studimeve “do të miratohen shumë shpejt” nga Qeveria, por nuk dha shpjegime se për çfarë arsyeje vendimi është vonuar kaq shumë. Ndërsa Këshilli i Ministrave nuk iu përgjigj pyetjeve për këtë çështje, raporton BIRN.

Çfarë thonë dekanët e rektorët?

Dhori Kule, dekan i Fakultetit të Ekonomisë, deklaroi se ai vetë e sheh të pamundur që të përcaktojë tarifa për sa kohë nuk ka vendim qeverie, por theksoi se dëshira është që tarifat e këtij viti të mos jenë më të larta se sa viti i kaluar.

“Në fakultetin e Ekonomisë, por kam bindjen dhe në fakultetet dhe universitetet e tjera nuk ka studentë të viteve të para që të kenë paguar tarifën e shkollimit, pasi qeveria nuk ka miratuar VKM me tarifën tavan të shkollimit për universitetet publike, i cili është detyrim ligjor i ligjit të ri të arsimit. Më tej, në bazë të vendimi të qeverisë institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë nëse do t’i kenë tarifat sa vlera maksimale e miratuar nga qeveria apo më të ulëta,” tha Kule.

“Ne jemi në pritje të vendimit të qeverisë i cili përcakton tavanet e tarifave të shkollimit për studentët. Sakaq kemi ndërmarrë një akt administrativ për studentët që janë në vite të ndërmjetme, pra në vit të dytë dhe të tretë ‘bachelor’ dhe vitet e dyta në ‘master shkencor’, të vijohet me pagesat e dikurshme pasi nuk mund tu ndryshojmë tarifën në mes të shkollës,” tha për BIRN kancelari i Universitetit të Tiranës Robert Skënderi.

Andrea Maliqari, rektori i Universiteti Politeknik të Tiranës ka sqaruar se në mungesë të një VKM-je për tarifat tavan të studimit, por duke u bazuar në vendimin e Bordit Administrativ u kanë studentëve të viteve të para tarifën e shkollimit.

“Qeveria faktikisht nuk ka miratuar vendimin me tarifat tavan të shkollimit. Por ne si Politeknik e kishim bërë publike që tarifat nuk do ti ndryshonim. Bordi Administrativ vendosi që studentët e viteve të para të paguajnë tarifën e shkollimit sipas afateve të përcaktuara në rregullore. Qeveria po vonon shumë aktet nënligjore, nëse nuk do mblidheshin tarifat universiteti do ish në vështirësi të mëdha ekonomike”, shtoi ai.

Edhe Universiteti i Mjekësisë deklaroi se tarifat për vitin 2016-2017 ka vendosur t’i arkëtojë me referencë ato të vitit të kaluar, ndonëse baza ligjore ka ndryshuar.

“Për studentët e vitit të parë e kemi mbledhur, pasi kemi përcaktuar se tarifa nuk do rritet por është në nivelin e 45 mijë lekëve si një vit më parë,” u shpreh rektori Arben Gjata.

Afatet

Tarifat e studimit do të duhej të miratoheshin para se studentët të aplikonin për regjistrim në fakultet.

Shqipëria ka shumëfishuar tarifat e studimeve për universitetet publike përgjatë 15 viteve të fundit, ndërsa një ligj i shumëdebatuar i miratuar në vitin 2015 bën thirrje për rritje të mëtejshme të tarifave, duke vendosur një pjesë jo të vogël të familjeve shqiptare në pamundësi financiare për t’i dhënë arsim të lartë fëmijëve të tyre.

Tarifat vjetore që studentët paguajnë aktualisht variojnë nga 20 mijë deri në 45 mijë lekë për studimet e nivelit të parë deri në 150 mijë lekë për studimet master dhe ndryshojnë në varësi të fakultetit dhe degës.

Qeveria aktuale është vënë nën akuza të vazhdueshme se synon favorizimin e universiteteve private duke komercializuar universitetet publike, akuza që qeveria i hedh poshtë. /BIRN

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko