2

Projektligji i ri i BE godet kompanitë teknologjike por i jep dorë medias

               Publikuar në : 15:25 - 14/09/18 |
m.b

Rregulla të reja do të detyrojnë gjigandët e teknologjisë të paguajnë më shumë për përmbajtjen e tyre.

STRASBURG, Francë

Parlamenti Europian po diskuton projektligjin që detyron kompanitë teknologjike të paguajnë më shumë mediat për muzikën dhe përmbajtjen e lajmeve në platformat e tyre.

Votimi është shtyrë për disa muaj për shkak të një lobimi të fuqishëm të kompanive të publikimit. Këto kompani duan të përcaktojnë parametrat e negocimit mes parlamentit, ekzekutivëve të BE dhe qeverisë europiane. Nëse ligji miratohet, vendet e BE kanë dy vjet kohë për të implementuar ligjet e reja, që përforcohen nga vendet anëtare.

Industria e teknologjisë e ka kundërshtuar fort këtë ligj dhe rregullat e vendosura. Të mërkurën grupe të ndryshme interesi u shprehën se do të vazhdojnë të luftojnë këtë projektligj në muajt në vijim.

Edima, një grup që përfaqëson platformat online si Amazon.com, Alphabet Google, Apple dhe Facebook, ka reaguar kundër projektligjit.

“Ligjvënësit e BE mbështesin filtrimin e internetit për t’i dhënë benefite bizneseve të mëdha në muzikë dhe industrive publikuese.  Ata nuk po marrin parasysh zemërimin e madh publik.”

Sot është një ditë shumë e trishtë për internetin në Europë,” u shpreh krijuesja e browser-it Firefox, Mozilla.

Lufta ende nuk ka përfunduar,” shtuan në deklaratë.

Në krahë të publikuesve, kompani të pavarura muzikore si Impala u shprehën se “kjo është një ditë e madhe për krijuesit europianë.”

Një zëdhënës nga Këshilli Europian i Prodhuesve u shpreh se vendimi shënon “një ditë të madhe për shtypin e lirë dhe demokracinë”. Ai shtoi se të ardhurat do të zhvillojnë bizneset e reja të promovimeve dhe t’u mundësojnë gazetarëve të fitojnë të ardhura më të mira.

Debati është fokusuar në dy pika kryesore

Së pari, ka një masë që do t’i japë lajmeve të drejtën për të negociuar pagesat për “përdorimin digjital” të përmbajtjes së tyre nga kompanitë teknologjike. Një tjetër pikë u kërkon faqeve online që postojnë video si Google apo Youtube të paguajnë “shpërblim proporcional” për punën e tyre, dhe merr masa për të parandaluar ngarkimin e përmbajtjeve që nuk kanë liçencë.

Publikuesit thonë se rregullat janë të nevojshme sepse një numër i madh shpërndarjes të konsumatorëve vijnë përmes rrjeteve sociale dhe agregatëve të tyre, duke penguar publikuesit që të kenë një numër të lartë ndjekësish.

Por nuk është ende i qartë impakti dhe masat që do të ketë. Kur Spanja kaloi një ligj të ngjashëm, Google e mbylli shërbimin e tij të lajmeve në Spanjë. Kur Gjermania kaloi një ligj të ngjashëm për të drejtat e autorit, publikuesit ia dhanë licencat falas Google në vend që të humbnin trafik.

Shtëpitë botuese kanë kohë që lobojnë për një platformë si YouTube që të skanojë videot për të drejtat e materialit, diçka që YouTube ka nisur ta bëjë vazhdimisht. Këto kompani pohojnë se ky projektligj do ta bëjnë më të lehtë negocimin me platforma të tilla. Por përgjegjësia e sigurimit që materialet të kenë të gjitha të drejta autori, ka kosto shtesë, thonë krerët e kompanive teknologjike. Sipas tyre kjo do të shkurajojë kompanitë e vogla për të ofruar shërbime.

Mbështetësit e projektligjit shprehen se ato kanë kryer ndryshimet e duhura në projektligj që i përgjigjen kritikave nga industria e teknologjisë duke përjashtuar platformat “e vogla dhe mikro” nga direktiva obliguese. Gjithashtu, ligji do të përjashtojë enciklopeditë jo komerciale si Wikipedia nga rregulli.

Gjithsesi, Wikimedia Foundation, që është krijuese e enciklopedisë online, ka qenë një nga kundërshtarët më të mëdha të projektligjit. Ata u shprehën se kjo do të lëndojë lirinë e shprehjes:

“Nuk bëhet fjalë për ne,” tha Jimmy Wales, themeluesi i Wikimedia. “Bëhet fjalë për ekosistemin që ne bëjmë pjesë.”/Opinion.al

 

Pas